E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Takohen Nishani e Berisha

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Takohen Nishani e Berisha

Dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme elektorale në vend, kryeministri Berisha ende nuk ka bërë një paraqitje publike, por ai ka qenë mëngjesin e së martës në zyrën e presidentit, Bujar Nishani. Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e kësaj vizite, por ajo që i shton akoma më shumë dyshim kësaj ngjarjeje është vizita që i ka bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zyrës së Presidentit Nishani.

Prania e këtij të fundit është disi e veçantë, pasi Kushtetuta nuk parashikon asnjë lidhje mes presidentit dhe kryetarit të bashkisë për një situatë zgjedhore.

Së fundmi kanë qarkulluar zëra edhe për një mbledhje të mundshme të kryesisë së Partisë Demokratike, por gazetarja e TCH pranë selisë blu raporton se gjasat që mbledhja të mbahet në orët e afërta janë të pakta për shkak se anëtarët e kryesisë janë të shpërndarë në rrethe.

E sigurt është vetëm se kryeministri Berisha po pret mbylljen përfundimtare të numërimit dhe rezultatet zyrtare. Askush nuk beson për një ndryshim rezultati apo për ndonjë afrim të numrit të mandateve, por duhet pritur, raporton TCH.