e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tabaku, 'kampion' i vendimeve te pazbardhura

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tabaku, 'kampion' i vendimeve te pazbardhura
KLD e ka neglizhuar gjyqtarin Neritan Tabaku që e kishte praktikë pune të bllokonte zbardhjen e vendimeve. Dy drejtuesit e Gjykatës së Durrësit, përveç se i kishin tërhequr vërejtjen prej kohësh gjyqtarit Tabaku për këto vonesa, kishin njoftuar edhe institucionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucion ky që ka për detyrë edhe inspektimin e këtyre rasteve flagrante. KLD, jo vetëm që i kishte injoruar shkresat e drejtuesve të Gjykatës së  Durrësit, të cilët kërkuan procedimin e gjyqtarit Tabaku, por ata nuk kishin marrë mundimin të inspektonin as ankesat. Çuditërisht, konstatimi i mos zbardhjes së vendimeve nga Tabaku, ishte vënë re nga kryetari i kësaj gjykate që në vitin 2010. Por, edhe pas tërheqjes së vërejtjes dhe kërkesës për zbardhjen e vendimeve, gjyqtari Tabaku, nuk kishte marrë mundimin të rregullonte këtë defekte, që haset shpesh në të gjitha gjykatat e vendit.

Dy vendimet e pazbardhura

Ajo që vendosi në lëvizje të gjithë institucionet shtetërore në drejtim të Durrësit, ishte ngjarja e datës 13 shtator 2012, kur shtetasi Ilir Xhakja, pas një debati në rrugë me kryekomisar Adem Tahiraj, e qëllon këtë të fundit duke lënë të vdekur. Pas kësaj ngjarje, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe të ekzekutivit, nisën “garën” mes tyre, për të dalë në media, për “punën” që ata do të kryenin në drejtim të zbardhjes së çështjes dhe arsyes se “pse Ilir Xhakja ishte i lirë”. Si KLD-ja ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, vrapuan të dërgojnë drejt Durrësit inspektorët për të verifikuar dosjen e penale të Xhakjes. Në Gjykatën e Durrësit, ata nuk e gjetën dosjen, pasi atë vazhdonte ta mbante në zyrë gjyqtari Neritan Tabaku edhe 20 muaj pas vendimit, duke mos e zbardhur dhe arsyetuar vendimin e pafajësisë. Të ndodhur në këto kushte, Task-forca e prokurorisë, nisi hetimet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” të gjyqtarit Tabaku. Por, hetuesit e çështjes, me të zbarkuar në Durrës, konstatuan se gjyqtari Tabaku nuk kishte zbardhur edhe një vendim tjetër, edhe pse kishin kaluar 2 vite nga dhënia e vendimit. “Nga hetimi i çështjes, u konstatua se përveç mos zbardhjes së vendimit të Ilir Xhakjës, gjyqtari Neritan Tabaku nuk kishte zbardhur edhe pafajësinë e shtetasit Jordan Findiku i njohur edhe si “piktori”. Nofkë kjo e marrë nga super falsifikimet që ai kryente”, - thuhet në raportin, që bindi anëtarët e KLD-së, që t’i heqin imunitetin gjyqtarit Tabaku dhe që një kopje të tij, “Shekulli” e ka siguruar.

Hetimi

Sipas këtij raporti shumë faqesh, rezulton se Tabaku përveç vendimeve të Jordan Findikut dhe Ilir Xhakjës, nuk kishte zbardhur vendimet e për çështjet që kishte gjykuar që në vitin 2009. Sipas raportit të firmosur nga kryetari i Gjykatës së Durrësit dhe që mban datën 20 shkurt 2012, gjyqtari Tabaku rezulton “kampioni” i mos zbardhjes së vendimeve të arsyetuara. “Nga të dhënat e mësuara nga shkresa e emëruar “Dosjet me ankim të pa dorëzuara” deri në datën 20 shkurt 2012 rezulton se gjyqtari Tabaku nuk ka zbardhur një vendim të vitit 2009, shtatë vendime të ndryshme të vitit 2010 si dhe 11 vendime të vitit 2011, së bashku me vendimin e pa arsyetuar të pafajësisë së shtetasit Ilir Xhakja”, - thuhet në këtë raport, që i është bashkangjitur dosjes hetimore. Por, për task-forcën e prokurorisë, vetëm dy janë rastet për të cilat gjyqtari Tabaku po hetohet për “shpërdorim të detyrës”, atë të mos zbardhjes së vendimit të Jordan Findikut dhe Ilir Xhakjës, vendime këto që i ka dorëzuar të zbardhura vetëm një javë pas ngjarjes së 13 shtatorit 2012 të ndodhur në fshatin Katund i Ri, komuna Sukth në Durrës.

Apeli lë në burg “shoferin” Hoxha

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë e rrëzoi kërkesën e avokatit mbrojtës për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-shoferit të policisë së Shijakut, shtetasin Fatmir Hoxha. Pavarësisht pretendimeve të avokatit Ilia Ilia dhe vetë të dyshuarit Hoxha, të cilët kërkuan lirimin nga qelia për shkak të problemeve familjare dhe humbjes së djalit të vetëm një vit më parë. Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata vendosi që Hoxha të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Hoxha akuzohet se ka “shpërdoruar detyrën” më datë 13 shtator, ditën e vrasjes së kryekomisar Tahirajt, pasi nuk ka vepruar sipas ligjit në mbrojtje të kolegut dhe të vetes.