e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Statusi i vendit kandidat, PS e PD fajesojne njera-tjetren

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Statusi i vendit kandidat, PS e PD fajesojne njera-tjetren
Bllokimi i jetës parlamentare do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në ecjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kështu shprehet kreu i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, i cili shpreh shumë kritika për qëndrimin e fundit të opozitës. “Kur dëgjova deklaratën e trishtueshme të liderit të opozitës që parlamenti merret me rrumpalla draftligje dhe se nuk do të votojmë ligje me 3/5, atëherë kuptohet që jemi në situatën e bllokimit me dashje, me dëshirë të procesit normal të parlamentit, atëherë sigurisht që nuk mund të ecësh përpara dhe nuk mund të jesh i suksesshëm”, - pohon Beja ndërsa shpreson ende për një bashkëpunim të mundshëm. “Gjithsesi, teknikisht është mundësia qysh këtë javë që ne të futemi në proces votimi të atyre gjërave që ndihmojnë integrimin e Shqipërisë”, - deklaron ai.

Por duket se socialistët janë të bindur për një përgjigje negative madje kanë bërë gati dhe arsenalin e akuzave. “Personalisht nuk pres surpriza. Pres një fotografim të realitetit shqiptar ashtu siç është, një diagnostikim shumë të kthjellët siç e bën gjithmonë Komisioni Evropian dhe pres gjithashtu edhe përcaktimin e një udhërrëfyesi të qartë se ku duhet të ecë politika shqiptare, cilat duhet të jenë detyrat e saj sepse Shqipëria ka humbur shumë dhe them se jemi vonë edhe për vitin tjetër dhe duhet të fillojmë të punojmë në mënyrë shumë sistematike”, - tha dje deputeti i PS-së, Ditmir Bushati. Ai shtoi se nuk e pengon opozita qeverinë për të kthyer përgjigje pozitive ndaj kërkesave të saj si për reformën parlamentare ashtu edhe për atë zgjedhore që burojnë nga këto 12 përparësi.