Stadiumi, vepra e harruar per 100-Vjetorin e Pavaresise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pavarësisht se kryeministri Sali Berisha kishte deklaruar se për stadiumin do nisin punimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, ky premtim i tij duket se ka ngelur në harresë. Gjithçka, shpresohet që të qartësohet në kohën më të mirë, nga fundi i nëntorit. Ose më saktë, dhe e thënë troç, nuk dihet me ekzaktësi se kur do të nisin punimet. Të pyesësh në federatë për punën e stadiumit, nuk është se të japin “xhevap” përfundimtar, se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim. I sigurt është fakti që në institucionin e futbollit gjërat po kopsiten, që të paktën të mos jenë pas me projektin përfundimtar. Aktualisht po punohet për të gjetur një studio konsulence për të rekrutuar, kompani për ndërtimin dhe financimin e stadiumit. Kompania e konsulencës, e kontraktuar nga FIFA, ka mbyllur kushtet e projektimit, duke vendosur për një impiant 20 mijë vendesh. Pra pothuajse është gjithçka gati. Por çfarë po ndodh realisht?
“Bllokimi”, punë burokracish
Në këtë moment që flasim, çështja e stadiumit po kalon një sërë burokracish. Edhe pse ka një vendim të Këshillit të Ministrave, stadiumi ende nuk është pronë përfundimtare e shoqërisë “Kuq e Zi”. Diçka ka ngelur mes Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Ekonomisë. Për të rregulluar situatën, pritet që të ketë një tjetër korrigjim të vendimit të mëparshëm që ligjërisht gjërat të jenë korrekte dhe në bazë të ligjeve shqiptare. Shumë shpejt do të dalë edhe ky vendim dhe më pas nuk do të ketë më asnjë gjë që të bllokojë punën e stadiumit. Sigurisht do të ishte shumë mirë sikur drejtuesit e qeverisë të kujtoheshin dhe të flisnin për projektin që ka dy vite në pritje.
Gati eksplozivët, fitili s’dihet kur ndizet
Të gjithë flasin për stadiumin, por asnjë nuk e di se tashmë është gati edhe plani i prishjes. Ministria e Mbrojtjes prej kohësh po punon me FSHF-në për prishjen e impiantit. Ekspertë të xhenios, kanë javë që po projektojnë shembjen e stadiumit që do të bëhet me stilin e vjetër, pra me eksplozivë. Projekti është që të minohet i gjithë stadiumi që nuk mund të çmontohet, sepse pjesa e sipërme e krashisë, dihet që është parafabrikate, ndërsa pjesa e poshtme do të shembet me shpërthime. Është gati gjithashtu edhe lëvizja dhe transportimi i mbetjeve, të cilat do të shkojnë në një vend të caktuar. Por të gjitha këto projekte dhe planifikime ende nuk kanë një datë të saktë. Thuhet se gjërat do të lëvizin pas ndeshjeve të tetorit. Të tjerë pranojnë se mund të ketë një ceremoni për prishjen që do të quhet edhe nisja e punimeve në nëntor, ndonëse me të gjitha gjasat për “Qemal Stafën” të reja mund të kemi vetëm në fillim të 2013-ës.
Ja “Qemal Stafa” i ri
Studio arkitekturore spanjolle RFA, kish marrë kohë më para përsipër projekt-idenë e stadiumit të ri, që do të ndërtohet në atë ekzistues “Qemal Stafa”. Projekti u paraqit para krerëve të shtetit për 80-vjetorin e Federatës. Firma prej muajsh studioi mangësitë kryesore të këtij stadiumi. Në fund me konsulencën e KPMG-së u vendos që stadiumi kushton rreth 60 milionë euro përafërsisht. I programuar dhe ideuar më parë për një kapacitet prej 33.000 vendesh, palët, pra Federata e Futbollit, Qeveria Shqiptare dhe kompania që po bën konsulencën e projektit, ranë dakord në reduktimin e numrit të tifozëve, nga 25.000 në 20.000, ose afërsisht rreth 4 mijë vende më shumë se sa kapaciteti aktual i “Qemal Stafës”. Arsyeja ka qenë kosto e lartë, pasi stadiumi do rindërtohet plotësisht.
Fakti qëndron se vetëm një vend i ulur ne bazë të gjithë parametrave të caktuar të stadiumeve në Evropë kushton rreth 1.500 euro, gje e cila do të thotë që një shtim prej 5 mijë vendesh do të thotë një shtim të vlerës prej 7.5 milionë euro, shifër kjo e papërballueshme nga pala shqiptare. Megjithatë me një sy të lehtë, një stadium prej 20.000 vendesh dhe shumë modern është krejtësisht normal për kushtet e Shqipërisë. Stadiumi do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të ketë mbi 20 mijë vende për tifozët, 75% e tyre do të jetë i mbuluar. Gjithçka perfekte për një stadium të standardit ELITE të UEFA-s, një ndër nivelet më të larta që është projektuar studio RFA, e njëjta që ka bërë projektin e stadiumit të Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit e disa prej stadiumeve të vendeve të tjera europiane.
Projektimi, ende i pambyllur
Studioja spanjolle dha vetëm idenë e parë të stadiumit që do të ishte me konturet e relievit shqiptar. Projekti përfundimtar ende nuk është mbyllur. Për këtë, FSHF duhet të kontraktojë një firmë për projektin dhe një për ndërtimin. Gjithsesi, në federatë të thonë se gjërat janë gati dhe çdo gjë mund të mbyllet shumë shpejt, nëse shteti kalon fazat burokratike dhe gjithçka bëhet gati për nisjen e punimeve.
Paratë, gjithmonë problem
Normalisht të ndërtosh një stadium të ri të duhen edhe para. Kostoja e stadiumit përafërsisht shkon rreth 60 milionë euro edhe pse me zbritjen e numrit të shikuesve, logjikisht duhet të zbresë edhe kostoja. Federata e Futbollit, shpreson që kur të gjitha gjërat të jenë gati të ketë në tavolinë emrin e një financuesi. Pak a shumë 10 milionë euro do t’i japë FIFA. Një sasi të caktuar do të japë shteti për çdo vit punimi, plus edhe para të FSHF-së, mund të bëjnë që financim të ketë rreth 20 milionë euro. Pjesa tjetër të mbulohet ose nga ndërtuesi, ose të merret një kredi, ndonëse më e mira e të mirave do të ishte nëse shteti të financonte gjithë impiantin.
Nga “Qemal Stafa” në “Kuq e Zi”
Ndërtimi i stadiumit të ri do të ndryshojë edhe emrin e impiantit. Mësohet se nga “Qemal Stafa”, emri mund të shkojë në stadiumi “Kuq e Zi”. Gjithsesi, mund të paraqitet dhe ndonjë variant tjetër emri edhe pse për momentin kjo është gjëja e fundit që mendohet, pasi ende nuk ka filluar asnjë punim në stadium.
20
mijë vende është kapaciteti maksimal që do të mbajë stadiumi i ri. Pas shumë diskutimesh është vendosur që ky do të jetë kapaciteti i impiantit të ri në Shqipëri. U diskutua për 30 mijë vende, por më pas u la që stadiumi të jetë 20 mijë vendesh.
70.000.000.000
lekë përafërsisht do të kushtojë stadiumi i ri i Shqipërisë. Nuk dihet se kur do të nisin punimet por kostoja varion rreth kësaj shume. Vetëm për një stol, përllogaritet që do të paguhen rreth 2 milionë lekë, ndërkohë që për 20 mijë vende dhe lukse të tjera kostoja shtohet hap pas hapi.
Relievi i Shqipërisë
Sipas idesë së spanjollëve, që është paraqitur, në profil stadiumi do të mishërojë gjithashtu relievin e vendit tonë, që siç dihet është kryesisht malor. Stadiumi do të ketë të gjitha komoditet e duhura, i denjë për një stadium elitar Europian. Për të arritur këtë standard, ai do të ketë të paktën kuotën minimale të vendeve të ulura të përcaktuara nga FIFA, 20 mijë.
Projektuesi i "Qemal Stafës" ishte arkitekti i ri nga Firence, Xherardo Bozio, i cili projektoi edhe një stadium olimpik me një kapacitet prej 15 mijë vendesh, më se i mjaftueshëm për Tiranën, që në fundin e viteve ‘30 numëronte më pak se 60 mijë banorë
Konti Çiano, ai që preu shiritin e ndërtimit të stadiumit
Pak kush, e di mirë historinë e ndërtimit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Edhe pse vepra mban emrin e një komunisti dhe anti-fashisti që u vra nga italianët, ishin këta të fundit që vitin e pushtimit të Shqipërisë, nisën ndërtimin e stadiumit. Ishte Konti Çiano ai që vendosi tullën e parë në ndërtimin e një stadium olimpik në atë kohë në Tiranë. Një impiant sportiv që për periudhën duhet të ishte nga më modernët i projektuar nga arkitektë italianë. Por fashistët nuk mundën ta përfundonin ndërtimin. Pas tyre gjermanët e përdorën fushën për të vendosur tanket e dhomat e krijuara nën shkallët e tij edhe si burgje. Kjo ndodhte thuajse 70 vjet më parë. Emri “Qemal Stafa” dhe shiriti i inaugurimit u pre në vitin 1946-të. Ndeshja e parë e luajtur në të është ajo mes kombëtares shqiptare të atij viti dhe Jugosllavisë. Që prej asaj periudhe ky stadium ka qenë pjesë e historisë së futbollit shqiptar. Shkallët e tij 64-vjeçare kanë parë shumë kampionë e kanë përjetuar ngritjen e shumë trofeve. Edhe pas kaq vitesh “Qemal Stafa” mbetet i vetmi stadium kombëtar në Shqipëri, me një kapacitet prej rreth 17 mijë vendesh, i miratuar nga UEFA dhe FIFA për ndeshje ndërkombëtare, por që jo në të gjithë tërësinë e tij e meriton këtë status. Ka një amortizim të vazhdueshëm të shkallëve, stolave dhe gjithë elementeve të tjerë të tij. Në fakt është projektuar për një stadium olimpik, por i standardeve të vjetra dhe që nuk u përfundua asnjëherë me projektin fillestar.
Fakte
1939 nis ndërtimi i stadiumit të ri olimpik të Tiranës. Ndërtimi i tij vazhdoi për 3 vjet dhe u ndërpre në gushtin e vitit 1943, pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste.
1946 përurohet stadiumi i ri i Shqipërisë që mban emrin “Qemal Stafa”. Komunistët e ardhur në pushtet kërkuan me ngulm përfundimin e punimeve, pasi në të do të zhvilloheshin Lojërat e para Ballkanike të pasluftës, më 1946. Qeveria shqiptare angazhoi 400 punëtorë, të ndihmuar nga 150 vullnetarë të përditshëm, duke investuar, sipas të dhënave të shtypit të kohës, rreth 300 mijë franga shqiptare për përfundimin e punimeve në stadium
1962-1965 shkallët e drunjta zëvendësohen me shkallët e betonit. Shkak bëhet thyerja e tyre në një derbi mes Partizanit dhe Tiranës. Kjo detyroi tifozët të rrethojnë fushën. Fatmirësisht asnjë nuk u vra asnjë tifoz në atë incident.
1973 nis shtimi i kapacitetit të stadiumit duke ngritur tribunën “Krashi”. Kostoja e tyre ishte 2.8 milionë lekë dhe për herë të parë në të u vu një tabelë elektronike, e cila u ble në Hungari dhe është ende pjesë e impiantit. Poshtë tribunës së re u ndërtua një hotel me 100 vende fjetje për sportistët, ku përfshiheshin edhe palestra dhe një restorant.
1996 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” u vendos për herë të parë një sistem ndriçimi. Projektorët, të cilët u vendosën nga inxhinierë suedezë, kishin një fuqi ndriçuese 1200 lux dhe ishin të shpërndarë në katër kulla.