e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Specialistet boterore: Shqiperia shkon ne France

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Specialistet boterore: Shqiperia shkon ne France

Shqipëria shkon në Francë. Nuk është se e thotë ndonjë tifoz apo specialist shqiptar. Janë dy media të mëdha “Eurosport” dhe “ESPN” që sponsorizojnë kuqezinjtë, drejt Parisit. Portali “eurosport.com”, çon Shqipërinë në Francë pa asnjë dyshim. Ai i jep shumë shanse kuqezinjve për t’u kualifikuar për në Europian. “Më 8 tetor Portugalia pret Danimarkën. Kjo e fundit ka vetëm një ndeshje për të luajtur dhe e gjen veten në mëshirë të fatit të Portugalisë. Danimarka është vetëm një pikë përpara e Shqipërisë, por kjo e fundit ka dy ndeshje për të luajtur, ku njërën e ka në shtëpi, atë me Serbinë.

Një barazim për Portugalinë në Braga në ndeshjen e fundit me Danimarkën është e mjaftueshme për t’u kualifikuar. Nëse danezët nuk mund të fitojnë me Portugalinë, atëherë Shqipëria do të kualifikohet si vendi i dytë me një fitore kundër Serbisë. Por edhe në qoftë se Danimarka fiton ndeshjen e saj të fundit, ata ende mund ta shohin veten jashtë ‘Euro 2016’, në qoftë se Portugalia merr një pikë në Serbi në ndeshjen e fundit të vet dhe Shqipëria mund Serbinë dhe pastaj Armeninë në dy ndeshjet e mbetura.”

Në fund të komentit të “eurosport.com”, parashikimi për grupin tonë është ky: Portugalia në vend të parë, Shqipëria e dyta, Danimarka e tretë, Armenia e 4-ta dhe Serbia e fundit. Shqipëria cilësohet si favorite, përkrah Hungarisë dhe Irlandës së Veriut edhe nga një tjetër media ndërkombëtare. “ESPN” vlerësonte se “humbja dramatike në sekondat shtesë me Portugalinë shkaktoi një zhgënjim të madh për Shqipërinë”, por sipas analizës, situata ka ndryshuar për më mirë.

“Shqipëria është përballë skenarit më të mirë, duke e ditur se kanë dy ndeshje për të zhvilluar, ndërsa Danimarka e vendit të dytë, me një pikë më tepër në renditje i mbyll kualifikueset në Portugali. Kualifikimi i parë në një eveniment madhor ka ndryshuar nga ‘i mundshëm’ në ‘dukshëm i mundshëm’. Në analizën e saj, “ESPN” theksonte se me një fitore më 8 Tetor kundër Serbisë dhe paralelisht humbjen ose barazimin e Danimarkës në Braga, festa e Shqipërisë do të ishte e dyfishtë: kualifikim në fazën e grupeve të Euro 2016 dhe turpërim i serbëve.

Kanali prestigjoz rikujtonte ecurinë e Kombëtares Kuqezi, nga suksesi në Aveiro, e deri në marrjen e tri pikëve në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv pas skandalit të dhunës dhe racizmit në Beograd. “Kualifikimi i Shqipërisë si e dyta në Grupin I do të përgënjeshtronte skeptikët, që besonin se zgjerimi i Europianit me 24 ekipe do të ulte cilësinë.

Sido të ishte, edhe në turneun me 16 skuadra dy ekipet e para do të shkonin në fazën finale.” Në fund “ESPN” theksonte se fitorja në Portugali dhe dy barazimet përballë Danimarkës nuk janë vetëm çështje fati, por konfirmim i rritjes së kombëtares shqiptare drejt një arritje që deri më tani dukej një mundësi e largët.

Të gjithë janë në një mendje. Shqipëria do të shkojë në Europian. Kjo do të ishte me të vërtetë diçka sensancionale. Jo vetëm për faktin se mundësitë reale janë, por kuqezinjtë nëse marrin gjashtë pikë, ia dalin pa ndihmën e askujt. Gjithsesi, të shohim se çdo të ndodhë. 180 minutat e fundit do të jenë të magjishme për kuqezinjtë e Xhani De Biazit.

50000 mijë kërkesa kanë deri tani zyrtarët e FSHF-së, për ndeshjen kualifikuese mes Shqipërisë dhe Serbisë më 8 tetor