e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Sot publikohet te dhenat e Censusit ne Kosove

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Sot publikohet te dhenat e Censusit ne Kosove
Kryesues i Grupit menaxhues të operacionit monitorues ndërkombëtar për regjistrimin e popullsisë në Kosovë dhe njëherësh drejtor në Eurostat, Pieter Everaers, ka potencuar të enjten se “është i kënaqur” me punën që është bërë në këtë drejtim. Everaers pritet që të premten gjatë shpalljes së rezultateve finale të regjistrimit të popullsisë të japë vlerësimin final mbi cilësinë e të dhënave të këtij regjistrimi në Kosovë.

Mospjesëmarrja e tri komunave të veriut dhe një pjese të Mitrovicës në këtë regjistrim, sipas Everaers, ka qenë “për keqardhje”. Megjithatë ai ka bërë të ditur se janë bërë përpjekje që të ketë pjesëmarrje të plotë të popullsisë në regjistrim dhe ka rekomanduar se nëse do të bëhen regjistrime për atë pjesë në të ardhmen, ato nuk do të duhej të konsideroheshin pjesë e të njëjtit regjistrim të vitit 2011.

“Data e regjistrimit që ne kemi përdorur është 1 prill 2011 dhe nëse një mbledhje e të dhënave do të ndodhte tani në Mitrovicë, e para unë nuk kam më mandat për të monitoruar një punë të tillë dhe e dyta do të ishte një punë mjaft e vështirë. Do të ishte një punë e cila sipas hendekut kohor dhe rrethanave në të cilat do të ndodhte nuk mund të konsiderohej pjesë e të njëjtit regjistrim”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se në deklaratën e tij finale të premten nuk do të fokusohet në çështjen e mospjesëmarrjes, por vetëm në çështjen e regjistrimit.

Sipas Everaers mandati i operacionit ndërkombëtar monitorues ka filluar në vitin 2005 dhe ka  bërë monitorim në Kosovë, nëse regjistrimi po bëhej duke i respektuar rekomandimet për proceset e regjistrimit.

“Ne kemi punuar, monitoruar dhe ndihmuar Entin e Statistikave duke u përpjekur që të kemi një pjesëmarrje të plotë e cila nuk ndodhi, në fund nuk pati pjesëmarrje të disa komunave veriore gjë që është për keqardhje, mirëpo janë bërë përpjekje të mëdha për këtë”, ka shtuar ai.

Gjëja e fundit formale e operacionit menaxhues ndërkombëtar që do ta bëjë, do të jetë, sipas Everaers, “një letër” me të cilën do të informohen organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN-ja, shtetet e rajonit dhe botës lidhur me vlerësimin përfundimtar të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

“A i është përmbajtur regjistrimi rekomandimeve ndërkombëtare dhe nëse po, në çfarë shkalle si dhe a janë rezultatet e regjistrimit në Kosovë të shfrytëzueshme. A mund të shfrytëzohen ato nga organizatat ndërkombëtare në kalkulimet e tyre”, ka thënë ai.

Isa Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK),  ka pohuar se në veri ka munguar pjesëmarrja dhe ka shtuar se agjencia është në proces të vlerësimeve edhe për atë pjesë, por ato ka thënë se do të jenë rezultate tjera që nuk ndërlidhen me regjistrimet e vitit 2011.

“Po them se numrin e përgjithshëm të popullsisë Kosova do ta ketë, por mos kërkoni që të përzihen të dhënat nga regjistrimi 2011 me vlerësime të cilat do të merren dhe ne do ta kemi rezultatin total të popullsisë”, ka shtuar ai.

Krasniqi më pas ka diskutuar rreth mundësive që do të kenë gazetarët për qasje në të dhënat statistikore pas shpalljes së tyre të premten si dhe mundësitë e bashkëpunimit me ASK-në.

Për rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë ka folur edhe Isabelle de Pourbaix, udhëheqëse e Ekipit, eksperte për Regjistrime të Popullsisë (EUCEP).