Sot derbi endrra per kampionat perballe Europes

Sot derbi, endrra per kampionat perballe Europes

Superliga Shqiptare e Futbollit do të luajë sot një nga sfidat më të rëndësishme të gjithë sezonit futbollitstik, Partizani-Tirana. Derbi i kryeqytetit ka një rëndësi thelbësore për vijimin e kampionatit, pasi në rast fitore të bardhebluve, lufta për titull do të mbetej e hapur.

Në rast të një fitore të demave të kuq, atëherë Partizani do të vijonte ëndrrën Europa Ligë. Prandaj dhe derbi i sotëm është një përballje mes ëndrrës për titullin kampion dhe ëndrrës për rikthimin në Europë. Siç mësohet nga burime pranë kampeve skuadrat po përjetojnë në mënyra të ndryshme orët e fundit të derbit.

Tekniku i 24 herë kampionëve të Shqipërisë ka grumbulluar të gjithë ekipin në një hotel në periferi të kryeqytetit. Tirana ka zhvilluar mbrëmë seancën e fundit përgatitore në prag të perballjes me Partizanin. Bardheblutë në orën 19:00 kanë mbyllur stërvitjen në “Skënder Halili”.

Me pas skuadra u rikthye sërish në grumbullim për të qëndruar aty deri në pasditen e të hënës. Për ti krijuar një klimë sa më të qetë skuadrës, Magani ka vendosur dhe të mbyllë marrdhëniet me mediat deri në përfundim të takimit. Tekniku Peqinas gjatë konferencës së fundit për shtyp u shpreh mjaft optimist për rezultatin e derbit. Tekniku ka folur me mjaft siguri për arritjen e objektivit, suksesin në 90 minutat e të hënës në mbrëmje.

“Te gjitha ndeshjet me Partizanin kanë qenë të luftuara, pasi në të dyja kampet kanë kërkuar gjithnjë fitoret. Por në këtë 90-minutësh luajmë objektivat e sezonit. Ne për titullin, ata për Europën. Ne vijmë pas 5 fitoreve radhazi. Situata dhe morali i skuadrës është shumë i mirë.

Ndaj ne do të futemi në fushë të luajmë gjithçka për gjithçka, “, deklaroi Magani. Nga krahu tjetër tek Partizani, atmosfera duket më e qetë edhe pse dëshira për të arritur tek fitorja është shumë e madhe dhe shifrat në këtë sezoni i ka dhënë të drejtë djemve të Shpëtim Duros të cilë kanë arritur 2 fitore dhe 1 barazim në derbi.

Hero i përballjeve për të kuqtë ka qenë Nderim Nexhipi me dy golat e shënuar prej tij. Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se tekniku Duro po mendon të rikonfirmojë formacionin e tij të preferuar, 4-2-3-1 me Raçiç të vetëm në sulm dhe treshen Nexhipi-Vila dhe Mazrekaj në shpatulla dhe Bathan e Trashin si shkatërrues, teksa në mbrojtje do të jetë katërshja Fejzullahu, Rrahmani, Vrapi dhe Çuçulin, ndërsa në portë i përhershmi Hoxha.

Derbi Partizani-Tirana do të jetë një ndeshje e cila do të vendosë në lupën e analizës edhe gjyqtarin e takimit. Shpëtim Duro, në konferencën e fundi për shtyp i bëri thirrje trupës që gjyqtarëve që do të gjykojë takimin përmbyllës të javës së 33-të që të jetë shumë e kujdesshme dhe të mos e prishë takimin me vendime të gabuara.

Në të njëjtën linjë, por me një koment paksa thumbues, u shfaq edhe trajneri Gugash Magani, skuadra e të cilit ndihet e persekutuar nga bluzat e zeza, sidomos në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Laçin. Në tri përplasjet e këtij sezoni kanë gjykuar dy arbitra, Bardhyl Pashaj në fazën e parë dhe të tretë, si dhe Kridens Meta në fazën e dytë. Arbitrat e mbetur në gara janë Jemini dhe Jorgji.

Kryesori i kolegjiumit të Elbasanit mbetet zgjidhja më e mundshme, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që gjithçka të vendoset me short para takimit. Tirana fiton betejën e biletave: Tirana ka fituar betejën e biletave në derbi. Bardheblutë kanë njoftuar se interesi i tifozëve bardheblu ka qenë mjaft i lartë dhe mësohet se të gjitha biletat e rezervuar për tifozat e Tiranës janë shitur brenda 48 orëve, teksa nga klubi i Partizanit mësohet se deri të dielën në darkë kishte ende bileta të disponueshme.

Java 33:

Skënderbeu-Teuta 4-2

Kukësi-Apolonia 2-1

Laçi-Flamurtarin 2-1

Elbasani- Vllaznia 1-1

Partizani-Tirana 20:45

Klasifikimi: Skënderbeu 72 Pikë, Tirana 66, Kukësi 66, Partizani 63, Laçi 60, Flamurtari 38, Vllaznia 35, Teuta 26, Apolonia 22, Elbasani 14/ *Tirana dhe Partizani një takim më pak.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama