e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Sondazhi per Shengenin,60 per qind e shqiptareve do te udhetojne brenda 6 muajve te pare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Sondazhi per Shengenin,60 per qind e shqiptareve do te udhetojne brenda 6 muajve te pare
Sipas një sondazhi, 60 për qind e qytetarëve në Shqipëri do të udhëtonin drejt zonës Shengen brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm, pra, menjëherë në periudhën që hyn në fuqi qarkullimi pa viza në këtë hapësirë. Sondazhi i kryer nga instituti EUNACAL në Tiranë tregon, gjithashtu, se arsyeja kryesore e udhëtimeve do të jetë vizita te të afërmit dhe familjarët që punojnë në vendet e Bashkimit Europian. Drejtori i Institutit Alban Nelaj tregon për BBC-në për përfundimet e sondazhit. Cili është kampioni në të cilin u krye sondazhi. Kampioni përbëhet nga 2470 persona, banorë të zonave rurale dhe urbane. Meqënëse pjesa e kampionit që përbëhet nga banorë të zonave rurale ka qenë jo tërësisht e mjaftueshme për të kryer përgjithësime, trajtimi i rezultateve kryesore të sondazhit vlen për banorët e zonave urbane.

Cilat janë motivet kryesore të udhëtimit që kanë rezultuar nga sondazhi, pra, për çfarë në radhë të parë do të udhëtonin shqiptarët pas heqjes së vizave?

Arsyeja kryesore është për të vizituar të afërm, miq ose partnerë, 44% e tyre, pastaj arsyeja dytësore është për turizëm, 34% e tyre dhe arsye të tjera janë për biznes apo tregti 9%, për studime 8% dhe për të kërkuar punë 4%. Ndërkohë që me synimin për të kërkuar azil rezultojnë të jenë 0%.

Zoti Nela, një fushatë që ka nisur prej disa muajsh në Shqipëri për të sensibilizuar qytetarët synon të tregojë se me heqjen e vizave nuk nënkuptohet se fitohet automatikisht edhe e drejta për të punuar në vendet e BE-së. Po sondazhi juaj çfarë tregon lidhur me dëshirën e njerëzve për të punuar në Europë?

Pikërisht sondazhi tregon se të pyetur se sa të informuar janë qytetarët mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtimit dhe qëndrimit pa viza në vendet e zonës Shengen ata përgjigjen në 70% të tyre se janë të informuar, 27% e tyre përgjigjen se janë disi të informuar dhe 3% përgjigjen se janë të painformuar. Vlen për t’u theksuar që grupmosha më e painformuar janë të rinjtë e grupmoshës 18-29 vjeç dhe kryesisht të rinjtë e zonave rurale. Ndërkohë, prirja për të vizituar vendet e zonës Shengen për të kërkuar punë është e lehtë, kështu mendojnë 4% e të pyeturve, por vihet re që kjo prirje është disi më e fortë për të rinjtë dhe kryesisht banorët e zonave rurale në tërësi.

Ajo ç‘ka vihet re nga sondazhi, gjithashtu, është edhe fakti që në rast të gjetjes së një pune të sigurtë në vendet e BE-së, të rinjtë shqiptarë kanë një prirje të fortë për t’u larguar nga vendi. Pavarësisht se nuk synojnë ta shfrytëzojnë mundësinë e lëvizjes së lirë aktualisht për të kërkuar punë, shumica e tyre nga sondazhi tregojnë që ka një pakënaqësi të lartë sidomos nga të rinjtë, përsa i përket nivelit dhe cilësisë së jetesës në Shqipëri dhe me nivelin e mirëqënies. Për këtë arsye të rinjtë shqiptarë kanë një prirje për t’u larguar nga vendi në rast të gjetjes së një pune të rregullt.

Ky sondazh është kryer në muajin tetor. Sipas jush, në thelb cili është mesazhi që del nga ky sondazh?

Është e rëndësishme që mos të krijohen shumë keqkuptime midis së drejtës për lëvizjen e lirë dhe qëndrimit afatshkurtër në vendet e zonës Shengen dhe të drejtave që lindin si një qytetar i një vendi të BE-së për të punuar në vende të tjera të unionit. Është e rëndësishme që gjithashtu të kuptohet që të rinjtë shqiptarë kanë një ndjesi pakënaqësie ndaj nivelit të mirëqënies në Shqipëri dhe mungesës së vendeve të punës, mirëpo ekziston shpresa se anëtarësimi i vendit në BE do të sjellë ndryshime në Shqipëri, si përmirësime të cilësisë së jetesës dhe të nivelit të mirëqënies dhe ky është një shans që nuk duhet humbur nga cilado qeveri në Shqipëri që të përmbushë pritshmëritë e këtyrë të rinjve.               “BBC”