e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Akademiku Ali Aliu: Sherret me maqedonasit, i paguajme te gjithe

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Akademiku Ali Aliu: Sherret me maqedonasit, i paguajme te gjithe
Ali Aliu është akademik, shkrimtar, eseist, kritik letrar dhe përkthyes shqiptar nga Maqedonia. Ai lindi më 1 prill 1934 në Prespë (Kranjë). Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në qytetin e Manastirit në vitin 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup, më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Beograd në vitin 1960. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973. Pas studimeve zë punë gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup, ku punoi dhjetë vjet. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës ku ka ligjëruar lëndën Teori e letërsisë.

Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema të magjistraturave dhe doktoratave. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991). Aktualisht ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Si fillim, a mund të hedhim një vështrim krahasues të para dhe pas nëntëdhjetës në realitetin Shqipëri-Maqedoni?

Gjatë viteve ’70, kur vija në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimeve të dy universiteteve tona, shumë rrallë më qëllonte dhe ishte çudi që unë të nxirja një libër përtej kufirit. Atëherë sekuestroheshin librat në kufi. Na ndalin me orë duke i kontrolluar, duke i lexuar, duke i parë çfarë ka, çfarë citatesh, çfarë fotosh, shikonin se çfarë gjërash fshiheshin dhe librat përfundonin diku nëpër bodrume. Tani qarkullojmë lirshëm dhe e njëjta gjë ndodh dhe me librin, por përsëri ka disa kufij.

Edhe pse libri nuk i ka ato vështirësitë dhe kufijtë e dikurshëm, kam përshtypjen se vazhdon të qarkullojë mjaft vështirë nga Tirana në Tetovë, në Shkup nga Tirana në Prishtinë, Prizren e qytete të tjera dhe kjo vërehet dhe në panairin e sivjetmë sepse ka pak botues në panairin e Shqipërisë. Institucionet shtetërore që i mbulojnë këto shpenzime do t’ju duhet që të paktën këto stenda të vogla t’ua mundësojnë që të mos paguajnë, pasi kanë shpenzime të tjera, qëndrime, hotele dhe pikërisht këto e pengojnë atë që unë e quaj komunikim të librit.

Në këtë ndryshim klime jo vetëm letrare, por dhe ndryshime politike, si ka qenë rezultati i krijimtarisë i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni?
Në Maqedoni dhe në Kosovë letërsia atje kishte një lloj censure, por jo aq të ashpër sa në Shqipëri. Atje ishte një censurë tjetër, atje ishte frika se mos përmes librave ngjallej vetëdija e shqiptarëve për një pakënaqësi ndaj pushtetit. Kurse siç e dimë censura, në Shqipëri ishte e një natyre tjetër. Duke e parë në këtë mënyrë, në Prishtinë, letërsia kishte një frymë më të lirë me atë që ndodhte nëpër botë. Edhe pse Kosova ishte si njësi në atë bashkësi federative dhe pse nuk e gëzonte hapësirën e lirisë si e kishte Sllovenia, megjithatë depërtonte ajo frymë demokratike. Në të paktën përkthenim vepra të autorëve që ishin të rëndësishëm në Evropë, që shënonin kthesa. Në Shqipëri konsideroheshin si dekadente. Kjo i dha një frymë tjetër letërsisë.

Në vitet ‘70 pati një hov të madh poezia, pikërisht vitet ‘60 ,’70 ,’ 80 u formua një gjuhë poetike metaforike. Lexuesit, sidomos ata më të dalluarit, filluan që të kuptonin aluzionet e poezisë. U krijua një mënyrë e tillë, u përsos shprehja, u gdhend vargu, fjala poetike dhe lindën 4-5 poetë që janë klasikë, që janë në poezinë tonë si Azem Shkreli, Rraman Dedaj, Din Mehmeti, Ali Podrimja. Po kështu dhe në prozë si në prozën e Anton Pashkut, Zejnullah Rrahmanit, etj. Ne atëherë me etje të madhe lexonim autorë dhe vepra që botoheshin në Tiranë. Pavarësisht se poezia mund të dukej deklarative, ka një patos që proza shkruhej bardhe e zi, me heronj e antiheronj, me formate të realizmit socialist, ne e donim dhe sa herë që depërtonte tek ne një botim i juaji, ne e botonim dhe e ribotonim atje.

 Dhe ky ishte komunikimi i asaj kohe me librin tuaj. Natyrisht siç ishin autorët Dritëroi, Kadareja, Jakov Xoxa, Petro Marko  ne i botonim dhe ata rrëmbeheshin, ishte etja për lexim, po aq sa dhe dashuria për Shqipërinë. Përdornim lloj lloj rrugësh që të shfrytëzonim letërsinë shqipe, shpesh përmes Evropës na vinte ndonjë libër nga Amerika, nga Gjermania. Këtë terminologji ne e krijonim që të mbanim bashkë gjuhën dhe letërsinë shqipe. Shpesh autorët e Kosovës botoheshin në ato rubrikat e letërsisë së huaj. Jo vetëm unë që botoja herë pas here shkrime gati për të gjitha botimet që më binin në dorë, por edhe të tjerët edhe Rexhep Qosja, Rugova, Sabri Hamiti që merreshin me shkrime të kësaj natyre. Që në shkrimet e para kisha një formulë të tillë, që ky krah i letërsisë shqipe, ai krah i letërsisë shqipe, këtë terminologji e përdornim për ta mbajtur bashkë gjuhën dhe letërsinë e këtyre dy vendeve.

Le të shkojmë te lënda e parë e kësaj letërsie, te realiteti politik e shoqëror. Një shtet dykombësh, një shoqëri dykombëshe, një parlament dykombësh, një qeveri dykombëshe një auditor dykombësh, një klasë dykombëshe, një fshat ku bashkëjetojnë dy kombe. Çdo të thotë kjo për Maqedoninë?

Ky është një realitet, por i ngarkuar me shumë paragjykime nga shumica maqedonase. Ende nuk ka atmosferë që këtë realitet ta pranojnë të gjithë dhe të gjitha vështirësitë dalin që këtej. Ky është burimi i të gjithë vështirësive që nuk realizohet marrëveshja e Ohrit, problemet që lidhen me arsimin, me kulturën, me zhvillimet në përgjithësi. Kam parasysh tekstet e botuara si ajo e enciklopedisë dhe tekstet shkollore. Në fillim të vitit të ri shkollor, u pa se tekstet e historisë, natyrës dhe të gjeografisë të hapësirës, ishin me paragjykime, me falsifitete si të enciklopedisë. U bë një zhurmë, nuk i tërhoqën tekstet.

Nuk mundën të bëjnë tekste të reja, para disa ditësh dëgjova ministrin e arsimit ku thoshte se me kujdesin e mësuesve edhe sivjet le të shkojnë ato tekste, s’kemi mundësi që të hartojmë tekste të tjera, pasi duhet kohë, duhen mjete, tendera që zgjasin. Domethënë vazhdimisht tërhiqen nga dukuri të kësaj natyre, që janë prodhim i paragjykimeve, duke nisur nga nivele më të larta të administratës. Nuk ka një bashkëpunim apo një ndërhyrje qëllimmirë nga Shqipëria, në mënyrë që tekstet që janë nga kultura jonë shpirtërore si letërsia, historia duhet të jenë tekste të përbashkëta. Nuk ndërmerret asgjë në këtë fushë, në këtë rrafsh nga shtetet. Në këtë mënyrë ne vazhdojmë të kemi laramani tekstesh, laramani kulturash, qëndrimesh, laramani vlerash, kemi shumë për të bërë.

Si mendoni nga buron kjo gjendje e palës shqiptare, se shqiptarët janë plot temperament dhe më shumë grinden ndër vedi, se sa me të tjerët?
Unë jam munduar që ta gjejë arsyen përse, madje sa ka qenë ministri i Arsimit që bashkëpunoja mirë dhe që e vlerësoja, Aziz Pollozhani, në Maqedoni, ai provoi disa herë që të vërë disa kontakte dhe të bëjë diçka. Përshtypja ime është që mund të pleksen shumë arsye. Këto fusha që përfshijnë, kulturën dhe arsimin, këto që janë të një sfere të vlerave shpirtërore, nuk kanë vëmendjen e duhur nga pushtetarët për të mos thënë se i konsideron të parëndësishme dhe i lënë në periferi fare.

Një shtet që nuk di që ta kultivojë vlerën shpirtërore, besoj se është një pushtetar pa vizion për kombin e vet. Do të hakmerret tragjikisht ndonjëherë. Shiko se ç’bëjnë maqedonasit në botë, ka një gjysmë shekulli që në botë e njohin përmes kulturës, por ata shpenzojnë mbi një milion euro për dy manifestime kulturore “Vera e Ohrit” dhe “Mbrëmjet strugane të poezisë”. Vjet shkova, në hapje në Ohër ishte një këngëtare e madhe, një Nensi amerikane, që vetëm ajo i kushtoi 200 mijë euro atij festivali. Ata kishin një projekt ku botuan 130 vëllime që i quajtën klasikë, shkrimtarë maqedonas dhe që janë në proces të përkthimit në gjuhë të huaja. Ata përkthejnë kolanën e krejt nobelistëve të botës, kryevepra të botës, domethënë bëjnë manifestime pompoze që zgjasin një muaj si “Vera e Ohrit” ku vinë nga fusha të ndryshme artistë të formatit më të lartë botëror, teatro,orkestra instrumentalistë.

Kanë qenë vjet tre tenorët shqiptarë, parvjet ka qenë Eda Zari, 30 ditë atje vinë teatro dhe ansamblet më moderne që konsiderohen si avangarde e atij arti skenikë, filma, domethënë një popull gati gati pa identitet, e njeh bota që ju mungojnë vlera shpirtërore. Politikanët thonë që të mos merremi me kulturë, pasi ajo nuk është e rëndësishme është e kotë që ta shtrosh këtë problem, pasi 24 orë i ke ekranet dhe gazetat të mbushura me politikë.

Sherre midis shqiptarëve dhe maqedonasve që shkojnë deri te terrori nga ana e maqedonasve, sherre midis shqiptarësh që shkojnë më së paku në fyerje mes njëri-tjetrit. Si e shpjegoni këtë?

Sherret midis shqiptarëve janë pyka të futura nga maqedonasit duke i grindur, duke i përçarë, ata vazhdojnë të dominojnë të realizojnë projekte të veta, për shembull ka raste në Universitetin e Tetovës ka 5-6 vite që nuk bëjnë dot një ndërtesë dhe 10 mijë studentë rrinë nëpër bodrume dhe nuk kanë klasë dhe ata nuk ndajnë buxhet. Kërkonin 5-6 milion euro që të bëjnë një ndërtesë për të qenë. Ata shpenzojnë 200 milionë euro me ato figurat e rilindësve të vet, me Aleksandrin, me luanët nëpër ura, gjithashtu po bënin një portë triumfale si të Parisit, derdhin pare, që janë shumica e ekonomistëve, thonë që një përqindje të madhe e atyre parave derdhen nga diaspora shqiptare. Kjo është e vërteta. Tash duke u grindur mes vedit shqiptarët, duke hapur dosje, duke u fyer, ata bëjnë punën e vet.

Shqipëria dhe Maqedonia janë aty –aty në pikëpamjen ekonomike dhe në planin ndërkombëtar në ballafaqim me botën. Sa ndikon faktori ndërkombëtar në Maqedoni për modernizimin e realitetit, për ngritjen e jetës shoqërore të paktën pesë shkallë në atë evropiane?

Maqedonia tani duket e lodhur, si rrjedhim i konfliktit që ka me Greqinë. Nuk ka investime, dhe ajo që më dukej kur kam qëndruar në Tiranë në fillim të vitet ‘90, kur shkoja në Shkup më dukej si Evropë Shkupi, tani më duket e kundra, duke e krahasuar me Tiranën, Shkupi po më duket një provincë e keqe. Ajo që para na fyente dhe na nevrikoste, që donin të tregonin dobësinë e vet thoshin : ja jemi bërë si Shqipëria, kështu në fusha të ndryshme. Intelektualet maqedonas kanë filluar të binden në inferioritetin e vet në të gjitha fushat kjo është një si të thuash një tregues e mirë dhe ajo që mbetet është paragjykimi.

 Ne duhet të bëjmë një shtet bashkë atje sepse jemi aq sa jemi, po nuk mund të na abstragojë askush po ta hapësh këtë atje, ata më me qeft do kishin dashur të ishin me Serbinë edhe pse i fyen dhe pse i ofendoi edhe pse s’ua pranoi kishën, dhe pse nuk iu pranon shumëçka, përsëri ajo fryma e tyre krejt janë atje. M’u duk i sinqertë ish-kryeministri i Maqedonisë, Gjeorgjeski, i cili ishte në një emision të drejtpërdrejtë ku tha se serbizmi aty ka ngulur këmbët është ulur këmbëkryq, ku të dielave në ç’do dasmë, në lagjet e Shkupit do të shihni absolutisht vetëm muzikë serbe. Ndaj nesh ata kanë më shumë shovinizëm, gjë që nuk e kanë shqiptarët. Ne kemi më shumë revoltë, moskënaqësi, si të thuash, por nuk kanë urrejtje sidomos siç është Shqipëria që kanë filluar të binden kur iu themi se Shqipëria nuk e njeh seç është shovinizmi, nacionalizmi, ç’është urrejtja ndaj të tjerëve. Është një proces që po binden, por nuk e pranojnë me qejf.

Si ndikon kjo lëndë e parë, për të cilën ne folëm, në letërsinë e krijuesve shqiptarë në Maqedoni, por dhe në letërsinë e krijuesve të maqedonasve, a ka ndryshim qoftë në qëndrim, pasion apo në nivel artistik midis këtyre dy lloje letërsish të një vendi, të një shteti mund ta quajmë?

Është një pjesë e shkrimtarëve të mirë që nuk kanë ngarkesa, që kanë qeft ta njohin letërsinë shqipe. Unë kam punuar në një projekt me një poet të madh që vdiq para dy vjetësh, Ante Popovskin, kur përkthyem atëherë katër autorë. Poetin Fatos Arapin, Dritëroin dhe Kadarenë, etj. Visarin, filluam të përkthenim Bardhylin, po e lamë përgjysmë, pasi ai vdiq. Kadareja është i përkthyer në gjashtë vepra ata e dinë që Kadareja nuk është vetëm, dhe kjo të krijon një ndjenjë të mirë pasi ju vetë e keni përjetuar si shkrimtarë nëpër Evropë, ju ndjeheni mirë që jeni si përfaqësues i tij. Dhe ata kanë filluar të sillen kështu duke më pranuar dhe mua në akademinë që para disa vitesh unë nuk guxoja të shkoja atje, më kërkuan që unë të bëja një libër “Donkishotizmi shqiptarë”, bëra shtatë a tetë autorë që nga De Rada dhe këtej dhe e bëra maqedonisht sepse e kërkuan me këmbëngulje.

Unë ju thosha se shkruaj për letërsinë që botohet, shkruaj recesione për këto shkrime. Ato vepra nuk i njeh lexuesi nuk di ç’kuptime ka që të botoj tekste për shkrime që nuk janë. Unë e bëra diçka të tillë dhe u prit shumë mirë dhe u botua në tirazh të madh dhe ka pasur promovime shumë të suksesshme dhe jehona që bëri, nxiti kërshërinë dhe në Bullgari në këtë mënyrë u përkthye dhe atje. Vjet më ftuan, më bënë një përurim shumë të mirë në Sofie në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ka filluar një zhvendosje edhe e ngarkesave të tyre që nuk është vetëm Tirana si qytet Evropian, që është metropol krahasuar me ta, po binden se ashtu është dhe letërsia, është një proces i tillë.

Në ç’veprimtari krijuese jeni përfshirë ju gjatë këtyre ditëve?

Unë tani e botova një libër te Toena me një shtesë, pasi më mungonin disa autorë si Dritëroi, Kim Mehmeti, Zija Çela, i cili më mbeti përgjysmë... Kjo do të thotë se për çdo vit do ta pasuroj këtë libër me dy ose tre autore të tjerë. Pasi është histori e letërsisë e shkruar si ese. Kam punuar gjithë këtë vërë në këtë projekt. Librat e radhës që mbërrij t’i lexoj sa më shumë që po plakem, aq me më ngadalë i lexoj. Shpesh janë shumë libra që i vë në komedinë që t’ju vijë radha për t’i lexuar.