e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Skema per denimin e 'vrasesit' te Konomit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Skema per denimin e 'vrasesit' te Konomit
Prokuroria e Përgjithshme ka urdhëruar njësitë e Task-Forcës së Durrësit dhe Tiranës që të mbledhin çdo informacion për konfliktet e pronave në Hamallaj, të cilat janë pista kryesore e hetimit të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Plani i akuzës qendrore është hetimi i “vrasësve” të gjyqtarit për falsifikim dokumentesh dhe mbivendosje pronash. Në pamundësi të gjetjes së provave bindëse që kanë çuar urdhërimin e ekzekutimit të Konomit, prokuroria ndërmerr hapin e dytë, duke dashur që në njëfarë mënyre “autorët” e mundshëm të mos dalin “pa lagur”. Ndërkohë, puna në “terren” për mbledhjen e këtyre dosjeve dhe materialeve për problemet e pronave në Hamallaj ka filluar me shpejtësi, aq sa Prokuroria e Tiranës mund të bëjë një bilanc paraprak për këtë çështje, ku pritet që të merren edhe personat e parë të pandehur. I pari që mund të vihej nën akuzë, është përfaqësuesi i një familje që trashëgon prona në Durrës, i cili përgjatë katër viteve të fundit ka kryer çdo padi apo çdo denoncim për këto prona.

Në fokusin e akuzës kryeqytetase është sërish prona prej 275 hektarësh, ku personi në fjalë disponon edhe dokumente se kjo pronë është e Toptanasve dhe jo e Shallavarëve. Akuza thotë se po kryen verifikimet paraprake, ndërsa ka filluar marrja e personave në pyetje. “Jemi në fazën e mbledhjes së provave. Kemi përfunduar marrjen e dokumenteve nga AKKP-ja dhe tashmë jemi duke marrë dëshmitë njerëzore për këto probleme”, thanë burimet nga akuza kryeqytetase, të cilat saktësojnë se shumë shpejt do të merren edhe personat e parë të pandehur, ku nuk përjashtohen as zyrtarët e AKKP-së.

Duket se plani i akuzës qendrore po funksionin, të paktën vetëm për hetimin e problemeve të pronave, pasi gjetja e gjurmëve apo telefonatave që kanë urdhëruar vrasjen e Konomit është shumë e vështirë. Institucionet parandaluese të krimit, policia dhe SHISH-i, nuk kanë pasur asnjë informacion për këtë ngjarje, ndërsa tashmë janë kryer një sërë teknikash që të çojnë te provat, por ende asnjë rezultat.

Disa ditë më parë, hetuesit dhe prokurorët e Krimeve të Rënda, që formojnë grupin hetimor të vrasjes së gjyqtarit Konomi, kanë kryer disa verifikime në qytetin e Vlorës. Në fokusin e tyre ka qenë shoqërimi i disa të dyshuarve dhe marrja e tyre në pyetje. Megjithatë, ende asnjë e dhënë për vrasjen. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se tashmë puna po përqendrohet te zbardhja e mekanizmit të shpërthimit, ku pritet rezultati i laboratorit kriminalistik të Ministrisë së Brendshme. Në këtë zyrë janë dërguar një sërë provash të marra nga vendi i ngjarjes, si disa copa të tritolit e disa pjesë të automjetit që udhëtonte Konomi. Akuza thotë se ende nuk ka marrë raportin përfundimtar, ndërsa pritet që të kryhet edhe një ekspertim i ri i automjetit.