e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Skandali i basteve, zbardhet biseda qe implikon Kuzhene

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skandali i basteve, zbardhet biseda qe implikon Kuzhene
Biseda telefonike është zhvilluar në pasditen e 24 majit të 2011, midis Marko Karamberis, kreu i një prej katër organizatave kriminale të zbuluara dhe një bashkëpunëtori të tij, i quajtur Pano, me pseudonimin “Portugezi”. Sipas materialit që disponon policia greke, pjesë e këtij trukimi është vetë trajneri i Kombëtares shqiptare, në dy ndeshjet miqësore që ka luajtur ekipi ynë përfaqësues në vitin e kaluar, me Argjentinën dhe Malin e Zi.

Rrjeti duket se kishte informacion të menjëhershëm për rezultatet e ndeshjeve nga një person i ashtuquajtur “Shkupiani”. Ai, jo vetëm dinte se kush do të fitonte, por dinte edhe rezultatin e saktë të takimeve. Kreu i rrjetit, në bisedën e zbardhur telefonike, thuhet se ka qarkulluar të paktën 40 milionë euro në veprimtaritë e tij të paligjshme si dhënien e parave hua me kamatë deri në 80%, pastrimin e parave dhe skedinat e basteve. Vetëm në llogarinë e tij bankare thuhet se janë gjetur të paktën 5.5 milionë euro, që vlerësohet se janë fituar nga bastet e ndeshjeve të trukura. Burime policore bëjnë me dije se këta persona kishin lidhje edhe me dy ish-presidentë klubesh të futbollit në Greqi, të cilët janë arrestuar me akuzat e trukimit të ndeshjeve në kampionatin grek të futbollit. Më poshtë janë pjesë të zbardhura nga bisedat telefonike:

Markos Karamberis – Po!
Portugezi - Marko çfarë po bën?

Markos Karamberis – Mirë! Kush je ti?
Portugezi – Mirëmbrëma! Jam Pano, Portugezi.

Markos Karamberis - Eja Pano.
Portugezi - Si kalon?

Markos Karamberis - Mirë shoku. Më thuaj?
Portugezi - Mos të shqetësoj?

Markos Karamberis - Jo mor vëlla jo.
Portugezi - Nesër besoj…fola me “Shkupianin” dje në mbrëmje.

Markos Karamberis - Po, po…
Portugezi - Nesër ka kampionat të Zvicrës, kategoria e parë dhe e dytë.

Markos Karamberis - Po.
Portugezi - Do të kemi një informacion të mirë dhe besoj se nesër ka dhe një ndeshje për Kupën e Bullgarisë.

Markos Karamberis - Aaa…
Portugezi - Luan CSKA me Sllavian, kanë diferencë të madhe dy ekipet dhe jep tek njëshi 1.45.

Markos Karamberis - Pra do të fitojë CSKA-ja.
Portugezi - Do fitojë besoj…kanë diferencë të madhe. Unë i kam parë të dyja ekipet, kanë ndryshim të madh në fushë. Është si të luajë Panathinaikosi apo AEKU, PAOKU me një ekip të mesëm si p.sh. Asteras Tripolis.

Markos Karamberis – Kuptova. Kjo na intereson.
Portugezi - Kam nesër edhe tre-katër ndeshje të tjera.

Markos Karamberis - Më merr veçse nesër, qysh herët të më thuash, diku nga ora një apo dy, para se të fillojnë ndeshjet.
Portugezi - Jo nuk do të të marr para ndeshjes, do të të marr dy orë para.

Markos Karamberis - Mirë shoku. Në rregull.
Portugezi -Po tjetër ç’kemi....aaa … harrova të të them…

Markos Karamberis – Po.
Portugezi - Fola me trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë.

Markos Karamberis - Po...
Portugezi - Sigurisht. Natyrisht ai më mori vetë. Kishim ca kohë pa folur. Më tha ç’bëhet etj...i them të kërkoja të dielën se kisha një ndeshje të të jepja dhe nuk munda të të gjej, që ta kapje...Më thotë, po pse si do e bëje...e nejse…dhe i them...Ç’bëre ndonjë gjë me ndonjë miqësore? Më thotë: Luajmë miqësore në qershor në Argjentinë.

Markos Karamberis - Po.
Portugezi - Po, shkojnë të luajmë në Argjentinë, por në gusht më thotë do luajmë me Malin e Zi në Tiranë. Aty, më thotë, mundet të bëjmë çfarë të duam.

Markos Karamberis - Mirë, mirë shoku.
Portugezi - Aty mund të luajmë shumë fort Marko.

Markos Karamberis - Mirë shoku. Pra do më thuash nesër për ato, sepse do iki nesër, ose më mirë eja këtej nesër, se do iki të enjten në Athinë, kështu që të flasim në telefon, kështu?
Portugezi – Mirë. Nesër në çfarë ore udhëton?

Markos Karamberis - Unë iki të enjten në orën tetë.
Portugezi - Mirë do kaloj nesër aty.

Markos Karamberis - Në rregull shoku. Të faleminderit.
Portugezi- Hajde shëndet!