Si u përjetua sfida, Bajerni stresoi Trezegenë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga Mynihu, ALTIN VORPSI
Allianz Arena" dhe Bajerni i Mynihut e kanë bërë edhe më tërheqës për sportdashësit kryeqyendrën e Bavarisë. Impianti i inauguruar në vitin 2006 është sigurisht një atraksion më vete për turistët e shumtë, të cilët, edhe pse nuk mbështesin ekipin e parë të qytetit, nuk ngurrojnë që të provojnë emocionet që dhuron një ndeshje brenda arenës së famshme.
Por, në vitet e fundit, zhvillimi ekonomik, i cili është ndjekur edhe nga ai sportiv te Bajerni, ka pasur mjaft ndikim te Mynihu. Qyteti në fjalë, mesjavave vizitohet prej qindra sportdashësve, të cilët udhëtojnë drejt Bavarisë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës.
Marketingu
Për të shpjeguar rritjen ekonomike të Bajernit të Mynihut, mjafton të shikosh numrin e "fanshop"-eve të famshme. Në aeroportin e qytetit (ndodhet 30 minuta larg qendrës) gjendet dyqani i parë ku ka një shumëllojshmëri aksesorësh që janë "targuar" me stemën dhe ngjyrat e klubit. E njëjta gjë ndodh edhe në qytet ku në disa zona ndodhen dyqanet e famshme që tregtojnë gjithçka të "ngjyrosur" me të kuqe.
Sulmi juventin
Ndërsa në prag të takimit Bajern-Juventus prezenca italiane filloi të ndihej të martën në mesditë. Numri i tifozëve të Juventusit ishte i konsiderueshëm, pasi përveç avionit ata kishin preferuar që të udhëtonin edhe me makinat e tyre (me veturë distanca Torino-Mynih përshkohet për rreth 6 orë, ndërsa tifogrupet e organizuara mbërritën në Mynih duke paguar një biletë prej rreth 50-60 eurosh).
Epitetet
Kalimi i orëve, përveçse rriti ndjeshëm numrin e tifozëve italianë, u shoqërua edhe me rritjen e nivelit të alkoolit në gjak. Grupime italianësh nisën të ofendonin në mënyrën e tyre vendasit. "Mangia crauti" (kraut është lakra e bardhë, konsumohet gjerësisht në Gjermani) ishte term (negativ) që u përdor më shumë prej italianëve. Përveç ironisë mes pritësve dhe ti " fozëve të Juventusit nuk ndodhi asgjë tjetër. Ditën e takimit, "Marienplatz" (qendra kryesore e Mynihut) u popullua nga grupime të ndryshme tifozësh që kishin udhëtuar nga Italia për të ndjekur skuadrën tyre të zemrës.
Organizimi
Ata u lejuan që të qëndronin në qendër gati katër orë përpara se të fillonte takimi. Pasi hodhën flakadanë (në stadiumet gjermane nuk lejohet përdorimi i tyre) në "Marienplatz" tifozët e Juves iu drejtuan stadiumit. Përveç impiantit modern në Mynih, jetën e një tifozi ia lehtëson shumë edhe transporti publik. Falë metrosë (në Gjermani quhet "U-Bahn", bileta ditore për të qarkulluar në zonën e qendrës kushton 6.4 euro), "Allianz Arena" është vetëm 25 minuta larg qendrës të qytetit.
Tregu i zi
Edhe pse mund të duket e habitshme, rreth impiantit modern ku luan ndeshjet Bajerni i Mynihut policia vendase nuk ka mundur që të shmangë shitjen e biletave në treg të zi. Që do të thotë se edhe për tifozët, të cilët nuk pajisen në kohë me bileta, ekziston një shans i fundit duke i blerë ato në hyrje të impiantit.
Ultras dhe të moderuar
Brenda stadiumit ka nga të gjitha llojet. Tifozë gjermanë që ofendonin "Zonjën" në italisht dhe elektrizoheshin sa herë që topin e zotëronte Riberi. Ndërkohë që me kore jo më pak të moderuara i drejtoheshin tifozët e Juves atyre gjermanë prej sektorit të tyre. Mes tyre ndodheshin edhe të moderuarit, në pjesën VIP të "Allianz Arena"-s atje ku qëndronin bashkë mbështetës të Juves dhe Bajernit.
Sigurisht që në ato shkallë emocioni nuk "tradhton" lehtë askënd... me përjashtim të David Trezegesë. Ish-sulmuesi i Juventusit ndoqi pesë minutat e fundit të kohës së rregullt dhe një pjesë të mirë të kohëve shtesë në këmbë. Vuajtjet e minutave të fundit të Juves në fushë reflektoheshin edhe te tifozët e tjerë të ekipit italian, të cilët pak para mesnate konsumonin kafe pa pushim. Ndërsa "homologët" e tyre gjermanë, siç kishin numrin e golave që po shënonte Bajerni, gjithashtu kishin humbur edhe llogarinë e numrit të gotave të "glühëein"-it (verës së nxehtë).
Largimi
Dalja nga stadiumi është pjesa më e dhimbshme për çdo tifoz të ekipit që humb. Distanca që përshkruhet nga dalja e stadiumit deri në metro është e konsiderueshme dhe u mjafton të gjithëve për të "qarë" rastet e humbura nga beniaminët respektivë.