Shtubina beson te surpriza: Në Korçë përsërisim vitin 2013
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Për kapitenin e skuadrës së Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, ndeshja ndaj Skënderbeut është thjesht takimi i radhës, pavarë- sisht se luhet ndaj pesë herë kampionëve të vendit.
Mesfushori shprehet se edhe një barazim është i pranueshëm në këtë përballje mjaft të vështirë, por nga ana tjetër nuk e mohon mundësinë e një tjetër surprize për kundërshtarët njësoj si tre vite më parë.
"Po vazhdojmë përgatitjet për takimin e fundjavës që luajmë ndaj Skënderbeut në transfertë dhe e dimë se nuk do të jetë aspak e lehtë. Luajmë përballë pesë herë kampionëve të vendit, që këtë sezon kanë si objektiv të marrin të gjashtin.
Megjithatë, ne nuk mund të themi se është një ndeshje e pamundur për t'u kaluar me sukses nga ana jonë, edhe pse ka një koeficient vështirësie të lartë. Ne luajmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin, por në Korçë edhe barazimi na kënaq pa masë.
Një pikë e marrë ndaj kampionëve do të vlente për moralin e ekipit në radhë të parë, por edhe për pozicionin që kemi në tabelën e klasifikimit", tha Shtubina, i cili kujton edhe fitoren e para tre viteve.
"Situata është pothuajse e njëjtë si tre vite më parë, kur askush nuk besonte se do të arrinim të fitonim në Korçë, pasi ndodheshim në pozita të vështira në renditje, por ne fituam. Ndryshimi është se këtë herë skuadra është moral të lartë dhe në futboll kurrë nuk mund të thuhet kurrë", tha kapiteni kuqeblu.
Situata - Pas tri fitoreve rresht të arritura në kampionat, Vllaznia po kalon një moment mjaft të mirë. Trajneri Cungu e ka të gjithë skuadrën e plotë, me përjashtim të Arbrit, që e ka mbyllur sezonin. "Gjendja e ekipit është shumë e mirë.
Rezultatet pozitive të njëpasnjëshme na kanë bërë që të besojmë te forcat tona. Kjo situatë duhet që të shfrytëzohet nga ana jonë. E kam theksuar edhe më parë se kampionati nuk ka përfunduar për ne, pasi ka shumë ndeshje përpara dhe diferenca me ekipet e tjera që kërkojnë mbijetesën nuk duhet të konsiderohet e madhe.
Duhet të vlerësojmë maksimalisht të gjithë kundërshtarët në mënyrë që të sigurojmë sa më shpejt mbijetesën në Superiore. Në asnjë moment, nuk duhet t'i krijojmë bindje vetes se kemi shpëtuar", ka mbyllur Shtubina. Ndërkohë, trajneri Cungu është duke menduar për formacionin me të cilin do të luajë nga minuta e parë ndaj kampionëve në fuqi