e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiperia me media pjeserisht te lire , ngjit 11 vende ne renditje

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiperia me media pjeserisht te lire , ngjit 11 vende ne renditje
Organizata Freedom House vlerëson se Shqipëria ka shënuar përparim, sidomos me dekriminalizimin e shpifjes përgazetarët. “Po ashtu, ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve që mbulojnë ngjarje, dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm”.

Organizata Freedom House nxori dje indeksin për lirinë e shtypit në botë, ku Shqipëria dhe Kosova përsëri radhiten në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë. Sipas raportit, Shqipëria ka shënuar përparim, ndërsa Kosova ka shënuar një hap prapa. Rezultati i Shqipërisë është 49, dy pikë më lart nga 51 vitin e kaluar, në një shkallë ku 0 është rezultati më pozitiv dhe 100 më negativi. Për sa i takon renditjes së vendeve, Shqipëria është e 96-ta mes 197 vendesh, në krahasim me vendin e 107-të të vitit të kaluar. Rezultati për Kosovën është po 49, por në renditjen e vendeve është e 102-ta në krahasim me 98 vitin e kaluar. Drejtorja e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar foli për gjetjet kryesore për Shqipërinë dhe Kosovën në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Cilat janë përfundimet kryesore për Shqipërinë në raportin e këtij viti?

Në renditjen e këtij viti pamë një përmirësim për Shqipërinë. Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive që kemi vënë re është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën legale. Mendoj se kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias.

Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë dhe disa nga problemet në këtë drejtim janë bërë pjesë e sistemit. Cilat mendoni se janë sfidat kryesore për median në Shqipëri?

Ka klauzola ligjore dhe rregullatore që ende nuk përputhen me standardet ndërkombëtare, megjithëse siç e thashë, eliminimi i dënimit me burg për shpifje ishte një hap pozitiv, një lëvizje në drejtimin e duhur. Po ashtu ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve që mbulojnë ngjarje dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Po ashtu ka shqetësime për anën ekonomike, për sa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si edhe njëanshmërisë së tyre. Por, në përgjithësi rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor.

Një nga sfidat e përmendura për Shqipërinë janë, siç sugjeruat ju, varësia ekonomike, por edhe lidhjet mes medias, biznesit dhe politikës. Cilat mendoni se duhet të jenë hapat për përmirësim në këtë drejtim?

Është vërtet një shqetësim që ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe është problem jo vetëm për Shqipërinë por edhe për shumë vende të tjera në rajon. Kjo është diçka relativisht më e vështirë për t’u ndrequr. Shpesh ligje si ai për lirinë e informimit, apo ai për shpifje, janë më të lehta për t’u ndryshuar, ndërsa aspekti ekonomik është më i vështirë për t’u zgjidhur. Një aspekt i rëndësishëm është që të ketë një nivel transparence për pronësinë e medias, që njerëzit të jenë në dijeni të këtyre lidhjeve.