e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia, humbje dramatike ne Rumani

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia, humbje dramatike ne Rumani
Përfaqësuesja shqiptare e basketbollit ka pësuar humbjen e shtatë, në po kaq ndeshje të luajtura në eliminatoret e Kampionatit Europian. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 79-78 (20-16, 21-23, 23-18, 15-21) në Rumani dhe mbeten në vendin e fundit të Grupit B, në Divizionin B. Një disfatë dramatike, mbi të gjitha për faktin se skuadra e drejtuar nga trajneri Fatmir Cuka kishte shansin që të regjistronte fitoren e parë, por ëndrra u venit në sekondat e fundit të takimit.

Rumania përfiton nga faktori fushë dhe fiton periodën e parë të takimit 20-16. Por, Shqipëria ka dhënë shenja jete në periodën e dytë, duke fituar me shifrat e ngushta 23-21 dhe duke i çuar skuadrat në pushim me rezultatin 41-39 për rumunët. Edhe perioda e tretë ka folur për vendasit (23-18), që janë treguar më të saktë në sulmet e tyre. Por, të udhëhequr nga Franko Bushati në formë të shkëlqyer me 24 pikët e tij, si edhe falë 20 pikëve të Ermal Kuqos, Shqipëria ka dominuar periodën e katërt të sfidës. Kuqezinjtë ngritën ritmin e lojës, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë koshave të kundërshtarëve. Drama ka ndodhur kur mungonin vetëm 2 sekonda nga fundi i sfidës dhe kishin shansin të fitonin. Me rezultatin të fiksuar në shifrat 79-78 për Rumaninë, Eni Çuka, lojtari shqiptar që kishte rikuperuar më tepër topa nën tabelë (8), fitoi të drejtën e ekzekutimit të dy goditjeve të lira. Por, ai nuk arriti të përballonte presionin dhe i shpërdoroi të dyja goditjet, duke i “dhuruar” fitoren rumunëve.

Me paraqitjet e dobëta në eliminatoret e Kampionatit Europian, Shqipëria qëndron në pozita mjaft të këqija në kuadër të shortit për Euro 2013. Kjo, për faktin se duke nisur nga edicioni i ardhshëm, ndeshjet kontinentale nuk do të luhen më me dy Divizione (A dhe B), si ndodh aktualisht. Në shortin e kampionatit të ardhshëm, skuadrat do të shpërndahen në vazo në bazë të renditjeve të tyre dhe për kuqezinjtë projektohet një vend mes ekipeve më të dobëta.