e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shqiperia, gati nje miqesore me Irlanden e Trapatonit?

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiperia, gati nje miqesore me Irlanden e Trapatonit?
Federata Irlandeze e Futbollit ka konfirmuar mundësinë e zhvillimit të një miqësoreje me Kombëtaren shqiptare, e cila pritet të luhet në kampin stërvitor të Montekantit në Itali. Data e miqësores nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, por pritet të luhet më 30 maj, ose rreth kësaj date. Kjo do të ishte përballja e pestë mes Irlandës dhe Shqipërisë, dhe e para miqësore në historinë e dy përfaqësueseve. Katër ndeshjet e mëparshme kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “SHBA 1994″, ku ishullorët fituan 2-0 në Dublin, por siguruan dhe një fitore 2-1 në Tiranë mes shumë vuajtjesh.

Në “Qemal Stafa” u desh një ekzekutim perfekt i një goditjeje dënimi e Toni Kaskarinos për të vendosur ekuilibrat në fushë vetëm 12 minuta nga fundi i lojës. Dy ndeshjet e tjera janë luajtur në prill të vitit 2003 në Tiranë (0-0) dhe në qershor të po këtij viti, kur kuqezinjtë u mundën 2- 1 në Dublin. Presidenti i FI-së, Xhon Delanej, sqaroi se Irlanda nuk do të kishte asnjë përfitim ekonomik nga miqësorja, por preferoi të ndeshej me të besuarit e De Biazit në vend të një miqësoreje me një skuadër lokale të Serisë C. Xhovani Trapatoni dëshironte një ndeshje ku të mund të shihte në aksion lojtarët që nuk do të luajnë në miqësoren me Bosnjën në Dublin, më 26 maj. Testi me kuqezinjtë do të jetë i parafundit për britanikët përpara Evropianit. Kolaudimi i fundit do të bëhet në Budapest, në ndeshjen me Hungarinë më 4 qershor. Konfirmimi i datës së saktë të Irlandë-Shqipëri, sipas Delanej, do të bëhet në ditët në vijim, pasi kjo i është lënë në dorë Trapatonit. Ai sqaroi se tekniku do ta shpallë listën 23-emërorëshe që do të shkojë në Poloni dhe Ukrainë më 7 maj. Shqipëria prej kohësh është në kërkim të një kundërshtari në fund të muajit maj, pasi trajneri italian i kuqezinjve, Xhani de Biazi, kërkon të testojë skuadrën. Deri tani, nën drejtimin e tij përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar vetëm një ndeshje, atë kundër Gjeorgjisë më 29 shkurt, ku përfaqësuesja humbi me rezultatin 2-1.

Prodani: Po bisedojmë, asgjë zyrtare

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka pohuar faktin se federata jonë ka pasur kontakte me palën irlandeze, por nuk ka dashur që të nxitohet. “Ne kemi kontakte me federatën irlandeze dhe bisedimet kanë shkuar mirë deri tani, por të shohim. Nuk kemi asnjë marrëveshje zyrtare deri në këtë moment që flasim dhe nuk duhet të ngutemi, sepse jo gjithçka është në dorën dhe vullnetin tonë”, – ka thënë numri 2 i federatës. Prodani deklaroi gjithashtu se shpreson që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt, që të nisin edhe përgatitjet.

NDESHJET ME IRLANDËN

26.05.1992, Dublin
Irlandë – Shqipëri 2-0

26.05.1993, Tiranë
Shqipëri – Irlandë 1-2

02.04.2003. Tirana
Shqipëri – Irlandë 0-0

07.06.2003, Dublin
Irlandë – Shqipëri 2-1