Shqipëria e injoron, por Muriqin e do Fenerbahçe
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vedat Muriqi vijon të jetë një prej sulmuesve më të kërkuar të kampionatit turk.
Edhe pse nuk luan në Superligën vendëse, por te Giresunspori në Ligën 1, ai po ndiqet nga skuadrat më të famshme turke.
Portali "aksam.com.tr" raportonte dje se sulmuesi shqiptar kërkohet me çdo kusht nga Fenerbahçe, por problem mbetet shifra e lartë që kërkon klubi i Giresunsporit.
Për shtatlartin e lindur në Prizren interesohen edhe disa klube të tjera të Superligës turke, mes tyre Koniaspori, ku aktivizohet aktualisht fantazisti Alban Meha. Drejtuesit e Giresunsporit duan të fitojnë minimalisht 4 milionë euro nga shitja e 21-vjeçarit. Edhe pse prej dy vitesh ai po shkëlqen në këtë skuadër, i çuditshëm është fakti se as Kombëtarja U-21, por edhe as Përfaqësuesja A, e drejtuar nga Xhani De Biazi, nuk e kanë pasur në plane bomberin kosovar. Muriqi u afirmua fillimisht në kampionatin shqiptar, ku debutoi me fanellën e Teutës dhe, më pas, luajti për një periudhë të shkurtër te Besa e Kavajës.
Në 25 ndeshje të kampionatit të Ligës 1 turke të këtij sezoni, sulmuesi ka arritur të shënojë 16 gola, duke qenë i dyti në renditjen e golashënuesve. Të dhënat e qendërsulmuesit dhe për më tepër mosha e tij e re, e bëjnë një prej lojtarëve që synohet nga shumica e skuadrave më të mëdha turke. Gjasat janë që në verë ai të transferohet te klubi i njohur, Fenerbahçe.