e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiperia do t’i paguaje 28.5 mln leke sheikut te dyshuar per terrorizem

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiperia do t’i paguaje 28.5 mln leke sheikut te dyshuar per terrorizem
Shteti shqiptar duhet ti paguajë 28.5 milionë lekë të reja një kompanie që dyshohet se ka financuar terrorizmin botëror dhe se ka lidhje me al Qaedën. Bëhet fjalë për kompaninë e sheikut arab Yasin Kadi, i cili ka fituar gjyqin civil kundër Komunës së Kasharit. Gjykata i ka dhënë të drejtë firmës “Loxhall” sh.p.k. për zaptimin e 513 metrave katrorë tokë gjatë ndërtimit të një rruge në komunën Kashar.

Sipas vendimit me nr. 4902, të firmosur nga gjyqtarit Arben Konstandini, komuna duhet të paguajë në llogaritë bankare të kompanisë “Loxhall” sh.p.k. me pronar sheikun Yasin Kadi për marrjen e 513 metrave katror nga prona e sheikut dhe për prishjen e murit rrethues të kësaj prone. Sipas certifikatës së pronësisë me nr. 369/20, ZK 3866 të lëshuar me 21 Dhjetor 2000 nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, sheiku Yasin Kadi është pronar i një sipërfaqe toke prej 22 mijë metra katror që ndodhet e rrethuar në Yzberisht të Tiranës. Komuna e Kasharit në mesin e vitit 2006, në kuadër të rikonstruksionit të rrugës Yzberisht – “KMY” nuk ka njoftuar pronarin e pronës për marrjen e masave të prishjes së objektit, konkretisht murit rrethues të kësaj prone si dhe për marrjen e një pjesë të kësaj toke për ndërtimin e trotuarit të rrugës.

Në lidhje me këtë çështje komuna e Kasharit është shprehur: “të gjithë pretendimet ligjore mbi pronën që preket nga rruga do të kompensohen sipas ligjit gjithmonë të vërtetuara”. Në shtator të 2006 përfaqësuesit e pronarit të tokës, janë ankuar komunës së Kasharit për faktin që firma ndërtuese i ka prishur murin rrethues pronës prej 22 mijë metra katror. Në përgjigjen e Komunës, pala paditëse ka marrë njoftimin se do të kompensohet për të gjithë dëmtimet e pronës. Por pavarësisht se prona ishte marrë që në vitin 2006, komuna Kashar nuk e kishte kompensuar pronarin e tokës, sheikun Yasin Kadi. Ky i fundit, me ndihmën e përfaqësuesit të tij në Shqipëri i është drejtuar gjykatës me një padi civile.

Gjykata administroi pretendimet e palëve dhe më pas caktoi një ekspert për këqyrjen, matjen dhe përllogaritjen e dëmit të shkaktuar ndaj pronës së sheikut nga komuna Kashar. Ekspertja ka arritur në përfundimin se pjesa e zënë nga rikonstruktimi i rrugës Yzberisht-KMY është 515.3 metër katror. Për këto dëme gjykata vendosi që komuna Kashar të dëmshpërblejë pronarin e tokës.

Por, nga ana tjetër rezulton se kjo kompani dhe llogaritë bankare të saj janë sekuestruar me urdhër të Ministrisë së Financave me dyshimin se sheiku Yasin Kadi ndodhet në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si i dyshuar për financimin e organizatës terroriste “Al-Qaida”. Pavarësisht se janë të bllokuara, sipas vendimit të Gjykatës, ky dëmshpërblim do të derdhet në këto llogari bankare që administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. a