e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiperia aplikon modelin e BE-se per çertifikatat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiperia aplikon modelin e BE-se per çertifikatat
Shqipëria po aplikon modelin më të mirë të çertifikatave të përdorura sot në vendet anëtare të BE-së dhe të SHBA-së. Ky është qëndrimi i Zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, në lidhje me modelin e ri të çertifikatave personale që po lëshohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në të cilin nuk parashikohet përcaktimi i kombësisë.

“Çertifikatat janë në përputhje me vendimin e qeverisë që është marrë disa muaj më parë. Ai vendim qeverie ka përcaktuar modelin e çertifikatave në përputhje të plotë me të gjitha modelet europiane dhe amerikane të çertifikatave, ku vendoset shtetësia. Ky është formati i çertifikatave. Nuk ka asnjë konotacion me çështjet që diskutohen dhe do doja që të rrinim larg këtij diskutimi dhe t’i shikonim ato si dokumenta zyrtare që vërtetojnë shtetësinë e shtetasve shqiptarë dhe cilësitë e tjera të gjendjes civile që janë të përshkruara në pasaportë më së miri ”, tha zoti Poni.

Zëvendësministri Poni sqaron se modeli i ri i çertifikatës personale të shtetasve ka nisur të prodhohet me 23 maj, ndonëse duhet të kish nisur që me 1 Maj. Dokumentat shqiptare të identifikimit janë vlerësuar për sigurinë e tyre edhe në një takim ndërkombetar të zhvilluar në SHBA.

“Me dokumentat e identitetit ne jemi shumë më mirë se sa pritshmëria. Kjo u konstatua edhe në një aktivitet botëror që ishte konferenca botërore e përdoruesve të identitetit, e zhvilluar në Uashington”, tha zoti Poni.

Pak ditë më parë zyrtarë të qeverisë greke reaguan duke e konsideruar mospërfshirjen e kombësisë në çertifikatën e shtetasve shqiptarë si nje presion të ushtruar ndaj qeverisë nga qarqe nacionaliste, raportoi AS.