Shqiperia, ajo qe zhgenjen sa here qe i duhet fitorja
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani De Biazi nuk do të ketë bërë një natë të qetë pas humbjes në Islandë, sidomos pasi trajneri italian tani nuk është më i sigurt se në Tiranë e pret një kontratë e re. Shpërbërja absolute e skuadrës, si në ndeshjen e të martës, nuk është hera e parë që ndodh me kombëtaren shqiptare të futbollit, e cila fatkeqësisht ka mësuar tifozët me zhgënjime të mëdha pikërisht në momentin kur fitoret nevojiten më shumë. Për më tepër, disfata të tilla, kanë sjellë në mënyrë të pashmangshme edhe ndryshime në pankinën e skuadrës dhe këtë e vërtetojnë lamtumirat e Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe nga stoli i përfaqësueses kuqezi.
Oto Bariç
Kroati drejtoi kuqezinjtë në eliminatoret e Euro 2008, duke qenë i vendosur të rinovonte kombëtaren, për të afruar lojtarë të rinj, pa harruar të aplikonte një lojë ofensive, shpesh edhe me 3 sulmues në fushë. Gjithçka shkoi mirë deri në dy ndeshjet e fundit në grup, ato ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë, ndaj të cilave Shqipëria luante për të siguruar vendin e katërt në grup që do të ndihmonte për një renditje më të mirë në shortin e aktiviteteve pasardhëse. Ndaj Bjellorusisë në Tiranë, kuqezinjtë munden 4-2, në një pjesë të dytë ku ekipi thuajse nuk ekzistoi në fushën e lojës. Katër ditë më vonë, në Bukuresht, kuqezinjtë prekin fundin me një disfatë tronditëse 6-1 përballë Rumanisë vendase, ndërsa Bariç deklaron menjëherë largimin, duke hedhur edhe dyshime për manipulime nga ana e lojtarëve.
Ari Han
Holandezi nuk ka lënë një përshtypje të mirë në Shqipëri, por rezultatet e marra në 4 ndeshjet e para të eliminatoreve të Botërorit 2010 flitnin për të, sidomos barazimi 0-0 në Portugali. Por ndeshja në Maltë në shkurtin e vitit 2009 ndryshon gjithçka, pasi Shqipëria nuk shkon më shumë se një barazim pa gola që zbeh pretendimet, me një ndeshje mjaft të dobët të kuqezinjve. Disfatat e radhës në shtëpi 0-1 përballë Hungarisë dhe 3-0 në transfertë ndaj Danimarkës, me zgjedhje shumë të diskutueshme të trajnerit, por edhe paraqitje të dobëta të protagonistëve në fushë, i japin fund epokës së Ari Han në drejtimin e kuqezinjve.
Josip Kuzhe
Trajneri që u nda nga jeta pak kohë më parë, ka qenë një ndër më të dashurit për tifozerinë shqiptare, pasi mbylli mjaft mirë eliminatoret e lëna në mes nga Han dhe filloi punën për eliminatoret e Euro 2012. Një hemorragji cerebrale ndali në mes punën e trajnerit kroat, me skuadrën që për disa muaj kaloi në duart e ndihmësit të tij, Xhemal Mustedanagiç. Por kur Kuzhe u kthye përsëri në pankinë, rezultatet nuk ishin më të mirat e mundshme. Historike, në aspektin negativ, ishte humbja 2-1 në Luksemburg përballë vendasve, ku kuqezinjtë u mundën nga një skuadër me lojtarë që luanin në liga të ulëta europiane, kryesisht amatore. Kartonët e kuq të Agollit e Bogdanit gjatë ndeshjes, si dhe pezullimi i Skelës që fyeu gjyqtarin pas përfundimit të takimit, bindi drejtuesit e FSHF-së që të mos insistonin shumë për t’i ofruar rinovimin trajnerit kroat, që dukej se kishte humbur kontrollin e dhomave të zhveshjes.
Me precedentët e mësipërm, De Biazi tani ka të qartë se vetëm një mbyllje e mirë e edicionit, duke evituar vendet e fundit në grup, i garantojnë atij një rinovim. Në të kundërt, italiani do të jetë viktima e radhës e historisë së zhgënjimeve kuqezi.
Historia tregon se kombëtarja zhgënjen sa herë që luhet për një objektiv madhor
Dështimet përballë kundërshtarëve “të kalueshëm” janë paguar me shkarkimin e trajnerit