Shqiperi-Serbi, do te luhet ne 'Elbasan Arena'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëri-Serbi luhet në “Elbasan Arena”. Është FSHF dhe UEFA që kanë marrë vendimin që takimi mes kombëtareve të mos luhet në Shkodër. Në fakt vonesat në punimet e stadiumit, por edhe masat e sigurisë dhe ato organizative që i duhen një stadiumi të ri, duket se kanë shtyrë që sfida të luhet në Elbasan. Gjithsesi, enigmatike mbetet kjo zgjidhje. Për faktin se më parë ishte vendosur për Shkodrën, në FSHF mendonin që ndeshja do të luhej në Elbasan dhe vendimi erdhi pas takimit në kryeministri. Gjithsesi, nga sot të gjithë duhet të qartësohen se Shqipëri-Serbi do të luhet në Elbasan. Gjërat mund të ndryshojnë vetëm nëse stadiumi është gati më 15 shtator, por ky mbetet një hamendësim. Për FSHF-në zyrtarisht ndeshja luhet në Elbasan.
“Në lidhje me organizimin e ndeshjes eliminatore te Kampionatit Europian Francë 2016, që do të luhet në Shqipëri, FSHF informon se UEFA kërkon siguri të plotë dhe gjykon se ky takim nuk mund të zhvillohet në një stadium, ku luhet për herë të parë. Stadiumi “Elbasan Arena”, ka dhënë prova të suksesshme në aspektin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së përgjithshme të ndeshjeve. Sipas UEFA-s, stadium i ri duhet testuar fillimisht në një miqësore të nivelit të lartë dhe pastaj mund të vazhdojë normalisht ndeshjet zyrtare ndërkombëtare.
Federata Shqiptare e Futbollit e mirëkupton shqetësimin legjitim të UEFA-s, duke patur parasysh specifikën e këtij takimi dhe shkallën e lartë emocionale të krijuar rreth saj për shkaqe që dihen. Për këtë arsye, ajo vendosi që takimin Shqipëri – Serbi, ta organizojë në “Elbasan Arena”. Ndërkohë në muajin nëntor, FSHF, do të sigurojë një miqësore të nivelit të lartë në Shkodër. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punën me agjencitë ligjzbatuese për të siguruar plotësisht, ecurinë normale të kësaj ndeshjeje”, thuhej në njoftimin e FSHF-së.
Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur gjithashtu se ka nisur tashmë një plan masash të detajuar për mbarëvajtjen e takimit me Serbinë për të cilën të martën pati edhe një takim mes kreut të FSHF-së, Armand Duka, kryeministrit Edi Rama, Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe kreut të SHISH, Visho Ajazi. Për sa i përket stadiumit “Loro Boriçi”, FSHF ka garantuar se për inagurimin e tij në muajin nëntor do të organizohet një miqësore me një kundërshtar të nivelit të lartë.
Shqipëria dhe Serbia do të përballen më 8 tetor në ndeshjen e vlefshme për grupin “I” të kualifikueseve të Europianit "Francë 2016". Me trepikëshin e marrë nga KAS-i, Shqipëria aktualisht mban vendin e dytë në grup, me 10 pikë, po aq sa Danimarka, me të cilën do të ndeshemi në shtator, ndërkohë që Serbia ndodhet në kuotën e minus 2 pikëve, pa asnjë shpresë për kualifikim.
Mavraj heq patericat
Mërgim Mavraj ka nisur riaftësimin. Ai është shprehur dje për “Bild” se do të bëjë të pamundurën për të qenë në fushë sa më shpejt. “Ndihem shumë mirë. Kam ende pak dhimbje dhe nuk mund t’i kryej plotësisht të gjitha ushtrimet që mund të më ndihmojnë për rikuperimin e plotë, por kam ndjesi pozitive se gjërat do të shkojnë shumë mirë për mua”. I pyetur për rikthimin e tij në fushë 29-vjeçari nuk dha një përgjigje ekzakte, por nënvizoi se mjekët janë besimplotë dhe ai po punon nga 5 deri në 6 orë në ditë për të lënë pas dëmtimin.