e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shperthen konflikti Meta-Prifti, perplasjet perpara kryesise se LSI

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shperthen konflikti Meta-Prifti, perplasjet perpara kryesise se LSI
Shkarkohet Dritani Prifti nga posti i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, ndërkohë që shpërthen në publik një konflikt në kreun e LSI-së, i cili kishte nisur prej kohësh. Përplasje që pritet të bëhet edhe më e hapur që nga dita e sotme, ndërkohë që burime pranë Priftit bëjnë të ditur se ministri në detyrë i ka kërkuar kreut të LSI-së të shtynte mbledhjen e kryesisë.

Karriera e Dritan Priftit si ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës në qeverinë e Kryeministrit Berisha përfundoi dje pas vendimit që mori kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim për ta lënë jashtë kabinetit. Ishte sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili pas kryesisë të kësaj partie, komunikoi për publikun zëvendësimin e Dritan Priftit me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta dhe më pas zëvendësimin e Metës si ministër i Jashtëm me përfaqësuesin e kësaj partie, Edmond Haxhinasto. Por në mbledhjen e kryesisë mungonte protagonisti kryesor, Dritan Prifti, për shkak të ceremonisë së varrimit të gjyshes së tij. Burime pranë Ministrisë së Ekonomisë, bëjnë të ditur se vetë Prifti ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes së kryesisë për shkak të këtij angazhimi familjar, gjë e cila nuk është pranuar nga drejtuesit e LSI-së. Mesditën e sotme pritet që vetë Prifti të bëjë një deklaratë në lidhje me qëndrimin e tij për shkarkimin e bërë.

Deklaratat

Kreu i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, i cili tashmë pret të ulet në zyrën e Priftit, theksoi se këto ndryshime kanë të bëjnë fillimisht me atë vetë. Sipas Metës, pas një viti në krye të diplomacisë, ai kishte kuptuar se të qënët ministër i Jashtëm, pengonte veprimtarinë e tij si kryetar i LSI-së, për shkak të kohës së madhe që ky pozicion e detyronte të ishte jashtë Shqipërisë. “Arsyeja kryesore është pikërisht një lloj “konflikti” midis angazhimit tim si kryetar i LSI-së, jo thjesht si parti, por dhe si forcë qeverisëse brenda vendit, dhe angazhimit tim si ministër i Jashtëm”, thekoi Meta.

Ndërkaq, gjatë një interviste të dhënë dje për “ALSAT”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk mohon bashkëpunimin në të ardhmen me Partinë Socialiste dhe me parti të tjera që i përkasin spektrit të majtë. Sipas Metës, LSI vijon të mbetet një parti e majtë dhe në koalicioni me PD-në ka ardhur si rezultat i nevojë të vendit për të ecur në rrugën e integrimit. Por ai thekson se LSI do të vijojë të zbatojë marrëveshjen katërvjeçare të lidhur me PD-në, vitin e shkuar.

Prapaskenat

Konflikti i Metës me Priftin ka qenë i hershëm dhe çdokush në LSI kishte rreth një javë që e dinte se Dritan Prifti nuk do të ishte më pjesë e qeverisë. Kjo sepse mbledhja e kryesisë në të cilën do të merrej vendimi për shkarkimin e Priftit ishte planifikuar të enjten e kaluar dhe nuk ishte realizuar për shkak se ministri Prifti gjendej jashtë Shqipërisë në një takim pune. Nisur nga ky mosrealizim përfaqësuesit e kryesisë së LSI-së ishin lajmëruar dhe përgatitur për t’u mbledhur ditën e djeshme.

Këtë mbledhje dhe marrjen e vendimit për shkarkimin e Priftit nuk e ka penguar as vdekja e gjyshes së ministrit Prifti dje dhe ceremonia e varrimit e bërë po dje. Burime pranë Ministrisë së Ekonomisë, bëjnë të ditur se Prifti i ka kërkuar kryesisë së LSI-së shtyrjen e mbledhjes dhe zhvillimin e saj në një kohë të dytë për shkak të angazhimit familjar. Por kjo kërkesë duket se nuk është pranuar për shkak të lajmërimit paraprak që i ishte bërë kësaj mbledhjeje. Po kështu, burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se Priftit nuk i është ofruar asnjë pozicion tjetër në qeveri dhe nuk i është lënë asnjë alternativë për të vendosur. Për të gjitha këto sqarime ai do të zhvillojë një konferencë me mediat këtë mesditë.