Shpërthen Sinan Idrizi: Do ta hedh në gjyq FSHF-në
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sinan Idrizi do të hedhë në gjyq FSHFnë për prishje të imazhit.
Pas zbardhjes së vendimit të Prokurorisë së Durrësit nga "Panorama Sport", për mbyllje të hetimeve për ndeshjen me Partizanin, të luajtur në vitin e kaluar në Durrës, administratori Idrizi po përgatit letrat për të hedhur në gjyq zyrtarët e Komisionit të Etikës. Në një prononcim për gazetën gjatë ditës së djeshme, Idrizi e ka cilësuar të turpshëm këtë Komision, me në krye Fatmir Brakën.
"Komisioni i Etikës na ka njollosur për ndeshjen me Partizanin. Këta zotërinj na u bënë si të kulaçit dhe kërbaçit. Kryetari i komisionit, Braka, të më kërkojë publikisht falje për imazhin që më ka dëmtuar. E kam personale, pasi nuk më duan se u thashë prostituta.
Për ndeshjen me Partizanin, prokuroria thotë se nuk ka elementë të veprës penale dhe në këto kushte i mbylli hetimet. Ku e gjen kurajën ky zotëri të thotë të kundërtën, pra të më dënojë mua si administrator dhe portierin Ilion Lika që nuk ka luajtur fare atë takim.
Ku e gjen kurajën ky të na prishë imazhin. Për këtë unë po përgatis një padi, ku do të hedh në gjyq FSHF-në për prishje të imazhit dhe do të kërkoj dëmshpërblim financiar. Nuk ka shanse që, sa të jem unë në krye të Flamurtarit, të na bëjnë presione me ata të kërbaçit dhe kulaçit.
Ata vazhdojnë të na ndëshkojnë, por unë presionin nuk e ha. Le të vazhdojnë armiqësinë me Flamurtarin. Mirë që një fjalë të mirë nuk na e thonë për investimet që kam bërë, por janë të pacipë, nuk u vjen turp. Unë jam në statusin e investitorit dhe nga taksat që paguaj, marrin rrogën ata zotërinjtë aty, që u ka plasur cipa. Zotëria në fjalë, pa pikën e turpit dhe pa ju dredhur qerpiku, thotë do t'ju çoj në Prokurori.
A ka ndonjë që këta të konsultohen me fjalorin, pasi nuk e dinë se çfarë është etika dhe pjesë e kujt komisioni janë", u shpreh i irrituar Idrizi. Ndeshja me Bylisin Administratori i Flamurtarit shprehet se gjykimi në ndeshjen me Bylisin ishte skandaloz. Sipas Idrizit, arbitri ishte amator.
"Ekipi çfarë kishte për të dhënë e dha në ndeshjen me Bylisin. Fajin e kanë ata që menaxhojnë kampionatin shqiptar. Nuk e di se çfarë kanë me Flamurtarin, s'e kuptoj. Kur një lojtari të Flamurtarit i thyhet këmba, merr edhe karton të kuq!?
Ndërsa ai që i thyen këmbën, lojtari i ekipit kundërshtar, nuk ndëshkohet as me të verdhë. Jam i ndërgjegjshëm që me Kukësin e meritonim kartonin e kuq, ndërsa në ndeshjen me Bylisin arbitrimi ishte skandaloz fare.
Penalltia që duhet të na jepnin, ishte e pastër. Na sjellin arbitra amatorë, po na provokojnë. Lojtarët e dhanë gjithçka, por të na provokojë një arbitër në Vlorë kjo nuk është parë.
Na gjobitën për sharje me Tërbunin. Kush shau dhe kë shanë, unë nuk dëgjova gjë!?Këta zotërinj duan t'i japin mesazhe Flamurtarit, por ne nuk merremi me to. Ne nuk kemi bërë asnjëherë zhurmuesin për arbitrat, por jo të na kërcënojnë në këtë mënyrë", theksoi Idrizi. Ndërkohë, ai është shumë i bindur se Flamurtari nuk del nga kategoria. Pavarësisht lojërave që mund të bëhen, Idrizi bëri të ditur se kuqezinjtë do të qëndrojnë në Superiore.
"Nuk ka shanse që Flamurtari të bjerë nga kategoria. Cilado qofshin lojërat që mund të na bëjnë, nuk ka shanse që ne të zbresim. Ju them me bindje se nuk do ta marrin atë kënaqësi", përfundon kreu i klubit vlonjat.
Përgatiti: ERMAL SIKA