e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shpallet levizja e re - Nano: Te largojme Ram, kreu i PS: Mllef primitiv

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shpallet levizja e re - Nano: Te largojme Ram, kreu i PS: Mllef primitiv
Në 21-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, lideri historik i së majtës, Fatos Nano, ka adresuar akuza të forta ndaj Edi Ramës. Në një deklaratë të gjatë për shtyp, një ditë pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, post për të cilin ai këmbënguli deri ditën e fundit, Nano pasqyron një rezyme të ngjarjeve politike në vend, ku e vë theksin te bashkimi i së majtës me atë në krye dhe largimin e Edi Ramës. “Unë ju bëj thirrje, të dashur socialistë, që ne të vazhdojmë të ecim bashkë, të fitojmë bashkë e ta qeverisim dhe transformojmë Shqipërinë bashkë.

Unë jam tashmë para jush i gatshëm për t’ju udhëhequr drejt fitoreve të reja. I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës. Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pa mend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e radhës, duke i lënë fushë të lirë Berishës që ta zgjedhë vetë Presidentin që donte”,- thuhet që në fillim të deklaratës së tij. Nano sqaron se prej javësh ai i kishte ofruar Ramës dorën e bashkëpunimit për të mirën e socialistëve, porse ai kishte refuzuar. “…

Unë kërkova mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës, që së bashku ta fitonim garën presidenciale për t’u dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë. Por Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës. Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të radhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët”,- thotë Nano. Duke iu referuar editorialit të fundit të Ramës, ish-kryeministri socialist thekson se “limboja e Edi Ramës nuk mund të kthehet në limbo të Shqipërisë”.

Nano iu referua edhe darkës në Gjirin e Lalzit mes Ramës dhe Metës: “Ky paloKryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 Janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 Majit, zgjedhjet e 2009-s, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të. Pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka patur një njeri që Qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama. Edi Rama në darkën e Gjirit të Lalzit, por edhe në tryezat me Sali Berishën, ka këmbëngulur vetëm te një Pazar i ndyrë: Kushdo le të zgjidhet President, vetëm Fatos Nano të mos zgjidhet…”.

Nano sjell në vëmendje se me zgjedhjen e ministrit të Brendshëm si President i Republikës, ai vetë dhe socialistët humbën: “Qeveria u tall në Gjirin e Lalzit me Edi Ramën, sepse me një pjesë të Qeverisë i ofruan ngjala për darkë dhe i krijuan iluzionin idiotesk se mund të rrëzohej Qeveria e të plotësohej ëndrra perverse e Edi Ramës për t’u bërë Kryeministër. E tallën dhe e lanë me gisht në gojë këtë humbarak pervers dhe liganak”. Për arsyet sa më sipër, ish-kryeministri socialist u drejtohet socialistëve: “U bënë vite tashmë që Edi Rama nuk përfaqëson më socialistët apo interesat e tyre. U bënë vite tashmë që Edi Rama përfaqëson vetëm një klan uzurpator e pervers humbarakësh e frikacakësh, që u ka shkaktuar socialistëve vetëm humbje, dhembje e nëpërkëmbje, sikurse e ka zhytur Shqipërinë në kriza të njëpasnjëshme. Edi Rama është mbjellësi i krizave, urrejtjes dhe humbjes. Edi Rama nuk e ka më mundësinë që të jetë Përfaqësuesi, Zëri e aq më pak Lideri i Socialistëve”.

Ai i bën thirrje kryetarit të grupit kuvendor, Gramoz Ruçi, por edhe gjithë deputetëve socialistë që të bëhen dalëzotësa.  “Edhe pasi kisha vendosur ta mirëbesoja deri ditën e sotme Edi Ramën, zhgënjimi dhe rizhgënjimi im i vazhdueshëm i shprehur ndër vite, ka vetëm një arsye: Edi Rama e ka braktisur popullin opozitar. Zyra e tij është shndërruar në një zyrë të prodhimit të politikave të  krizave e konfliktualitetit, urrejtjes dhe përplasjes, mohimit dhe zhbërjes së historisë së Partisë Socialiste dhe të zhvillimeve pozitive transformuese në Shqipëri, duke e dëmtuar  rëndë Shqipërinë, shqiptarët dhe vetë socialistët”,- shprehet Nano. Lideri historik i së majtës thekson se Rama nuk përfaqëson më PS-në: “…Ju bëj thirrje që të mos e lejoni paaftësinë dhe pamundësinë e Edi Ramës për të fituar, që të kthehet në sëmundje e gjendje të përhershme për Partinë Socialiste, por edhe në një pengesë madhore për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë.

Së bashku me mua keni fituar gjithmonë dhe e keni mundësinë të vazhdoni të fitoni… Bëhuni dalëzotsa dhe së bashku me Fatos Nanon fitoni për Partinë Socialiste dhe Shqipërinë. Ngrihuni përtej limbos së kryetarit aktual Edi Rama, dhe bëjeni Partinë Socialiste dhe Shqipërinë fituese me Fatos Nanon. Sistemi humbës që ka instaluar Edi Rama duhet  shembur dhe ndryshuar. Të bëhemi bashkë që të fitojmë bashkë!”. N.P

Rama: Nano, mllef primitiv / Me akuza të neveritshme
Intervistoi Ilir Bababramo

Keni shkruar se Nishani është ndër të paktët që flet ndryshe në oborrin e pushtetit…

S’kam asgjë personale me ministrin që u bë President. Por kam me Presidentin që “de fakto” është ministër i qeverisë.

Berisha kandidoi dy të tjerë dhe të dy i refuzuat?

Kandidimi i parë ishte i njëanshëm, pa opozitën. Kurse i dyti ishte tërësisht i njëanshëm dhe i papranueshëm nga opozita. Ishte zëdhënësi më publik i pushtetit.

Si i gjykoni dorëheqjet e dy kandidatëve?

Ajo që do vlerësoja te dorëheqja e Zaganjorit ishte se kuptoi që konsensusi ishte më i rëndësishëm se emri.

Jeni penduar që s’pranuat Zaganjorin?

S’do të ndryshonim asnjë presje në qëndrimin tonë.

Pse e paragjykoni marrjen e statusit. Sequi e përshëndeti zgjedhjen e Nishanit?

Kështu mund të ndodhë dhe do të ndodhë sa kohë nuk u dëgjua zëri i BE dhe ShBA. S’ishte dëshirë abstrakte e tyre, por shprehje e tyre për të dhënë një dorë. Ne nuk arritëm dot.

A i keni bërë presion Zaganjorit të tërhiqet?

Ç’do të thotë kjo?

Duke i çuar sinjal që s’do e votonit?

Çfarë do të thotë që të pyesësh kryetarin e opozitës që i keni çuar sinjal…

Si e gjykoni dorëheqjen e zotit Hoxha?

S’dua të komentoj se jam i keqardhur për dorëheqjen e tij, se nuk është në etikën time që të rrotulloj thikën në plagën e dikujt.

Ai është tërhequr nga lufta brenda PD-së apo është shantazhuar?

Lufta e klaneve brenda PD-së ka vënë gishtin në një plagë të së shkuarës së tij, jo sepse shqetësohet shumë për atë plagë, por në atë rast e shfrytëzojë atë plagë për të pastruar rrugën…

Për çfarë plage bëhet fjalë?

S’dua të komentoj.

Keni bërë pesë orë negociata me Berishën… A ka detaje që kanë mbetur të panjohura?

Palët kanë qëndruar në pozicionet e njohura publike.

Ju prisnit që Berisha të propozonte emra, apo në kanale të tjera keni dhënë e keni marrë emra?

Jo s’ka pasur. Vetëm kemi përcjellë propozimin e Kadaresë për të konsideruar një kandidaturë të një shërbëtori të lartë të shtetit, që s’ka asnjë lidhje me ne, por i njohur për lidhje me të djathtët, por jo anëtar partie.

Pse kjo dashuri për të gjetur emra gjeneralësh?

Ky është një koment që vë në dyshim inteligjencën e Ismail Kadaresë. Por edhe më 2007 u shkua te një kandidaturë me profil ushtarak, pasi është shumë e vështirë që të gjesh afrimitet mes kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës për emra politikë.

Pse jo politikanë në fund të karrierës…?

Sepse edhe këta janë njerëz që janë vështirësisht të pamundshëm nga pala tjetër.

A mund të çonit gjysmën e listës së Këshillit të të Urtëve?

Të ishit të sigurt se mund ta çonim, se do ta nderonin atë post, por nuk na u dha mundësia. Njëherë na u vu përpara një emër, një herë dy emra… sepse nuk u krijua korniza e kritereve për figurën e presidentit. Tryeza ishte formale, për të treguar se këtu ka një proces, po është pala tjetër ajo që s’e pranon…

Ju mund të refuzonit dhe të propozonit emra?

Ne s’kishim dalë për të marrë në gojë emra…

Cili është roli i Ilir Metës në këtë proces të zgjedhjes së Presidentit? 

Pozitiv në fillim e negativ më pas, pasi braktisi pozicionin e parë, atë që kish thënë se nuk do ta bënte kurrë, të votonte një kandidaturë partiake. Pastaj zgjodhi një noter partiak.

Ai s’është shprehur ndonjëherë për president konsensual?

Ka qenë shumë i qartë që nuk pranojmë kandidat zyrtar të PD.

Pse u zgjerua tryeza në takimin e dytë?

Pala tjetër e ofroi atë format. Duhet të pyesni palën tjetër, ne nuk na interesonte me kë vinte Kryeministri.

Në atë tryezë Idrizi propozoi Nanon dhe ju e refezuat?

Propozimi ishte për të larë gojën. Një propozim i bërë në kontekstin e momentit të bisedës, kur po flitej për pamundësinë e një kandidature politike, dhe Idrizi po mbështeste kandidaturën e Artan Hoxhës, por me rezerva, pasi donte më shumë kandidaturë politike dhe në këtë rast Fatos Nanon. Kandidatura politike ishte përjashtuar nga tryeza e parë. Konsensusi ishte i mundshëm vetëm për kandidaturë jo politike. Dhe pati refuzim për kandidaturën politike dhe emrin konkret të Fatos Nanos.

Po mazhoranca u kthye te kandidatura  politike. Pse nuk ia dhatë dhe ju  20 firmat Nanos? 

I qëndruam deri në fund interesit kombëtar, të cilit i duhej konsensus dhe PS nuk i duhej një president që ishte noter partiak. PS e kishte të përjashtuar mundësinë e zgjedhjes së një presidenti me 71 vota, sepse nuk i kishim 71 vota dhe për më tepër ne donim konsensus dhe nuk mund të gëlltisnim kapërcimin e konsensusit.

A kishte emra opozita shqiptare?

Ne nuk propozuam emra, sepse nuk kishte hapësirë për këtë. S’është paritet kur shumica thotë unë kam këtë emër, por më jep dhe ti një emër ta shohim njëherë. Rregulli i negociatës është caktimi i modaliteteve.

Ata thanë Nano. Ju  pse u shprehët kundër?

Nuk u shpreha as kundër as pro, sepse ishte një moment jashtë kontekstit. Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar kërkoi shprehjen e Berishës dhe Berisha u shpreh absolutisht kundër. Emri i Fatos Nanos nuk mund  të ishte pjesë e tryezës, përderisa në tryezë na solli dalja nga politika dhe futja në fusha të tjera.

Ruçi i ka kërkuar Berishës që të shprehet për kandidaturën e zotit Nano dhe ai ka thënë jo…?

Absolutisht po.

Nano shprehet në një deklaratë që ka bërë sot se kërkova mirëkuptim nga Rama që të fitonin bashkë, po Edi Rama humbi dhe bashkë më te humbi dhe PS…

Unë me Fatos Nanon kam qenë i qartë dhe koherent. Nano nuk mund të ishte kandidat i njëanshëm i PS. Nëse mund të ishte në emrat që mund të arrihet konsensusi kjo s’lidhej me faktin që ai ka kohë ka ikur nga PS. Ka një shërbim të dyfishtë. Ka shërbyer  si kryetar i PS dhe si Kryeministër, por edhe në shërbim të Berishës si ish-kryetar i PS. Ai ka bërë një shërbim të gjatë në këto vite në funksion të qeverisë dhe Kryeministrit dhe si i tillë pretendonte se ishte një kandidat mes palëve. Me djegien e kandidaturës politike të Topallit dhe Bodes, as Nano dhe askush tjetër s’kishte më asnjë shans.

Ai ju konsideron humbës dhe shprehet i gatshëm që të kthehet në PS për të fituar?  

S’dua të humbas kohë se as nuk di si t’i quaj. Janë të neveritshme këto shfrime të mllefit primitiv, që s’kanë lidhje as me mua e as me mua e as PS, por ka lidhje me paaftësinë për të menaxhuar  emocione shumë negative për të cilat më vjen shumë keq.

Takimi me Metën?

Ka qenë një takim që e kam pranuar, pasi unë kam bërë ftesë publike, sepse ishte një proces ku luhej fati i Shqipërisë. Unë kam  pranuar menjëherë ftesën e kreut të LSI në shtëpinë e tij dhe kam menduar se duke u takuar në shtëpi vendosej një minimum besimi pas një mungese të gjatë. Në 7 vite në krye të PS kam bërë dhe gabime, por kanë qenë gabime zemre.

Takimi i Gjirit të Lalëzit hyn te gabimet që keni bërë?

E kam bërë këtë takim me vetëdije të plotë kë po takoja, pse po e takoja, për çfarë po e takoja.

A keni kërkuar shpjegime nga Meta se përse ndryshoi qëndrim?

Unë nuk kam takuar atje një aleat ose për të bërë një aleat për të rrëzuar qeverinë. Kam takuar një kundërshtar. Fakti që historia e përbashkët nuk është e ndarë siç është ajo me Berishën, i ka dhënë takimit një tis misteri dhe ka krijuar shumë teori konspiracioni. Kam takuar një kundërshtar. S’duhet të ketë iluzione dhe fantazira, sepse LSI është pjesë e koalicionit qeverisës, por është një palë që duhet të dialogojmë për Presidentin…

Sa kam dalë nga takimi, kam bërë të qartë që kam takuar një kundërshtar. Flitet me kundërshtarët jo me veten.

Më 2013 do e keni në koalicion Metën?

LSI është në koalicion qeverisës.

Me shumë gjasë do e prishë koalicionin…

Këtë e thoni ju. Ne do fitojmë kundër këtij koalicioni.

LSI-në e shihni në mes…

E shoh në tryezën e qeverisë. Në rast se do braktisë qeverinë dhe vendoset në opozitë, ne do të shohim mundësinë e bashkëpunimit. Por ajo është në qeveri dhe ne nuk shohim fantazira.