Shorti i Evropianit: Duka: S'kam preferenca, nuk shkojme per turizem
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Delegacioni shqiptar mbërriti sot në Paris, ku të shtunën (ora 18:00) do të hidhet shorti për grupet e Kampionatit Evropian 2016.
Delegacioni kryesohet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zëvendëssekretari Besnik Çela, trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi dhe menaxheri Alban Bushi. Më herët kishin udhëtuar drejt kryeqytetit francez edhe drejtori i marrëdhënieve me jashtë, Denis Bastari, dhe ai i marrëdhënieve me publikun, Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë në seminarin e organizuar nga UEFA.
“Nesër do të hyjmë zyrtarisht në fazën e finaleve, duke njohur edhe kundërshtarët tanë - deklaroi Duka për ueb-faqen zyrtare të FSHF-së -. Sigurisht, janë të gjitha skuadra të forta që i kanë merituar finalet. Nuk bëhet fjalë për preferenca. Ne do të bëjmë Evropianin tonë dhe po e përsëris se në qershor nuk do të shkojmë në Francë për pushime”.
Kuqezinjtë janë pjesë e vazos së katërt, çka do të thotë se do të jenë në një grup me kundërshtarë më të fortë në letër.