e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shaqiri 'provokon' serbet e Interit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shaqiri 'provokon' serbet e Interit

Transferimi i Xherdan Shaqirit nga Gjermania në Itali tek Interi nuk është pritur. Madhështia e lojtarëve shqiptarë, që po “sundojnë” gjithë botën, ndonëse nuk mbrojnë ngjyrat e kombëtares kuqezi(për një arsye apo për një tjetër), duket se ka krijuar xhelozi te shtypi i Serbisë. Mediave të këtij vendi u ka mbetur ora te “provokacija” e mbrëmjes së 14 tetorit, kur fluturimin e një droni që valëviste flamurin e Shqipërisë etnike gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd e cilësuan një “provokim” të pastër. Megjithatë, këtë herë në shënjestër ka qenë futbollisti kosovar, i cili para pak ditësh la Bajern Mynih për të nënshkruar me Interin e Roberto Mançinit.

Sapo ka zbritur në aeroportin e Malpensës në Milano, Xherdan Shaqiri u prit me flamurin kombëtar shqiptar. Por jo vetëm kaq. Në stërvitjen e parë me zikaltrit në “Apiano Xhentile”, Xherdani nuk e pati problem të tregojë se nga vjen, duke fotografuar këpucët e tij sportive me flamurin e Kosovës. Sipas shtypit serb, ky veprim nuk u ka pëlqyer aspak futbollistëve serbë të Interit, Nemanja Vidiç dhe Zdravko Kuzmanoviç. Në të vërtetë dy futbollistët nuk janë prononcuar zyrtarisht, por mediat serbe e kanë cilësuar këtë gjë si “karshillëk” dhe “provokim”, duke inatosur dhe zemëruar Vidiçin dhe Kuzmanoviçin. Edhe pse mes futbollistëve nuk ka pasur probleme të kësaj natyre, siç ishte rasti i paqes dhe shtrëngimit të duarve mes Canës, Berishës, Bastas dhe Xhorxheviçit te Lacio, nuk dihet si do të shkojë bashkëjetesa mes shqiptarit të Kosovës dhe shokëve të tij serbë. Nga ana tjetër, mediat serbe citojnë edhe festimin provokativ të Shaqirit bashkë me Mario Manxukiçin kur luanin te Bajern Mynih bashkë.



Atëherë, ata nderuan me dorë gjeneralët kroatë të liruar nga Gjykata e Hagës, duke bërë një përshëndetje ushtarake. Shaqiri gjithashtu festoi triumfin e Bajernit në Ligën e Kampionëve me flamurin e vendlindjes së tij dhe ky është një fakt shtesë që mediat serbe e konsiderojnë Xherdanin si provokator. Ndërkohë, ish-futbollisti gjerman, Lotar Mateus, nuk e ka cilësuar një hap prapa kalimin e Shaqirit në klubin zikaltër. Legjenda e Bajern Mynih dhe Interit, mendon se me Lukas Podolskin, kosovari do të krijojë një dyshe të bukur në sulm. “Ai bashkë me Lukas Podolskin mund ta rikthejnë Interin aty ku duhet, deklaron Mateus.

Unë shoh paralele në transferimin tim dhe të Andreas Brehmes 26 vjet më parë. Ne të dy u transferuam më 1988 nga Mynihu në Milano, aty ku Interi kaloi tetë vjet pa fituar asgjë. Në vitin 1989 u shpallëm kampionë në Itali”. Sipas Mateusit, ardhja e tij tek Interi erdhi në momentin e duhur: “Nuk jam dakord që kalimi i tij është një hap prapa, vazhdon Mateus. Shaqiri te Bajerni tregoi se mund të konkurrojë me lojtarët më të mirë në botë. Ndonjëherë gjenet në situata të vështira, por varet edhe nga trajneri. Me Pep Guardiolën nuk kishte të ardhme, ndërsa me Jup Hejnkesin mund të qëndronte më gjatë. Shaqiri ka luajtur mirë te Bajerni, edhe pse gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet, ai mbetet një lojtar me talent të padiskutueshëm”.

MANÇINI

Debutimi i Shaqirit me fanellën e Interit mund të shtyhet. Kështu ka deklaruar trajneri Mançini në prag të ndeshjes së sotme me Xhenoan: “Shaqiri nuk luan prej kohësh, ndaj duhet të presim edhe pak. Nuk dua të rrezikoj, sepse mund të dëmtohet”