e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shalke del e gjalle nga Stambolli

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shalke del e gjalle nga Stambolli
Zhgënjen “mbretëresha” e merkatos së dimrit. Nuk është ende jashtë Champions-it, por rezultati 1-1 në “Ali Sami Jen” vendos në pol gjermanët për kalimin në çerekfinale. Në pozitën e favoritëve, djemtë nga Gelzenkirsheni ishin edhe përpara janarit, kur Gallatasaraji i dhuroi klubit “perandorin” Drogba dhe Shnajderin, duke pretenduar një ecuri më jetëgjatë në Europë. Jilmaz shënon shpejt, Xhons barazon, Drogba lufton në pjesën e dytë, por “Blutë mbretërorë” edhe mund të kishin fituar në stadiumin më të tmerrshëm të kontinentit. Terim duhet të bëj një gjysmëpërmbysjeje në ndeshjen e kthimit, duke shpresuar që Shnajder të rikthehet si ai i Interit, kur zikaltrit bënin tripletë.

Golat - Projektorët janë të drejtuar të gjithë mbi Drogbanë dhe Shnajderin, por vendësit kalojnë në avantazh nga një as turk që në minutën e 13-të. Selçuk Inan gjen Burak Jilmazin mes qendërmbrojtësve. Sulmuesi driblon Hëvedezin me një prekje fantastike me takë, dhe pastaj lëshon një predhë të pakapshme nga Hildebrand. Por, gjermanët kanë armën më të fortë të tyre, nuk dorëzohen kurrë. Keler, veç krizës në kampionat, ka edhe mungesa të rëndësishme, mes tyre Afelai. Por, në krahun e djathtë ka një tjetër shigjetë, Farfanin. Është peruani ai që krijon golin e barazimit në minutën e fundit të pjesës së parë: mesfushori niset në kundërsulmin e fundit në krahun e djathtë dhe shikon Xhonsin që afrohet i vetëm në qendër të zonës: Amerikani vetëm mund të godasë dhe baraspeshon gjithçka me një të djathtë precize.
Peshon Drogba - Fatih Terim e kishte thënë:

“Do kënaqeshim edhe me një barazim 0-0, sepse pas 3 javësh Drogba e Shnajder do të jenë më në formë”. Mes rezultatit 0-0 dhe 1-1 ka diferencë: Në Gelzenkirshen, ku më 12 mars do të luhet një derbi për shkak të komunitetit të madh turk në Gjermani, Gallata e nis e eliminuar. I eliminuar duket edhe Shnajder: Holandezi del nga fusha pas 45′ dhe në të majtë është inekzistent. Provon disa vertikalizime dhe është iniciatori i aksionit që përfundon me goditjen e traversës nga Haltintop. Disi më mirë sulmuesi afrikan, që nuk është në kondicionin e tij, por përdor edhe eksperiencën në të tilla raste.

Burak humbet edhe disa raste të tjera, ndërsa Muslera nuk është një garanci. 4-4-2 i Terimit ka një armë në kundërsulm dhe ai është Riera në të majtë. Klubi nga Stambolli mund të bëhet i rrezikshëm për të gjithë me Didier dhe Ues në të ardhmen, por përpara kanë pengesën Shalke. Blutë, të cilët në Bundesligë nuk dihet se ku kanë përfunduar, në Champions janë një tjetër skuadër. Dhe zëvendësuesi i Stivensit, Jens Keler, ka meritën e tij kur i mungojnë dhe 7 lojtarë, po t’u shtojmë edhe një Huntelar jashtë forme. Shpejtësia e Farfanit dhe talenti i Draklserit janë armë ofensive që mund të shkaktojnë viktima. Nojshtedter dhe Xhons u japin një dorë, por u duhet të mbulojnë edhe gabimet e një mbrojtjeje jo shumë të sigurt. Por në kundërsulm ama gjermanët janë të frikshëm. Dhe mund të jenë edhe në “Veltins Arena”…

“Tërbohet” Terim: Humbëm shumë raste

Fatih Terim nuk e kishte parashikuar një paraqitje të tillë të të tijve. Të paktën në Turqi, Drogba dhe Shnajder duhet t’i kishin udhëhequr drejt një triumfi. “Bëmë gjithçka keq. Ndeshjen mund ta kishim fituar, por edhe humbur. Me këtë paraqitje në Gelzenkirshen do e kemi të pamundur për t’u kualifikuar në çerekfinale. Megjithatë, unë kam besim se në Gjermani do të tregojmë një tjetër skuadër, Gallatasraajin e vërtetë. Humbëm shumë raste përpara porte, goditëm edhe traversën, por gjithsesi nuk mund të fajësojmë fatin për mungesën e rezultatit”, – tha trajneri turk, i cili nuk fajësoi yjet e ekipit të tij për barazimin. “Didier dhe Uesli nuk prisnim të ishin në kondicionin e tyre më të mirë fizik. Pas 3 javësh besoj se do i kemi gati”, – shtoi Terim.

Jens Keler: Ishte një debutim ëndrrash

Mesa duket, statusi i jofavorites e ka ndihmuar Shalken të shkarkojë presionin. Jens Keler nuk mund të kishte pritur një debutim më të mirë në premierën e tij në “Ali Sam Jen”. “Është një rezultat fantastik. Përgëzoj lojtarët për lojën në një prej stadiumeve më të vështira në Champions. Mund ta kishim humbur ndeshjen, por patëm raste për të shënuar edhe golin e dytë. Megjithatë, barazimi me gola është një rezultat që na shkon për shtat, dhe në ‘Veltins Arena’ ne do e nisim ndeshjen të kualifikuar. Më vjen keq që nuk do të kemi Xhonsin, i cili bëri një ndeshje fantastike. Edhe mund ta kishte shmangur atë karton, por ne do e zëvendësojmë, ashtu siç bëmë me mungesat e shumta që kishim në Stamboll”, – deklaroi trajneri gjerman.

Draksler: Në Gelzenkirshen kalojmë ne

Julian Draklser beson te kualifikimi pas rezultatit në ndeshjen e parë. Për mesfushorin e Shalkes, gjermanët e merituan plotësisht rezultatin, sepse në fushë nuk shfaqën asnjë nga problemet e Bundesligës gjermane. Shalke ka qenë fantastike këtë sezon në transfertë, duke mos humbur asnjëherë. “Ishim të përqendruar dhe ky ishte çelësi i rezultatit që morëm. Tani jemi në pozita shumë të mira për të prerë një biletë në ¼-at. Kemi pasur probleme këto javët e fundit, por me këtë paraqitje mund t’ia dalim përballë Gallatasarajit pas tri javësh. Përse jo!”, – u shpreh 19-vjeçari pas një paraqitjeje fantastike në mesfushë.

Golashënuesi, Jilmaz barazon Ronaldon

Golashënuesit e këtij sezoni në Champions janë Kristiano Ronaldo dhe Burak Jilmaz. Mund të duket çudi, por me golin e djeshëm sulmuesi turk i Gallatasarajit u ngjit në kuotën e 7 golave këtë sezon. Inan është lojtari që ka përgatitur 3 golat e tij. 8 golat e shënuar nga skuadra e Terimit këtë edicion janë të shënuar nga vetëm dy lojtarë, Burak Jilmaz dhe Ajdin Jilmaz. Asnjë skuadër që është ende në garë në 1/8-at nuk ka dy apo më pak shënues. E gjithë skuadra e Shalkes ka shënuar 37 gola në Champions, më pak se Didier Drogba, i cili i vetëm e ka gjetur rrugën e rrjetës 39 herë në karrierën e tij.