Serbi – Shqiperi, 7 fakte qe mediat e huaja nuk i raportojne
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shumica e medieve ndërkombëtare gjatë raportimit të dhunës në stadiumin e Beogradit u fokusuan vetëm tek kapja dhe përdhosja e flamurit shqiptar nga një futbollist serb, çka u bë edhe shkak që në fushë të zbrisnin huliganët serb dhe të godisnin lojtarët shqiptarë.
Por a mjafton vetëm kaq për të pasur një pikëpamje më realiste rreth asaj që ndodhi më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit?
Shumë momente dhe fakte të tjerë të dhunës ndaj ekipit shqiptar nga serbët nuk janë raportuar nga mediat ndërkombëtare, ndërsa ato serbe kanë shpërthyer në një eufori fyese ndaj shqiptarëve vetëm e vetëm për të mbuluar aktet e dhunës dhe mosaftësinë e autoriteteve shtetërore për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes.
Ja disa fakte që pala shqiptare s’ka faj:
1 – Tifozët shqiptarë nuk u lejuan ta ndjekin ndeshjen nga stadiumi. Autoritetet serbe paralajmëruan se do të arrestojnë të gjithë ata persona që do të tregojnë simbole shqiptare në stadium. Këto kufizime janë të padëgjuara në arenën e futbollit ndërkombëtar. Pak shqiptarë arritën të shkonin në stadium, por më shumë se 99% ishin serbë.
2 – Gjatë 40 minutave lojë, turma serbe thërriste “Ubij, Ubij siptar” që në shqip do të thotë “Vrisni, vrisni shqiptarët”. Këto thirrje e kanë origjinën që nga koha e Millosheviçit.
3 – Stadiumi u mbush me parrudha politike nacionaliste serbe, si “Kosova është Serbi” dhe slogane të tjera për Bosnjën dhe Kroacinë. Gjatë kohës që po këndohej himni kombëtar shqiptar tifozët serbë vërshëllyen fort, një gjest fyes ky ndaj simbolit shqiptar.
4 – Lojtarët miq u goditën me objekte të forta (karrige, shishe uji, copa betoni) dhe fishekzjarrë. Gjithashtu edhe disa gazetarë shqiptarë që guxuan të shkonin në Beograd janë qëlluar me objekte të forta dhe kërcënuar me jetë.
5 – Ivan Bogdanoviç, huligani serb që udhëhoqi trazirat në Itali, Xhenova, në vitin 2010, ka qenë i pranishëm në stadium bashkë me një grup të maskuar që dirigjuan dhunën në stadium. Për disa kohë ai ka qenë i burgosur në Serbi si shkaktar i incidenteve në Itali, ku ai dogji edhe flamurin shqiptar. Autoritetet serbe e dinin rrezikshmërinë e tij dhe e lejuan që ai të ishte i pranishëm në ndeshjen e “ferrit”.
6 – Më shumë se gjysma e ekipit kombëtar shqiptar e ka origjinën nga Kosova, e cila u nda nga Serbia në vitin 1999 mes dhunës, vrasjeve, përdhunimeve dhe spastrimit etnik të ushtrisë serbe. U desh ndërhyrja e NATO-s që Kosova t’i shpëtonte spastrimit etnik. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, 15 vite më vonë serbët djegin në shtëpinë e tyre flamurin e aleancës ushtarake perëndimore. (Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009, ndërsa Serbia ka marrë statusin e vendit kandidat të BE-së, por nuk është pjesë e NATO-s”.
7 – Pavarësisht atmosferës së ashpër politike në stadium, përfaqësuesja shqiptare shkeli në fushë vetëm për të luajtur futboll dhe këtë e bëri me sukses deri në ndërprerjen e takimit, për shkak të përdhosjes së flamurit kombëtar nga futbollistët serbë.