Serbet vendosin kushte per tifozet tane
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Serbia vazhdon të vendosë kushte për tifozët shqiptarë, të cilët do të jenë të pranishëm në ndeshjen e 14 tetorit, që do të zhvillohet në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Sigurisht që nuk është normale, por Serbia, të paktën edhe sipas www. supersport.al, ka vendosur që disponimi i një pasaporte shqiptare për të ndjekur ndeshjen në stadiumin e Beogradit është vendosur si një kusht i panegociueshëm nga pala serbe.
Tifozët kosovarë janë ndër më të zjarrtët e grupimit tifozët kuqezi dhe ishin ndoshta ata që e pritën më me entuziazëm lajmin se Federata Serbe e Futbollit u dorëzua duke pranuar tifozët shqiptarë për ndeshjen e kombëtares kundër Serbisë, që do të luhet në 14 tetor në Beograd. Por tifozët kosovarë, apo edhe shqiptarët e Maqedonisë, nuk do të mund të bëhen pjesë e transfertës më të ndier në jetën e tyre. Të paktën nëse nuk disponojnë një pasaportë shqiptare, një modalitet ky që është vendosur si kusht nga Federata Serbe, siç bëri të ditur presidenti i FSHF=së, Armand Duka gjatë vizitës së tij në stadiumin e rikonstruktuar të Elbasanit.
“Federata Serbe do të pranojë me kushte tifozët shqiptarë. Ata kërkojnë që të gjithë tifozët që do të futen në stadium të kenë pasaportë shqiptare. Nuk e di nëse mund të kundërshtohen këto kushte. Biletat do të jenë vetëm për ata që kanë pasaportë shqiptare”. Disponimi i një pasaporte shqiptare për të ndjekur ndeshjen në stadiumin e Beogradit është vendosur si një kusht i panegociueshëm nga pala serbe, që ka të drejtën e përcaktimit të disa modaliteteve për garantimin e sigurisë, edhe pse tingëllon si një stisje për të evituar pikërisht tifozët kosovarë nga aksesi në 5 % e biletave. Që do të thotë rreth 1200-1300 të tilla që Federata Serbe është e detyruar t'i japë Federatës Shqiptare për tifozët kuqezinj sipas rregullave të Uefas dhe Fifas.
Çmimet në Beograd, më të lira se në “Elbasan Arena”
Federata e Futbollit e Serbisë (FSS) ka caktuar çmimin e biletave për ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila do të luhet më 14 tetor në Beograd në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016. Rreth 1000 tifozë shqiptarë, sa pritet ta përkrahin Kombëtaren shqiptare në Beograd, në ndeshjen ndaj Serbisë, nuk do të shpenzojnë shumë para për bileta. Federata e Futbollit e Serbisë(FSS) ka caktuar çmimin e biletave për ndeshjen ndaj Shqipërisë, e cila do të luhet më 14 tetor në Beograd në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2016”.Biletat për tribunën veriore dhe atë jugore do të kushtojnë 2.50 euro, kurse në krahët e stadiumit, 6.70 euro. Kurse më të shtrenjta do të jenë biletat e tribunës qendrore. 8.40 euro. Në konvertimin me lekë, çmimi në tribunën qendrore nuk shkon më shumë se 12.000 lekë të vjetra, kurse në vendin më të ulët 3500 lekë të vjetra. Më 11 tetor, për ndeshjen me Danimarkën, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” çmimet janë 10.000, 15.000, 20.000, 30.000, 60.000, 80.000 dhe 100.000 lekë të vjetra, që në euro fillojnë me 14 dhe mbarojnë me 150. Një standard shumë i lartë për kushtet e jetesës shqiptare, në një kohë që në Beograd shqiptarët nuk kanë për të shpenzuar më shumë se sa 12.000 lekë të vjetra. Megjithatë këto janë çmimet e ofruara nga Beogradi, në një kohë që biletat do të dalin në shitje 13 dhe 14 tetor, nga ora 10:00 deri në ora 18:00, kurse ndeshja luhet më 14 tetor në ora 20:45.