e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Selami: Refuzova oferten per Bashkine e Tiranes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Selami: Refuzova oferten per Bashkine e Tiranes
Një ndër themeluesit e lëvizjes së dhjetorit, Eduard Selami, tregoi dje për “Top Story”-n e gazetarit Sokol Balla, të pathënat e dhjetorit 1990 dhe ofertat e fundit për të ardhmen e tij në politikë. Ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, në intervistën e dhënë në “Top Channel”, bëri me dije se refuzoi ofertën për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, për shkak të shkëputjes së gjatë 15-vjeçare nga Tirana. “Do të rikthehem në politikë. Është çështje kohe”. Me kaq është mjaftuar ish-kryetari i PD-së, duke i mëshuar fort arsyes pse refuzoi ftesën për Bashkinë e Tiranës.

Pyetjes nëse ka marrë ndonjë ofertë për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, Selami iu përgjigj, duke thënë se “për mua i shkëputur nga Tirana 15 vjet nuk është serioze që ta pranoj një ofertë të tillë. Do ta refuzoja në fund për të gjetur një kandidat më të mirë. Duke qenë i ndarë për 15 vjet unë nuk jam kandidat i përshtatshëm për Tiranën. PD-ja ka mjaft anëtarë të denjë”. Ish-kryetari i PD-së, Selami, sqaroi se ka pasur oferta për t’u rikthyer në politikë, por nuk i ka pranuar. “Sa kohë që nuk ka një demokraci të brendshme nuk shikoj ndonjë mundësi për të kontribuar.

 Çfarë mund të bëjë një anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili nuk mban mend kur ka qenë hera e fundit që është mbledhur ky këshill. Qëllimi im nuk është që të marrë një post, por që Shqipëria të ecë në drejtimin e duhur”, tha ai. Selami sqaroi gjithashtu se nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me Kryeministrin Berisha dhe ka kohë pa folur me të. “Nëse Berisha më fton, me shumë kënaqësi do ta takojë për të ndarë gjërat e përbashkëta. Është miku im i vjetër dhe me kënaqësi do ta takoj”, tha Selami.

Kritikat e Selamit

Sipas Selamit, defekti i demokracisë është fakti që ende në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. “Akoma nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme të pranuara nga të gjitha forcat politike. Nuk kemi një gjykatë apo një shtet ligjor funksional. Ndihma e ndërkombëtarëve ka qenë e jashtëzakonshme. Ëndrra e shqiptarëve është në realitet një proces që ende nuk është realizuar”, theksoi ai. Kritikat e ish-kryetarit të PD-së qëndrojnë edhe për mënyrën sesi funksionon demokracia e brendshme e partisë ku ai dikur ka drejtuar dhe aktualisht bën pjesë formalisht në Këshillin Kombëtar. “Brenda PD-së duhet një votim i ndershëm, një anëtar një votë. Nuk funksionojnë strukturat”, tha Selami. Sipas tij, “partia më e madhe sot nuk është PD-ja apo PS-ja, por është partia e njerëzve të zhgënjyer që nuk votojnë”. Një tjetër kritikë e Selamit janë edhe ndryshimet kushtetuese. “Shikoj që ka disa kthime prapa pas anëtarësimit në NATO, sepse u bënë disa ndryshime kushtetuese që prishin balancat e institucioneve. Demokracia ka nevojë për larminë e shumë njerëzve. Tendencë prapa quaj edhe faktin që akoma nuk ka një drejtësi të pavarur”, tha ai. Lidhur me funksionimin e Parlamentit, Selami përdori një shprehje të kryeparlamentarit të parë pluralist, Pjetër Arbnori, duke thënë se “opozita është një pasqyrë ku unë shikoj veten. Nuk ka një demokraci reale pa opozitën në Parlament”.

Politika

E ardhmja e Eduard Selamit në politikë do të marrë një përgjigje të qartë në momentin që Partia Demokratike do të ketë një demokraci të brendshme. Por në fakt influenca e tij brenda Partisë Demokratike mbetet e pakët, për shkak të shumë viteve largim nga Tirana, të cilën ai e cilëson si anën e dobët të argumentit të tij. Eduard Selami shprehu vlerësime ndaj Presidentit Bamir Topi, duke thënë se “zoti Topi është një President i suksesshëm. Ka dhënë dhe jep kontributin e tij si President. Çdo tendencë që e shtyjnë PD-në drejt një fryme europiane unë jam në krah të tyre”.

Dhjetori ‘90

Duke u kthyer 20 vjet pas në retrospektivë, Selami e cilëson dhjetorin 1990 si një nga ngjarjet më progresive dhe më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që përkon me rrëzimin e komunizmit. Ish-kreu i PD-së, Eduard Selami, sqaroi edhe mënyrën sesi u angazhua në lëvizjen e dhjetorit. “Unë jetoja në Qytetin Studenti. Azem Hajdari ishte ai që më ka dhënë shtytjen. Profesor, më tha, ti e di që kjo është lëvizja jonë dhe unë atëherë nuk kisha kthim prapa”, tha Selami. Misteret e dhjetorit lidhen edhe me protagonistët e mëvonshëm që dolën në krye të kësaj lëvizje dhe ata që i mbijetuan kësaj lëvizje. “Azem Hajdari mbijetoi se kishte karizëm, nëse mbijetoi Sali Berisha, mbijetoi se ishte i domosdoshëm. Të tjerët nuk mbijetuan dot se s’kishin se çfarë thoshin më”, tha Selami. Ai sqaroi se në themelimin e Partisë Demokratike ka pasur vështirësi për të mbledhur firmat. “Si mendoni ju, se një nga diktaturat më të egra do dorëzohej aq shpejt. Parullën ‘E duam Shqipërinë si Europën’ jam kurioz ta di kush e ka thënë më përpara. Mendja ma do e ka thënë Azemi”, tha Selami.