e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes kerkon Partizanin!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ministria e Mbrojtjes kerkon Partizanin!
Pas një administrimi 10-vjeçar nga Albert Xhani, Ministria e Mbrojtjes kërkon rikthimin e klubit. Para një dekade ekipi i futbollit Partizani u lejua të shkëputej nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes dhe administrimin e tij e mori Albert Xhani. Por duket se ka ardhur momenti që ky transaksion të ndryshojë kah, pasi Ministria e Mbrojtjes kërkon sërish rikthimin e Partizanit në pronë të saj. Madje për ta realizuar këtë gjë ministria ka hapur një proces gjyqësor në adresë të shoqërisë "Partizani" sh.a., shoqëri e cila administrohet nga Albert Xhani.

Më datën 1 dhjetor në Gjykatën e Tiranës është depozituar çështja me numër 15166, ku paditës është Ministria e Mbrojtjes, ndërsa paditësi është shoqëria "Partizani" sh.a. Lloji i çështjes është: Padi për mbrojtjen e pronës intelektuale me bazë ligjore nenin 103 të Kodit Civil. Objekt i kësaj padie është: "Konstatim i pavlefshmërisë të veprimit juridik mbi regjistrimin e markës me emrin Futboll Klub "Partizani". Zhvlerësimin e regjistrimit të markës Futboll Klub "Partizani" për llogari të shoqërisë aksionare "Partizani" sh.a. Detyrim për regjistrimin e markës Futboll Klub "Partizani" për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes." Statusi i dosjes cilësohet gjykim dhe për këtë çështje është vendosur edhe gjyqtari, i cili do të jetë Ilir Çeliku.

Nga mënyra se si kanë rrjedhur ngjarjet këto vitet e fundit, Partizanit i ka ngelur vetëm stema, pasi ambientet e klubit u kanë kaluar pronarëve të truallit. Mbetja pa strehë i ka dhënë pasojat e saja tek Partizani, i cili po lëngon në luftën për mbijetesë në kategorinë e parë. Kalimi i Partizanit në ambientet e ish-Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, që janë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, u konsiderua thjesht rastësi dhe lëmoshë, duke ditur se ekipi nuk kishte fushë ku të përgatitej. Por pas depozitimit të kësaj çështjeje duket qartë se Partizani do t'i kthehet "babait biologjik". Armata e madhe e tifozerisë së kuqe, që ndodhet anembanë vendit prej vitesh, ndihet e gjunjëzuar dhe kërkesa e tyre ka qenë që presidenti Albert Xhani të hapë krahun dhe të shesë aksionet, në mënyrë që Partizani të kthehet aty ku e ka vendin.

Ribashkimi i Partizanit te pronari i vjetër mund të jetë një sinjal i mirë, sepse vërtet ka ardhur koha për ndryshim. Jo më kot në qarqet sportive është deklaraur se Partizani është një monument që shteti duhet të kujtohet për atë dhe të mos shkojë drejt shuarjes, sepse dihet se bëhet fjalë për një klub me plot trofe si në vend, por edhe në arenën ndërkombëtare, kur dihet që është i vetmi ekip shqiptar që ka fituar një Kupë Ballkanike. Mbase sensiblizimi që ndodhi me çështjen "Dinamo" ka ngjallur interesin edhe për rimëkëmbjen e legjendës Partizani.