e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Sduhet ti lutemi Januzajt, De Biazi te marre Kapllanin'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Sduhet ti lutemi Januzajt, De Biazi te marre Kapllanin'

Mbetet personazh dhe protagonist edhe jashtë fushës së lojës. I qartë dhe i drejtpërdrejtë jo vetëm kur e pyet në lidhje me karrierën dhe të ardhmen e tij, por edhe kur analizon ekipin kombëtar. Bëhet fjalë për Erjon Bogdanin, një nga ata sulmues që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar me fanellën kuqezi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” rreket të prekë pikat kyçe dhe problematike të Kombëtares shqiptare në veçanti dhe të futbollit në përgjithësi. Në epiqendër të merkatos edhe këtë janar, Bogdani thekson se pret datën 31, kur do të vendosë përfundimisht të ardhmen. Më tej ndalet tek sulmi kuqezi, me Salihin dhe Çanin në një moment negativ, duke dhënë edhe mendimin e tij porsa më sipër. Në fund, një ide sa i përket çështjes më të nxehtë, asaj të Adnan Januzajt. Sipas “Bogu”-t, federata nuk duhet t’i lutet lojtarit, pavarësisht talentit të padiskutueshëm që ai disponon.

Flitet shumë në media për ju, për oferta nga Leçe, Mesina, Siena, ku do të shkojë Bogdani?

Për të qenë i sinqertë, nuk e di ende. Kam pasur oferta nga këto ekipe, por edhe të tjera, mirëpo e kam pasur shumë të vështirë që të vendos. Në momentet në të cilat ndodhem, them se do të pres deri më 31 janar kur është edhe dita e fundit e merkatos dhe më pas do të vendos: ose do firmos edhe një kontratë të fundit, ose do i jap fund karrierës futbollistike me kaq.

Thatë që nuk keni vendosur. Kjo ka qenë për shkak të ofertave të ulëta financiare apo për shkak të emrave të klubeve që ju kanë kërkuar?

Ju siguroj që nuk bëhet fjalë për anën financiare. Kur një lojtar vjen në fundin e karrierës dëshiron që ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme, që ta mbajë mend për gjithë jetën. Unë këtë kam synuar që në merkaton e verës së vitit të kaluar. Doja që të luaja të paktën në Serinë B dhe te Siena do të shkoja pa diskutim, por nuk u bë gjë. Sa për dijeni, në verë Leçe më bëri një ofertë financiare shumë të mirë, aq sa asnjë skuadër e Serisë B dhe disa të Serisë A nuk ta bëjnë, por refuzova sepse nuk doja të luaja në Kategorinë e Tretë.

Jeni bërë pishman tani?

Nuk e di. Një mendje më thotë që gabova dhe një tjetër që bëra mirë, pasi në fund të fundit dua ta mbyll karrierën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Me çfarë jeni marrë deri tani?

Jam stërvitur rregullisht vetëm dhe me përgatitës atletik, pasi dua që ta mbaj trupin në formë dhe të jem i gatshëm për çdo skuadër ku mund të firmos. Sigurisht, nuk mund të them se jam në një nivel edhe me lojtarët e tjerë që janë në aktivitet, ndaj edhe nëse do nënshkruaj për një skuadër gjatë kësaj merkatoje do të më duhet edhe një muaj e shumta që ta marr veten dhe të jem i gatshëm të zbres në fushën e lojës. Gjithnjë bëhet fjalë për skuadra të një niveli të konsiderueshëm, pra në Serinë B.

Thatë që ju intereson më shumë skuadra me emër sesa pjesa financiare, atëherë pse nuk vini ta mbyllni karrierën në Shqipëri te Tirana apo Partizani?

Keni të drejtë në këtë mes, pasi janë që të dyja skuadra me emër dhe do të ishte normale deri diku që ta mbyllja karrierën te këto klube. Mirëpo, unë kam parë edhe pjesën tjetër, atë familjare. Unë kam ngritur një familje këtu në Itali dhe e kam shumë të vështirë që në këto momente të largohesha në një vend tjetër. Sakaq, përtej emrave të Tiranës apo Partizanit, duhet ta pranojmë që në tërësi futbolli shqiptar është në një nivel të dobët, ndaj nuk do ta shikoja si një arritje fundin e karrierës në Superiore.

Për të mbetur këtu, realisht keni pasur ndonjë ofertë nga Tirana apo Partizani?

Jo, nuk kam pasur asnjë ofertë, ndonëse do i refuzoja për arsyet që iu thashë pak më lart. Shikoni, nëse do zgjidhja që të pranoja një ofertë jashtë Italisë, atëherë ju siguroj se do të kisha preferuar të shkoja në Japoni.

Keni pasur oferta së fundmi?

Po, ish-trajneri im Fikadenti ka shkuar në atë vend dhe ka marrë drejtimin e skuadrës së Tokios. Ai më ka thënë disa herë që të shkoj atje dhe natyrisht edhe kontrata do jetë shumë herë më e mirë. Ruaj ende kontaktet me Fikadentin, ndaj të shikojmë deri më 31 janar, pasi gjithçka mund të ndodhë, pavarësisht se prioritet mbeten skuadrat në Itali.

Nëse nuk do të firmosni, do të thotë që do e lini përfundimisht futbollin?

Po, 31 janari vendos gjithçka: ose firmos, ose e lë përfundimisht futbollin.

Pak kohë më parë në një tjetër intervistë keni pohuar se në të ardhmen mund të punoni për federatën shqiptare…

Ekziston edhe ky opsion. Sigurisht unë nuk kam pasur ndonjë bisedë për këtë gjë, pasi zyrtarisht nuk e kam lënë futbollin, por në të ardhmen, ashtu sikundër shumë ish-lojtarë, edhe unë do mundohem të kontribuoj për çfarë do të më kërkohet.

E dini që Altin Lala është bërë ndihmës i De Biazit?

Po, e kam lexuar në media, por nuk kam folur me Altinin në telefon. Realisht më vjen mirë për të. Është një nga ata lojtarë që i kanë dhënë shumë Kombëtares, ndaj gjykoj se është vepruar drejt me afrimin e tij. Jam i sigurt se eksperienca që ka akumuluar Altini në vite do i shërbejë De Biazit dhe skuadrës sonë.

Ndalemi pak te Kombëtarja, De Biazi ka shprehur qartazi shqetësimin e tij për sulmin kuqezi: ju jeni larguar, Salihi është pa skuadër, ndërsa Çani në një moment të vështirë…

Më vjen keq, por edhe kjo është një situatë që duhet kaluar sa më shpejt që të jetë e munduar. Së pari, unë mendoj se Shqipëria nuk e ka luksin që të mos thërrasë një si Salihi, pavarësisht se sot është pa skuadër. Ai për mua është një nga ata sulmues që, edhe në një ditë të keqe, mjafton t’i çosh një top te zona se të nxjerrë nga situata.

Do ishit pro Salihit edhe nëse ai do luante në Shqipëri?

Absolutisht po. E thashë: Salihi është tjetër profil sulmuesi. Është një nga ata lojtarë që bën diferencën, më së shumti për nuhatjen që ka për golin. Por ju harroni edhe një tjetër sulmues, që çuditërisht për mua është lënë jashtë nga De Biazi: Edmond Kapllani. Për mendimin tim, ai është ende në gjendje që t’i japë shumë skuadrës sonë kombëtare, ndaj nuk duhet lënë jashtë skuadre.

Po Çani?

Edgari është në një moment të keq të karrierës së tij, por ju siguroj se është një lojtar me potencial që nuk duhet humbur. Unë gjykoj se me Çanin në këtë kohë duhet punuar shumë psikologjikisht, pasi ai ka humbur besimin në vetvete, por mbetet një sulmues shumë i mirë. Në fund të fundit, duhet ta pranojmë: këta janë lojtarët tanë dhe drejtuesit duhet të bëjnë të pamundurën për t’i rikuperuar. Unë gjykoj se një trajner i mirë nuk është i tillë vetëm se sjell lojtarë të rinj, por edhe se arrin të rikuperojë ata me eksperiencë, që në periudha të caktuara mund të mos jenë në topformë.

Cili është mendimi i Bogdanit sa i përket Adnan Januzajt, apo edhe Valmir Berishës?

Përtej faktit se janë talente të padiskutueshme, gjykoj se po bëhet shumë zhurmë për këtë lojtarë, sidomos për të parin. Personalisht kam një mendim krejt tjetër. Më kujtohet kur kam shkuar për herë të parë në Kombëtare dhe më besoni, kisha një ndjenjë të jashtëzakonshme. Isha si një fëmijë i lumtur që merr në dorë lodrën e parë. Nuk di sesi ta përshkruaj atë moment. Dhe më besoni, unë kam luajtur në Itali në stadiume me 60 mijë tifozë, kundër skuadrave të mëdha dhe emrave më të mirë të futbollit botëror, por kisha komplet tjetër ndienjë, krenari dhe nder kur luaja me Kombëtaren. Thënë këtë, nëse një lojtar nuk e ndien si një detyrim që të kontribuojë për ekipin përfaqësues, atëherë është më mirë që ai të mos jetë pjesë e atij ekipi.

Po thoni që nuk na duhet një si Januzaj?

Jo, nuk thashë atë gjë. Shqipërisë i duhen shumë lojtarë si Januzaj, por ama unë nuk gjykoj se ne duhet t’u lutemi këtyre lojtarëve. Ata vetë duhet ta ndjenjë një gjë të tillë, në të kundërt është e kotë. Çdo lojtar fanellën e Kombëtares e ka më shumë çështje prestigji, krenarie dhe nderi. Askush nuk përfiton financiarisht në këtë skuadër, prandaj cilido lojtar që e vesh atë fanellë, më së pari duhet ta shikojë si detyrim ndaj vendit dhe kombit. Nëse nuk e shikon në këtë lloj mënyre, çfarëdolloj gjëje që të bëjë federata, nuk do të ketë vlerë.