e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sampdoria nuk heq dore nga Ujkani

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sampdoria nuk heq dore nga Ujkani
Samir Ujkani mbetet prioritet i Sampdorias. Drejtori sportiv i klubit italian, Pasquale Sensibile, e ka konfirmuar objektivin kryesor për portën e klubit nga Serie B italiane. "Nuk ka asgjë të re, por ne nuk e kemi fshehur kurrë faktin se për pozitën e portierit e kemi ëndërr dhe objektiv numër 1 një lojtar mjaft të ri, i cili aktualisht luan në Serie A, në bashkëpronësi të Palermos e Novarës", ka thënë fillimisht në konferencë për shtyp Sensibile.

Ish drejtori sportiv i Novarës është i vetëdijshëm se për ta sjellë Ujkanin në qytetin e Genovës nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, ai nuk dorëzohet.

"Nuk është një pistë e lehtë, por në futboll vështirësitë nuk do të thonë pamundësi. Në media ditëve të fundit janë shkruar emra të shumtë si Maninger, Storari, Andujar, por ne e kemi vetëm një objektiv", vijoi ai.  Ditëve të fundit flitet se Ujkani mund të rikthehet në Palermo, pasi që klubi sicilian nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me portierin Sirigu.