Sampdoria hedh syte nga De Biazi, por ai tani nuk pranon me oferta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sampdoria po interesohet për trajnerin e kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ndonëse ky i fundit ka nënshkruar pak kohë më parë rinovimin e tij për dy vitet e ardhshme në drejtimin e kuqezinjve. Lajmi është publikuar në mediat italiane, ku De Biazi shihet si një kandidat shumë serioz për të marrë vendin e Delio Rosit, gjithnjë e më shumë pranë shkarkimit nga drejtimi i kësaj skuadre. Por De Biazi për momentin ka udhëzuar përfaqësuesit e tij të refuzojnë çdo lloj oferte, pasi është i përqendruar vetëm te Shqipëria.
Ka qenë gazeta e krahinës së Ligurias, “Il Secolo XIX” që ka publikuar emrin e trajnerit të përfaqësueses shqiptare si një kandidat serioz për të marrë drejtimin e Sampdorias. Delio Rosi, trajneri aktual, nuk po arrin të largojë skuadrën nga fundi i tabelës së klasifikimit dhe për këtë arsye, presidenti Garrone ka udhëzuar drejtuesit që t’i sjellin një listë me emra të mundshëm që plotësojnë kriteret për të marrë drejtimin e skuadrës. Në listë figurojnë Zdenek Zeman, Euxhenio Korini, Edi Reja, Sinisha Mihajloviç, Devis Manxhia, Masimo Fikadenti dhe pikërisht Xhani De Biazi. Këto janë emrat prej të cilëve do të zgjidhet trajneri i ardhshëm i Sampdorias, gjithmonë nëse Delio Rosi nuk arrin të bëjë kthesën e madhe dhe të kthejë ekipin në nivele të larta.
Por që tani, drejtuesit e Sampdorias duhet të heqin nga kjo listë emrin e De Biazit, pasi ky i fundit është i vendosur të mos kthehet mbrapsht në rrugën e nisur me përfaqësuesen shqiptare. Qëndrimi i tij në drejtimin e kombëtares, nuk ka të bëjë me detyrime të mundshme financiare për prishje të njëanshme të kontratës, por me faktin se De Biazi është ambicioz. Trajneri italian kërkon që të fitojë emër në drejtimin e përfaqësueses shqiptare dhe për këtë arsye ka insistuar për të rinovuar kontratën e tij me kuqezinjtë.
Për këtë arsye, ka qenë ky i fundit që ka udhëzuar përfaqësuesit e tij që të refuzojnë çdo ofertë të mundshme që vjen në adresë të tij, pasi aktualisht mendon vetëm për drejtimin e kombëtares shqiptare. De Biazi është i sigurt se një kualifikim i mundshëm i Shqipërisë në fazën finale të një aktiviteti madhor, do të ishte për të një reklamë shumë më e mirë sesa një eksperiencë në drejtimin e një skuadre të Serisë A që ka si qëllim renditjen në mesin e tabelës së klasifikimit apo mbijetesën. Për të tërhequr vëmendjen e një skuadre të madhe, drejtimi me sukses i Shqipërisë është një rrugë shumë më e shkurtër sesa kalimi nga një klub në tjetrin, duke ngjitur shkallët në hierarkinë e trajnerëve të suksesshëm.
Kjo është arsyeja pse De Biazi firmosi rinovimin me kuqezinjtë dhe refuzoi gjatë verës disa oferta që kishin ardhur në adresë të tij, si Olimpiakos në Greqi apo APOEL në Qipro.