e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Runi feston ditelindjen me 'armiqte' e Sitit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Runi feston ditelindjen me 'armiqte' e Sitit
Sulmuesi i “djajve” në karaoke bashkë me Hartin dhe Berrin Tifozët e Junaitidit mblidhen pak orë pas humbjes 6-1 në derbi

Humbja e thellë që ka pësuar Junaitidi ndaj Sitit nuk ka penguar Runin që të festojë ditëlindjen me disa prej lojtarëve të “qytetarëve”. Sulmuesi mbushi në ditën e derbit 26 vjeç dhe kishte rezervuar një restorant kinez. Në listën e të ftuarve të tij ishin dhe portieri i “qytetarëve” Xho Hart, mesfushori Garet Berri dhe disa lojtarë të tjerë të shoqëruar nga partneret e tyre. Një lajm i tillë nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e 19-të herë kampionëve të Anglisë, të cilët nuk patën kohë as të kapërdinin humbjen më të thellë në historinë e klubit në derbin me armiqtë e betuar. Një nga dëshmitarët tha për tabloidin “The Sun” se Uejni nuk ishte aspak në humor për të festuar datëlindjen e tij, por duke qenë se gjithçka ishte organizuar përpara ndeshjes, ai duhet të priste miqtë e tij, që në këtë rast ishin edhe dy nga futbollistët milionerë. “U befasova kur pashë të futeshin në restorant pas Runit edhe lojtarët e Mançinit.

Ne prisnim që portieri të mos i lejonte të hynin brenda, duke i thënë se nuk ishin të ftuar. Por kjo tregon edhe një herë tjetër miqësinë mes lojtarëve që shkon përtej rivalitetin në fushën e lojës”, - tha dëshmitari. Numri “10” i “djajve” e kishte prenotuar të gjithë restorantin mbrëmjen e së dielës dhe pas shtrimit të një banketi, ata kishin shkuar në anën tjetër të sallës për të kënduar në karaoke. Nga Junajtid nuk kanë dashur t’i japin nota emocionale një feste të tillë, ndërsa klubi konfirmoi se gjithçka ishte planifikuar më parë dhe nuk mund të anulohej një festë datëlindjeje pavarësisht humbjes në një ndeshje kaq të rëndësishme. “Runi në fillim dukej shumë i rënë moralisht, por me kalimin e orëve në festë ai erdhi në formë”, - thanë persona të afërt pranë sulmuesit të Anglisë. Skuadra e Fergusonit renditet e dyta, 5 pikë pas Sitit, i cili me dy gola të Balotelit dhe Xhekos, por dhe ata të Agueros dhe Silvës, i siguruan “qytetarëve” një rezultat historik në “Teatrin e Ëndrrave”. Siti kishte 37 vite që nuk fitonte në shtëpinë e Junajtidit. Ata kishin fituar për të fundit herë në vitin 1974 kur i mundën me rezultatin minimal 1-0.

Xho Hart: Më kërcënuan

Portieri i Mançester Sitit dhe i kombëtares angleze Xho Hart pohoi pak orë pas derbit se ka marrë kërcënime me vdekje nga tifozët e Junajtidit gjatë ndeshjes në “Old Trafford”. Pak minuta pasi la fushën, gardiani i portës së Sitit u dëgjua t’i thoshte shokut të skuadrës Xhejm Milner në mikrofonat e “Sky”-it: “Më kanë kërcënuar me vdekje gjatë gjithë pjesës së dytë”. Numri 1 i kishte tifozët e “djajve” pas shpine në 45 minutat e dyta të derbit. Veç rastit të golit, ai nuk është se është shqetësuar shumë nga sulmet e skuadrës së Fergusonit. Gjithsesi, i pyetur më vonë direkt nga mikrofonat e televizionit, 24-vjeçari tha se nuk ishte e vërtetë që kishte marrë kërcënime, por thjesht kishte bërë humor me shokun e skuadrës. Policia e Mançesterit ishte angazhuar maksimalisht për të shmangur çdo incident si brenda fushe, ashtu edhe jashtë stadiumit. Në një deklaratë për shtyp pas ndeshjes ata falënderuan tifozët e të dyja skuadrave që nuk shkaktuan asnjë incident mes tyre, duke siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes.

Venger: Tani Fergusoni e kupton si jam ndjerë unë

Arsen Venger e di shumë mirë se si është ndjerë Aleks Fergusoni pas humbjes 6-1 me Sitin, sepse të njëjtat emocione i ka ndjerë edhe vetë kur “djajtë” i poshtëruan 8-2 pak javë më parë. Nuk kanë kaluar as dy muaj që kur Arsenali humbi me rezultatin e thellë (8-1) në “Old Trafford” dhe trajneri francez pranoi se pas këtij rezultati nuk e parashikonte kurrë që Junajtidi të humbte me të tilla shifra. “Është një rezultat surprizë, por edhe Franca për pak sa nuk e mundi Zelandën e Re në një ndeshje regbije dhe kjo ishte gjithashtu një surprizë. Është e njëjta situatë kur ‘djajtë’ na mundën 8-2. Rezultate të tilla nuk kanë ndonjë domethënie të veçantë, por thjesht ndodhin gjatë dinamikës së një ndeshjeje. Kur je në një pozitë që të duhet të sulmosh edhe pse je me 10 lojtarë ndaj një skuadre të mirë, atëherë je i predispozuar të humbasësh thellë. E kuptoj dëshpërimin e Fergusonit. Në një ndeshje të tillë nuk humbet 3 pikët, por rezultati të mbetet i fiksuar në kokë për shumë gjatë”.