e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rregullat pas liberalizimit, dokumente dhe sqarime per udhetimin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rregullat pas liberalizimit, dokumente dhe sqarime per udhetimin
Lëvizje pa viza në Europë nuk do të thotë lëvizje pa detyrime. Ndonëse pas 15 dhjetorit të këtij viti qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të lëvizin me pasaportën e tyre biometrike drejt vendeve të Europës, në kufijtë ajrorë, tokësorë dhe detarë, ata duhet të paraqesin disa dokumente shtesë, përmes të cilave do të justifikojnë qëndrimin e tyre në vendet e BE-së.

Kështu, në rast se qytetarët shqiptarë do të shkojnë për qëllime mjekësore, ata duhet të paraqesin në kufi edhe korrespodencën me institucionin shëndetësor ku do të shkojnë. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë të cilët lëvizin për qëllime turistike, duket të tregojnë në kufi rezervimin e hotelit. Po kështu, në rast se ata vizitojnë të afërm të tyre në ndonjë nga vendet europiane, atëherë ata do të detyrohen të paraqesin adresën ku do të qëndrojnë dhe po kështu kontaktet telefonike të personit që do t’i presë.

 Në të gjitha rastet qytetarët shqiptarë duhet ta justifikojnë nga ana monetare qëndrimin e tyre në vendet e BE-së. Po kështu është e rekomandueshme që së bashku me biletën e vajtjes, të paraqitet edhe një biletë kthimi, për të qenë më transparentë në lidhje me itinerarin e tyre të udhëtimit. Është e udhës që secili nga udhëtarët t’i bindë strukturat e policisë kufitare që e ka të justifikuar udhëtimin e tij dhe po kështu se do të kthehet përsëri në vendin e tij.

 Nga ana tjetër, mosrespektimi i këtyre masave mund të sjellë pasoja të rënda për vazhdimësinë e udhëtimeve të qytetarëve në Europë. Kështu, qytetari shqiptar, për mosrespektim të rregullave të hyrjes, mund të gjobitet me shuma që arrijnë deri në tre mijë euro. Por në rast shkeljesh, vendet anëtare kanë të drejtën t’ia pezullojnë një shqiptari udhëtimin në vendet e Bashkimit Europian për pesë vite. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë duhet të fiksojnë në mënyrë përfundimtare se liberalizimi i vizave nuk u lejon atyre të drejtën të punojnë dhe të kërkojnë strehim në ndonjë nga vendet e BE-së.

Në rast se ata dëshirojnë të punojnë dhe të jetojnë në një nga vendet e Europës, atëherë ashtu si edhe më parë ata duhet të paraqiten pranë ambasadave të vendeve të BE-së në Shqipërisë, ku do të kenë mundësinë të pajisen me një vizë e cila do t’ju sigurojë mundësinë e punësimit dhe të strehimit. Me liberalizimin aktual, shqiptarët do të kenë mundësi vetëm të qëndrojnë në vendet e BE-së për tre muaj brenda aftit njëvjeçar. E drejta e lëvizjes së lirë u është siguruar tashmë të gjithave vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar shtetin e Kosovës.