e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rregullat ne Shengen:3 llojet e vizave qe do te ekzistojne edhe pas liberalizmit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rregullat ne Shengen:3 llojet e vizave qe do te ekzistojne edhe pas liberalizmit
Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë që duan të lëvizin në hapësirën Shengen, varet tani nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare që do të bëhet i njohur më 8 nëntor. Nuk janë të shumtë qytetarët e zakonshëm në Shqipëri që dinë çfarë përmban legjislacioni i vendeve në hapësirën Shengen për hyrjen në këtë hapësirë. Gazmend Turdiu, diplomat karriere, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, thotë për “DW” se ky legjislacion përmban katër lloje vizash, që emërtohen sipas katër shkronjave të para të alfabetit.

 “Viza A është viza tranzit, aero-portuale, është ajo vizë me anë të së cilës kontrollohet kalimi tranzit, në zonën e aeroportit. Shqiptarët nuk e kanë provuar këtë lloj vize në hapësirën Shengen, por vetëm kur udhëtojnë në aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar. Viza e llojit B është viza tranzit, që vlen për të hyrë nga njëra pikë e kufirit të një vendi të hapësirës Shengen në atë të një vendi tjetër, ku nuk mund të qëndrosh më shumë se pesë ditë. Viza C është viza e qëndrimit afatshkurtër, që i lejon çdo qytetari të hyjë në hapësirën Shengen, të qëndrojë 90 ditë në 180 ditë apo 6 muaj, të cilat mund t'i shpenzojë të gjitha njëherësh ose mund të hyjë një numër të pakufizuar herësh por shuma e të gjitha ditëve të qëndrimit duhet të jetë 90. Kusht i rëndësishëm është që gjatë kësaj periudhe personi nuk ka të drejtë të punojë”.

Qëndrimi afatshkurtër pritet të hiqet edhe për Shqipërinë

Është pikërisht kjo lloj vizë, viza C, e qëndrimit afatshkurtër që pritet të hiqet edhe për Shqipërinë dhe B-H më 8 nëntor. Por ka edhe një vizë tjetër që njihet si viza D ose e ndryshe e qëndrimit afatgjatë. “Ajo merret nga ata persona që kanë siguruar një kontratë pune. Me këtë vizë paraqiten në vendin e hapësirës Shengen, ku do të punojnë dhe marrin leje- qëndrimi. Këtë vizë e marrin edhe të gjithë ata që bëjnë bashkim familjar, që studiojnë në një vend të zonës Shengen për periudha më të gjata se 90 ditë në 6 muaj. Vendet e BE, të hapësirës Shengen nuk liberalizojnë këtë lloj vize", thotë Turdiu. Kjo do të thotë se të gjithë qytetarët e Shqipërisë që kërkojnë të shkojnë në vendet e hapësirës Schengen për qëndrime më të gjata se 90 ditë duhet të paraqiten në zyrat konsullore të ambasadave të vendeve të BE në Tiranë, me dokumentacionin përkatës.

Asgjë nuk ndryshon në regjimin e vizave për qëndrim afatgjatë

Luigi Brusa, kryetari në detyrë i delegacionit të BE në Tiranë, thotë për “DW” se për të gjitha rastet e qëndrimit më të gjatë se 90 ditë do të vazhdojë, si deri më tani, regjimi i vizave, paraqitja e dokumentacionit zyrtar përkatës, plotësimi i formularëve. “Personat që dëshirojnë të qëndrojnë në vendet e hapësirës Shengen, për një kohë më të gjatë, për punë, studime apo arsye të tjera, duhet të aplikojnë në zyrat konsullore. Lidhur me vizat e qëndrimit afatgjatë asgjë nuk do të ndryshojë,” thekson ai.

Procedura nacionale nga secili vend i hapësirës Shengen

Për këto lloj vizash BE ka legjislacionin përkatës të unifikuar në të gjitha vendet anëtare. Por nga ana tjetër, secili vend gëzon të drejtën për të patur veçoritë e veta kombëtare, lidhur me procedurat e dhënies së vizave afatgjata. “Çdo shtet ka specifikat e veta, që reflekton përmes legjislacionit të tij. Nëse flasim për parime të njëjta në aspektin e përgjithshëm, kur vjen fjala për detaje, aty pastaj është legjislacioni i secilit vend që vendos”, thotë Gazmend Turdiu. Zyrat konsullore dhe sektori i vizave në ambasadat e vendeve të BE në Tiranë do të vazhdojnë të përmbushin kërkesat e qytetarëve të Shqipërisë për viza të qëndrimit afatgjatë.