Rrefimi i Salihit, shorti i Boterorit dhe e ardhmja me Skenderbeun
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mes Kombëtares dhe aventurës Europiane të kampionëve të Shqipërisë. Shorti i Rusi 2018 dhe përballja e Skënderbeut me Milsamin në raundin e tretë kualifikues të Championsit, janë temat sportive të ditës, dhe të dyja kanë të bëjnë me Hamdi Salihin. Sulmuesin e kombëtares që po jep me sukses kontributin e tij në skuadrën korcare. Goglat e shortit kanë vendosur Shqipërinë në një grup të vështirë, por Salihi gjeneron optimizëm duke përdorur si shembull fushatën e kuqezinjve në eleminatoret e Euro 2016.
“Edhe kur u shortuam për Europianin askush nuk e mendonte që ne do të ishim pretendntë për tu kualifikuar në këtë grup, por fusha tregoi të kundërtën dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në Botëror, pasi duke patur përballë ekipe të mëdha edhe motivimi ynë dhe i tifozëve do të jetë akoma më i madh”.
Por kujdes kualifkueset e Rusi 2018 nuk janë vetëm emrat sensacionale Spanja, dhe Italia. Izraeli është një kundërshtar i panjohur për shqipërinë, dhe atë e prezanton Salihi, një futbollist që ka kaluar 18 muajt e fundit në Izrael.
”I kam ndjekur ndeshjet e tyre. Ata kanë një kombëtare të fortë që ka shumë talente dhe janë në rritje,. Do të jetë padyshim një kundërshtar shumë i vështirë për ne”.
Nga Kombëtarja te Skënderbeu, kampionët e Shqipërisë gjenden përballë një shansi historik me Milsamin. Salihi e di se në transfertë do të duhet një ndeshje në kufijtë e perfeksionit, por kundërshtari është i kalueshëm.
”Që pas ndeshjes me Crusaders kemi menduar për Milsamin, jemi përgatitur me seriozitet maksimal cdo ditë dhe kemi parë cdo ditë ndeshjet e tyre. Mendoj se jemi me fat që kemi një kundërshtar pak a shumë në nivelin tonë. Do të na duhet pak edhe ndihma e fatit për tyë bërë mirë atjë në mënyrë që më pas ta kemi më të lehtë për të siguruar kualifikimin në ndeshjen e kthimit”.
Një pikëpyetje e madhe qëndron edhe mbi të ardhmen e Salihit. A do të qëndrojë ai edhe pas përfundimit të sezonit te kampionët e Shqipërisë. Sulmuesi nuk flet para kohe por lë të kuptohet se me kualifikimin ndaj Milsamin bashkë me ecurinë të paktën deri në grupet e Europa League Skënderbeu do të fitonte edhe Salihin.
“Të arrijmë një herë deri atje, pasi nëse Skënderbeu do të shkonte deri në grupet e Europa League kjo do ta bënte të lehtë zgjedhjen edhe për mua. Gjithsesi sido që të shkojnë gjërat unë jam i lumtur që po jap kontributin tim këtu dhe po e shijoj këtë aventurë me Skënderbeun”.