Rrëfimi/ Ja si Trapatoni i shpëtoi për mrekulli atentatit terrorist
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i njohur italian Xhovani Trapatoni ka rrëfyer se si i ka shpëtuar atentatit terrorist të ndodhur pak ditë më parë pranë resortit Gran Bassam, rreth 40 km nga Abdjan, në Bregun e Fildishtë, ku mbetën të vrarë 18 persona dhe u plagosën 33 të tjerë.
Sipas portalit "calciomercato.com", Trapatonit i ishte ofruar drejtimi i kombëtares dhe vendi i qëndrimit ishte hoteli ku ndodhi atentati terrorist.
Mediat italiane shkruajnë se trajneri që pritet të mbush 77 vjeç pas pak ditësh, rrëfeu ngjarjen para mikut të tij dhe gazetarit italian, Marko Bernardini dhe më pas, ky i fundit e publikoi atë.
"E di Marko, duhet të ketë një shenjtor që më mbron nga atje lart, ose shumë e thjeshtë, ka ndërhyrë motra ime që ka shkuar në qiell dy vjet më parë.
Pra, javën e kaluar duhet të nisesha për në Bregun e Fildishtë ku më prisnin për të më dorëzuar kombëtaren e futbollit.
Një kontratë 1-vjeçare dhe një vend përrallorë për të jetuar. Besoj tamam në atë hotel luksoz ku ata kafshët që erdhën nga deti me varka dhe të fshehur pas alibisë së një lufte fetare, kanë bërë masakër. Me sa duket, nuk është koha për të shkuar nëpër botë",-ka thënë ai.
