e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Rikonstruksioni i 'Selman Stermasit', peng i se kaluares

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rikonstruksioni i 'Selman Stermasit', peng i se kaluares

Stadiumi “Selman Stërmasi” ka mbërritur në fazën finale të punimeve, por dy lokalet ngjitur po bllokojnë fasadën për t’u rikosntruktuar. Shumë pak duhet që të kemi një stadium bashkëkohor për bardheblutë e Tiranës, që presin shtëpinë e vjetër të rikonstruktohet. Prej muajsh kanë filluar punët e para, por ato u intensifikuan rreth majit. Shoqëria e re aksionere po kërkon të ristrukturojë gjithë stadiumin. Madje, po punohet edhe për fasadën hyrëse të stadiumit prej më shumë se dy javësh. Po pikërisht këtu është edhe çmenduria më e madhe. Në stadiumin “Selman Stërmasi” ashtu si edhe në stadiumin “Qemal Stafa”, nga ana e atyre që administronin këtë impiant më parë, janë dhënë me qira dy ambiente përpara tribunës. Janë dy biznese që duket qartë se kanë bllokuar rindërtimin e plotë të fasadës dhe bllokimin e punimeve.

Edhe pse janë vënë skelat për të rregulluar fasadën e stadiumit, sërish dy bizneset që janë anës hyrjes së stadiumit qëndrojnë si pykë dhe në fund të punimeve sërish ato do ta shëmtojnë të gjithën. Pra gjasat janë që edhe pas rikonstruktimit të stadiumit gjendja të jetë e njëjtë. Një stadium i rindërtuar dhe dy copëza stadiumi që janë marrë me qira nga privatët shumë vite më parë me kontrata shumë të ulëta që do të vazhdojnë për punën e tyre. Në klubin Tirana nuk kanë dashur të prononcohen për çështjen.

Flitet se me ardhjen e bashkisë së re do të diskutohet edhe këto dy çështje që duhet thënë se kanë kontrata të rregullta. Tirana mendon se duhet ta merrte stadiumin pa ndonjë barrë në kurriz siç bëri shteti me stadiumin “Qemal Stafa”, kur ia kaloi FSHF-së. Ndërkohë, për që ata që nuk e dinë bizneset mendohet se janë të lidhur me të afërm të ish-kryeministrin e vendit Fatos Nano. Gjithsesi, nuk dihet qartësisht se si janë firmosur kontratat asokohe, ndonëse tani mjedisi para impiantit shëmton stadiumin që rikonstruktohet. Muajt në vazhdim do të tregojnë se çfarë do të ndodhë me pjesën ballore të stadiumit.

Kujtojmë që tashmë me 66 % të aksione, Refik Halili dhe të tjerët janë pjesa e shumicës në shoqërinë aksionere. Ata pretendojnë një të ardhme të shkëlqyer për Tiranën. Gjithsesi, presidenti i klubit bardheblu është shprehur i hapur edhe për aksionerë të tjerë. Pjesa tjetër e aksioneve do të jetë e Bashkisë së kryeqytetit. Synimet kryesore të shoqërisë bardheblu, janë rikonstruksioni i stadiumit “Selman Stërmasi”. Maksimumi 9600 tifozë, tribuna të zgjeruara, një fushë e re dhe impianti i ndriçimit që pritet të instalohet për çështje kohe.

Stadium i dytë për nga rëndësia në kryeqytet, ka marrë një tjetër pamje, pavarësisht se punimet janë ende në proces e sipër dhe duhet të presim për të parë një ndeshje zyrtare. Rikonstruksioni i stadiumit “Selman Stërmasi” ka qenë një iniciativë e shoqërisë aksionere “Tirana”, bashkangjitur një ndihme nga FSHF për tapetin e ri dhe kullat e ndriçimit, që mund të jenë dhuratë po nga ky institucion. Punimet kanë nisur që në muajin janar dhe me shumë gjasa deri në gusht gjithçka do të jetë e përfunduar.

Tribuna kryesore e stadiumit do të mbajë 1500 vende. Në këtë ambient do të akomodohet personazhet VIP, sektori i medias dhe me shumë gjasa, një kontingjent i tifozëve do të ketë një abone njëvjeçare. Në këtë sektor të stadiumit kangjellat janë hequr, ndërkohë që është rindërtuar vendi i pankinave që do të kenë një pamje të re. Ambientet e brendshme do të rikonstruktohen plotësisht, ndërkohë që është parashikuar që brenda këtyre mjediseve të jenë dhe zyrat e klubit. Në krah të dy tribunave kryesore, do të jenë anekset, që parashikohet të kenë një kapacitet prej 1 mijë vendesh secila. Është parashikuar, që në të djathtë të vendoset në mënyrë permanente tifozëria mike, sa herë që Tirana do të luajë në kryeqytet. Në këndet e tribunave, si kryesore dhe përballë, janë ndërtuar 4 tualete publike për tifozët. Tribunat anësore nuk janë rikostruktuar. Klubi mendon që në këtë hapësirë të vendosë banderola me vlerë publicitare, të shtrira në formë vertikale, që japin idenë një koreografie 3D.

Largësia e tribunave me fushën e bëri klubin të mendojë që në këto dy sektorë, si në jug ashtu dhe në veri të stadiumit të mos ketë tifozë, por të shfrytëzohet për qëllime marketingu. Tribuna përballë do të jetë e ndarë në tre sektorë. Sektori kryesor, ai ballor do të mbajë peshën kryesore të tifozërisë dhe në këtë sektor mendohet të akomodohen maksimumi 5 mijë tifozë. Dy anekset e tribunës përballë janë konceptuar për t’u përdorur nga tifo grupet bardheblu, apo në rastet kur klubi dëshiron të promovojë sektorë të veçantë për fëmijë, të rinj apo femra. Tribuna përballë do të ketë tri hyrje, që gjithashtu i janë përfshirë rikonstruksionit. Hëpërhë nuk është parashikuar që kjo tribunë e gjerë të jetë e mbuluar dhe mendohet që kjo mund të ndodhë në një fazë të dytë të rikonstruksionit. Për momentin është e pamundur të llogarisësh kostot e rikonstruksionit, por mendohet që deri tani të jenë shpenzuar rreth 500 mijë euro.

Tre miqësore për bardheblute

Tirana ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore me skuadrën maqedonase të Mllados CD në Mavrovë, takim të cilin bardheblutë e kanë fituar me rezultatin 2-1. Në axhendën e bardhebluve janë programuar edhe tre takime të tjera për t’u zhvilluar në ditët përgatitore, takime të cilat janë konfirmuar. Sot bardheblutë do të luajnë me skuadrën e Gostivarit, sërish në fushën e Mavrovës. Edhe ky takim do të luhet në orën 17:30 dhe trajneri Muça do të ketë mundësi të testojë sërish lojtarët e tij. Ndeshja e tretë në program është përcaktuar të luhet me skuadrën e Shkupit. Njësoj si një vit më parë, bardheblutë do të përballen me skuadrën që këtë sezon do të luajë në Superligën e Maqedonisë në një provë të rëndësishme. Edhe kjo ndeshje do të luhet në Mavrove, të mërkurën në orën 17:30. Ndeshja e fundit në axhendë është ajo me skuadrën maqedonase të Pelisterit. Ky takim do të zhvillohet ditën e shtune të javës se ardhshme qe përkon edhe me ditën e fundit të fazës përgatitore që Tirana ka programuar.