e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Riberi: Kam frike se Franca do te deshtoje

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Riberi: Kam frike se Franca do te deshtoje
Franca e Loren Blankut varet shumë tek ai. Por ajo finale e humbur e Champions- it me Bajernin, ka lënë gjurmë të pashlyeshme te Frenk Riberi. Fantazisti ka pranuar se fitimi i një titulli ndërkombëtar po i shndërrohet në makth, aq sa mund t’i kompromentojë shanset e dy herë kampionëve të Evropës në finalet e “Euro 2012″-ës. “Ishte shkatërrimtare të humbisje në shtëpi një finale. Isha me moralin në tokë, i dëshpëruar psikologjikisht dhe i sfilitur fizikisht.

U ndjeva keq për klubin, shokët e skuadrës dhe familjen. Nuk e kam kaluar edhe sot që ka mbaruar gjithçka”, – u shpreh 28- vjeçari për gjermanen “Kicker”. Dribluesi i formacionit të Jup Hejnkesit ka frikë se dështimi në Champions mund të ndikojë në shanset e Francës në Evropian: “Humbja dramatike më ka lënë me pasoja. Kam shumë frikë se nuk do të fitoj kurrë një trofe të rëndësishëm”. Kjo është hera e tretë që Riberi dështon të fitojë një kupë. Në vitin 2006 ai humbi finalen e kupës së botës përballë Italisë po me penallti. Katër vjet më vonë, ai nuk e udhëhoqi dot Bajernin në finalen e Champions-it në ‘Bernabeu’, sepse ishte i pezulluar, dhe Interi triumfoi 2-0. “Ishin trofe shumë të rëndësishëm.

Në futboll asgjë nuk është e sigurt, por po kaq e vështirë ka për të qenë edhe triumfi i Francës në Poloni dhe Ukrainë”, – shtoi ish-ylli i Marsejës. Riberi ka folur dhe për marrëdhëniet e tij të tensionuara me Arjen Robenin. Holandezi humbi penalltinë në finalen me Çelsin, ndërsa gjatë sezonit nuk i kanë munguar përplasjet me mesfushorin francez. Në dhomat e zhveshjes nuk kanë munguar as grushtet. Frenk e pranon se marrëdhëniet me Arjenin nuk janë më të mirat e mundshme. “Duhet thënë e vërteta. Nuk jemi shokët më të mirë në botë, por e respektojmë njëri-tjetrin.

Nuk bëhet fjalë për t’i shkuar dikujt fjala. Është çështje profesionale. Ne luajmë në një klub dhe duhet të bëjmë gjithçka për të arritur suksesin. Tani do të tentojmë t’i japim fund zhgënjimit në këtë Evropian. Ai me Holandën dhe unë me Francën. Shpresoj që të takohemi përballë”, – shtoi Riberi. Debutimi i transalpinëve do të jetë me Anglinë në Donetsk ditën e hënë. Riberi beson se një fitore në ndeshjen e parë të Grupit D do t’ua lehtësonte shumë punët francezëve: “I njohim anglezët. Kanë një kombëtare të fortë, por që vuajnë disi dëmtimet. Por në të njëjtën situatë do të jemi edhe ne. Shpresojmë të fitojmë dhe të hedhim një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit”.