e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rexhepi: Per Vetevendosjen do te kete pergjigje te njejte

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rexhepi: Per Vetevendosjen do te kete pergjigje te njejte
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se nëse Vetëvendosje i vazhdon siç tha ai “protestat e tilla”, përgjigjja e policisë do të jetë e njëjtë sikurse më 14 janar. Rexhepi për gazetën “Epoka e Re”, ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve dhe të mirave materiale do të jetë e garantuar në një shtet ligjor dhe funksional.

“Qëndrimi i Policisë së Kosovës është i njëjti, kështu siç kemi vepruar më 14 janar. Vetëvendosje! mund të përdorë metoda të tjera politike. E ka Kuvendin e Kosovës për t’i paraqitur veprimet. Nëse vazhdon kështu, Policia e Kosovës do ta kryejë punën e vet. Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe të mirave materiale do të jetë e garantuar në një shtet ligjor dhe funksional. Këtë edhe do ta bëjmë”, ka deklaruar Rexhepi , duke shtuar se obligimet e policëve të Kosovës janë permanente deri në pensionimin e tyre.

“Policët janë zbatues të ligjit. Ne nuk do të donim të shihnim situata të tilla, por sa herë të ketë situata të njëjta policia do të jetë e gatshme për t’i zbatuar rendin dhe ligjin”, ka thënë Rexhepi.

Drejtuesit e Vetëvendosje! kanë akuzuar se politikën që po ndjek Qeveria e Kosovës është tipike policore dhe kjo gjë, sipas tyre, po e bën Policinë e Kosovës politike.