e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Refuzim kuqezi! Gjokaj dhe Azemi nuk jane te interesuar, Kace do fanellen e Greqise...

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Refuzim kuqezi! Gjokaj dhe Azemi nuk jane te interesuar, Kace do fanellen e Greqise...
Dje trajneri i Kombëtares U-21, Skënder Gega, ka bërë publike listën e lojtarëve për miqësoren me Anglinë, e cila do të luhet më 16 tetor. Në të bie në sy se nuk ka ndonjë emër të ri, nga ata që janë proklamuar gjatë muajve të fundit. Kështu nuk është në këtë listë as Valentin Gjokaj, as Ilir Azemi dhe as Ergys Kaçe. Por sipas trajnerit Gega që të treve u është bërë nga një ftesë zyrtare, madje janë bërë edhe takime ekstra me familjarë dhe menaxherët e tyre me qëllim që ata të vishen kuqezi, por për momentin që të tre kanë refuzuar.

“Mua si trajner nuk më pëlqejnë shfajësimet , pasi tentoj gjithnjë që të bëj punën time sa më mirë dhe natyrisht të kem edhe rezultate dhe një skuadër sa më të fortë, por edhe pse u bëmë që të treve ftesa zyrtare, edhe pse kam folur personalisht me babanë e Valentin Gjokajt, si dhe me menaxherin e Ilir Azemit dhe të Ergys Kaçes, di t’ju them se nuk kemi pasur disponibilitet përkundrejt Shqipërisë nga këta lojtarë”, – ka konfirmuar Gega.

Valentin Gjokaj (19 vjeç) luan në Angli te Derbi Kounti dhe konsiderohet si një mbrojtës i fuqishëm dhe me të ardhme. Lojtari ka pohuar se donte të luante për Shqipërinë, por fakt është se jo vetëm nëpërmjet telefonit, por edhe nëpërmjet emaili- t, babai i tij ka konfirmuar se të paktën për këtë vit ai nuk dëshiron që t’i bashkëngjitet skuadrës shqiptare. Si justifikim është nxjerrë fakti që Gjokaj ka një ndeshje javës tjetër me ekipin e tij dhe duhet të jetë në dispozicion të trajnerit. E njëjta gjë pak a shumë edhe për sulmuesin e Grojther Furthit, Ilir Azemi.

I kontaktuar nga FSHF, menaxheri i lojtarit ka pohuar se për momentin Azemi nuk ka asnjë interes për asnjë kombëtare, qoftë kjo edhe ajo e Shqipërisë. Ndërkohë duhet theksuar se nëse për dy të parët ka akoma shpresa për t’i pasur në Kombëtare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushorin e PAOKut, Ergys Kaçe, menaxheri i të cilit ka pohuar se Kaçe do marrë pasaportën greke dhe do aktivizohet me kombëtaret e këtij vendi.