e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Reagon Takaj: Sebino zgjodhi rrjetet sociale, jo klubin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Reagon Takaj: Sebino zgjodhi rrjetet sociale, jo klubin

Pas pezullimit të sulmuesit Sebino Plaku, "Panorama Sport" ka kontaktuar me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj. "Ju konfirmoj se ne si drejtues kemi vendosur ta pezullojmë pa afat sulmuesin Plaku. E gjithë kjo ka ardhur për shkak se Plaku ka shkelur rregulloren e klubit.takajNuk kishte pse të kërkonte zgjidhje në mënyrë mediatike apo përmes rrjeteve sociale. Ka rrugë të tjera që klubi i quan më të përshtatshme për të kërkuar të drejtën e tij dhe për të shprehur shqetësimet", u shpreh fillimisht presidenti i Skënderbeut në lidhje me këtë çështje.

Më pas, Takaj theksoi se reagimi i lojtarit ishte jo normal. Ai paralajmëroi se për çështje të tilla do të ketë masa ekstreme. "Morëm këtë vendim për t'i treguar lojtarit se në rregulloren e klubit është e ndaluar që për problemet të kërkohet zgjidhje në media apo në rrjetet sociale.

Gjithçka është pjesë e rregullores së brendshme dhe një klub i madh i ka strikte këto rregulla. Unë thjesht nuk e kuptova përse Plaku reagoi në këtë mënyrë, pasi nuk kisha dijeni për një shqetësim të tillë të lojtarit, madje as e kishte përmendur më parë.

Nuk e di pse nuk kërkoi takim për të shfaqur pakënaqësinë e tij. Të gjithë në fund të fundit kanë reagime për diçka që i shqetëson, por askush nuk i bën këto publike nëpërmjet rrjeteve sociale, pa i konsultuar njëherë me drejtuesit e klubit. Në një kohë kur ne jemi të fokusuar te kampionati, nuk e dinim se ekzistonte një problem i tillë që shqetësonte Plakun", bëri të ditur kreu i klubit korçar.

Rivaliteti - Takaj siguroi se një zhvillim i tillë nuk do të ketë asnjë pasojë në ecurinë e ekipit, por nga ana tjetër bëri me dije se sot pritet mbledhja për të vendosur se sa do të zgjasë pezullimi i sulmuesit. "Ju siguroj se kjo nuk do të ndikojë aspak në ecurinë tonë.

Ne kemi 25 lojtarë në dispozicion dhe i kemi marrë që t'u bëjmë ballë të gjitha zhvillimeve, përfshi këtu dëmtimet dhe pezullimet për shkak kartonësh.

Pra, i kemi marrë të gjitha masat paraprake dhe asgjë nuk ia kemi lënë rastësisë. Të 25 lojtarët që kemi në grup janë të gjithë po aq të rëndësishëm sa edhe vetë titullarët. Ndërsa për sa i përket pezullimit të Plakut, do të ulemi nesër (sot) për të diskutuar, ku do të vendosim se sa do të jetë afati", ka përfunduar Takaj.