e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Raundi i trete per Presidentin, te premten

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Raundi i trete per Presidentin, te premten
Raundi i tretë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës me shumë gjasa do mbahet të premten. Ky të paktën është vullneti i mazhorancës, e cila ka kërkuar dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që votimi për raundin e tretë të zhvillohet në datën 8 qershor në orën 10:00, ndërkohë që opozita s’ka qenë dakord me këtë afat, duke kërkuar në fillim ditën e hënë dhe më pas të dielën si kohën kur duhet të mbahet seanca e radhës për zgjedhjen e presidentit. Kështu, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, menjëherë pas seancës plenare u mblodh dje Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën e zhvillimit të raundit të tretë për zgjedhjen e presidentit. Siç bëhet e ditur dhe në njoftimin për shtyp, të djathtët mbështetën propozimin që raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet ditën e premte, datë 08.06.2012, ora 10:00.

Por siç thuhet në këtë njoftim, ky propozim nuk u mbështet nga anëtarët e opozitës, të cilët propozuan dy data për zhvillimin e raundit të tretë. Fillimisht mësohet se propozuan që seanca e radhës të mbahet ditën e hënë datë 11.06.2012, ora 10:00. Dhe këtë, ata mësohet se e kanë argumentuar me nevojën për t’i lënë më shumë kohë për të gjetur një konsensus për emrin e ri të presidentit. Por një datë e tillë është kundërshtuar nga mazhoranca, e cila  ka vënë në dukje se mbajtja e raundit të tretë ditën e hënë del jashtë afatit kushtetues prej 7 ditësh, duke e llogaritur këtë kohë nga e hëna e djeshme kur u mbajt raundi i dytë.

Megjithëse nuk janë pajtuar me këtë logjikë, socialistët mësohet se janë tërhequr nga ky propozim dhe kanë kërkuar që raundi i tretë të mbahet ditën e diel, datë 10.06.2012, ora 10:00. Por sërish mazhoranca ka kundërshtuar, ndërsa ka theksuar se, nëse palët kanë vullnet për të arritur konsensusin, kjo mund të bëhet brenda së premtes. Ndaj për mungesë konsensusi, Konferenca vendosi që zgjedhja e njërit prej këtyre propozimeve të bëhet sipas Rregullores së Kuvendit në seancën e ardhshme plenare që do mbahet ditën e enjte dhe ku me shumë gjasa, për shkak se të djathtët kanë shumicën e votave, pritet të miratohet varianti i tyre që raundi i tretë i votimit të mbahet ditën e premte.