Rashica dhe Çekiçi smjaftojnë, Manaj krijon vetëm një rast
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kombëtarja U-21 ka barazuar pa gola në ndeshjen e mbrëmshme në "Elbasan Arena". Yjet e skuadrës së Redi Jupit ishin të paqartë në finalizimin e aksioneve, duke mos arritur të shënojnë dot.
Shpresat kuqezi rrezikuan jo pak të humbnin takimin përballë një Greqie të mirëvendosur në fushë. Edhe pse me një skemë tërësisht sulmuese, rastet e pastra përpara portës greke thuajse munguan. Inkursionet e Milot Rashicës dhe Endri Çekiçit nuk mjaftuan për t'u bërë dëm helenëve të rinj, ndërsa Rei Manaj ka qenë totalisht në hije.
Vetëm një rast i krijuar për 90 minuta është shumë pak për nga pritshmëritë që ka opinioni rreth talentit lushnjar.
Megjithatë, dje sulmuesi i Interit u markua rreptë nga kundërshtari, ndërsa në drejtim të tij erdhën pak topa. Shpesh Çekiçi, Rashica, por edhe Latifi, preferonin të godisnin nga distanca, po shënjestra e tyre ishte e gabuar.
Pjesa e parë
Kuqezinjtë mundohen të marrin inisiativën që në start, por e kanë të vështirë për të çarë në mbrojtjen greke. Ishportieri i Greqisë kampione Europe në vitin 2004, Antonis Nikopolidhis, tani në stolin e U-21, me taktikën që ndoqi, kërkoi t'u merrte mesfushën kuqezinjve.
Loja është e ekuilibruar për shumë minuta, ndërsa për ndezur 2100 tifozët e pranishëm në "Elbasan Arena", mjaftojnë daljet e shpejta nga krahët të Rashicës dhe Çekiçit.
Goditjet nga jashtë zone nuk krijojnë problem për portierët. Shqipëria edhe pse krijon volum loje, nuk arrin të bëhet e rrezikshme në zonën e kundërshtarit.
Manaj është shumë i shkëputur nga pjesa tjetër e ekipit dhe furnizohet pak. Në këto kushte, 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë
Loja rinis pa ndryshime, por me Shqipërinë më të karikuar. Qazim Laçi jep iluzionin e golit me një goditje nga jashtë zone, por neutralizon gjithçka portieri grek.
Jupi kërkon të ndryshoj diçka dhe gjatë këtij fraksioni sposton Rashicën në krahun e djathtë, ndërsa Latifi kalon në të majtë.
Megjithatë, grekët kuptojnë mësë miri taktikën e trajnerit kuqezi, duke u munduar të mbulojnë rreptë talentin kosovar. Latifi nuk është në ditën e tij më të mirë, ndërsa Manaj mundohet të "shpik" diçka kur ka topin në këmbë.
Greqia rrezikon dy herë me Donis, që godet nga distanca, por gjen Strakoshën në superformë. Në fund ka një tentativë të Manajt, por topi nuk i bindet sulmuesit pas gjuajtjes brenda zonës. Gjithçka mbyllet me shifrat e barabarta 0-0.
VLADIMIR MEMA