Ramadani nuk feston: Sia vlen po nuk fituam me Vllazninë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zekirija Ramadani nuk feston për kualifikimin, paçka se fitorja e djeshme i mban në lojë për një vend në Kupat e Europës.
Madje, vetëm 15 minuta pas sigurimit të gjysmëfinales kërkon që t'i ulë me këmbë në tokë të tijtë.
Trajneri i Flamurtarit hedh direkt vëmendjen te Vllaznia, madje gjatë deklaratës së dhënë për mediat sqaron se fitorja në kryeqytet do të zhvlerësohej nëse nuk do të triumfojnë ndaj Vllaznisë në kampionat.
"Fitorja ndaj Tiranës? E harruam menjëherë. Ua thashë çunave që të festojnë në dhomat e zhveshjes dhe, sapo të dalin nga stadiumi, të mendojnë për takimin e radhës, atë ndaj Vllaznisë. Nëse nuk fitojmë ndaj shkodranëve, ky sukses kundër Tiranës nuk do të kishte vlera", kështu e nisi deklaratën e tij tekniku. Sipas Ramadanit, fitorja ishte totalisht e merituar dhe sqaron se kartonët erdhën vetëm pasi ishte shënuar goli i dytë.
"Sot (dje) fitoi Flamurtari më shumë për meritë të tij se për faj të Tiranës. Kartonët e kuq të kundërshtarëve erdhën pas golit tonë të dytë, në një moment nervoz", shtoi trajneri.
Misioni i tij mbetet kampionati, madje e thotë hapur se, në rast se nuk do t'i largohen fundit të tabelës, për të ky do të ishte një dështim.
"Megjithatë, duhet të bëjmë më shumë se kaq. Pozitat që kemi në renditje nuk na lejojnë që të rimë të qetë. Duhet të tregojmë edhe në vazhdim profesionalizëm dhe të mendojmë sesi ta nxjerrim Flamurtarin nga pozita e vështirë në të cilën ndodhet. Në kampionat nuk kemi qenë të suksesshëm, ndërsa në Kupë mendoj se po.
Nuk di të them me saktësi se në ç'pozicion do të ishte Flamurtari nëse sezoni do të niste në këtë situatë që jemi aktualisht. Nuk dua të bëj parashikime apo hamendësime, pasi nuk ia vlen. Kemi bërë një ecuri të mirë dhe kjo mjafton, ndërsa mendoj se humbja ndaj Laçit na shërbeu si mësim", tha ndër të tjera tekniku i kuqezinjve.
Kur pyetet për Danilon dhe faktin që nuk po e gjen dot rrugën e rrjetës, Ramadani i del në mbrojtje.
"Danilo nuk po shënon? Po, por s'është një detyrim goli, sepse ai po përmbush me sukses çdo detyrë që po i jepet", përfundoi trajneri i Flamurtarit, Zekirija Ramadani.