e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama leter Nishanit: Me Protokollin e Festes tregove se je ne sherbim te PD

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama leter Nishanit: Me Protokollin e Festes tregove se je ne sherbim te PD
“Fakti që Ju s’jeni në gjendje të silleni si kryetar i këtij shteti as për qoka, nuk garantoni kushtetutshmëri e ligjshmëri, për institucione të pavarura e për zgjedhje të lira e të ndershme”

Lideri i Partisë Socialiste, nëpërmjet një letre, ka kritikuar presidentin Bujar Nishani për qëndrimet e tij në shkelje të Protokollit të Shtetit në 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas tij, Presidenti theu protokollin e shtetit, pasi dreka për këtë rast duhej organizuar nga Presidenca në qytetin e Vlorës. “Zoti President, Ju jeni përgjegjës për një zhvillim negativ të paprecedent në historinë e institucionit që jeni ngarkuar të përfaqësoni pa i pasur, për fat të keq, jo vetëm meritat po as cilësitë e nevojshme. Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju mbajë mbi krye, e përcakton qartë se Ju duhet të ofronit në Vlorë drekën zyrtare, siç kanë bërë tradicionalisht të gjithë paraardhësit Tuaj, të cilët edhe në drekën e djeshme ishin në krah të kryebashkiakut të Vlorës, në respekt të traditës e të protokollit.

Por Ju e shpërfillët Protokollin e Shtetit dhe ikët nga Vlora pa e kryer detyrën Tuaj si President i Republikës, si për të treguar, në fakt, se vendi i kreut të shtetit në Shqipëri ka mbetur bosh”, shprehet kryesocialisti Rama në letrën drejtuar presidentit Nishani. Në respekt të Protokollit, Rama tha se Presidenti gaboi kur lejoi të flasin në mbrëmjen e 28 Nëntorit në Pallatin e Brigadave persona të tjerë. “Protokolli i këtij shteti që ka barrën t’Ju ketë mbi krye po edhe tradita e mbrëmjes, e përcaktojnë qartë se Ju duhet të ishit mbrëmë në Pallatin e Brigadave mikpritësi dhe folësi i vetëm që u adresohet të ftuarve – siç kanë qenë tradicionalisht të vetmit mikpritës e folës në këtë rast të gjithë paraardhësit Tuaj. Pastaj e shkelët fare kur ia latë foltoren ekskluzive të kreut të shtetit shqiptar një zotërie pa lidhje, ose më saktë një të huaji që ka lidhje vetëm me Partinë Demokratike.

Ky shpërdorim i paprecedent i foltores së kreut të shtetit për recitime të miqve të huaj të partisë Suaj, ishte si shpallje publike ceremoniale e dorëzimit të institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në duart e partisë në pushtet”, u shpreh ai, duke shtuar se tashmë Presidenti dha provën për të mos votuar më. “Fakti që Ju s’jeni në gjendje të silleni si kryetar i këtij shteti as për qoka, nuk garantoni kushtetutshmëri e ligjshmëri, për institucione të pavarura e për zgjedhje të lira e të ndershme”, përfundon letra e Ramës.