e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama 'fut' ne sherr Berishen dhe Ruçin, botohen batutat

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama 'fut' ne sherr Berishen dhe Ruçin, botohen batutat
Diskutimi i projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm është kthyer në një arenë të vërtetë debatesh mes qeverisë dhe opozitës. Me të filluar seanca parlamentare, kahet politike janë matur me njërin- tjetrin më shumë me batuta se me alternativa qeverisëse. Kryeprotagonistë të shkëmbimit të batutave kanë qenë kryeministri Berisha dhe kreu i Grupit Kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi. Të dy politikanët kanë shkëmbyer replika të ashpra për liderin e opozitës Edi Rama. Por jo më pak replikues me njëri-tjetrin kanë qenë dhe deputetët e tjerë. Kështu, ministri i Financave, Ridvan Bode, është përplasur fort me ish-ministrin socialist të Financave, Arben Malaj, për disa nga parashikimet e buxhetit. Kuadrin e replikave e kanë plotësuar dy zonja të politikës si Jozefina Topalli dhe Arta Dade.

Batutat

Kryeministri Berisha në një fjalim rreth një orë, ka hedhur akuza të shumta në drejtim të opozitës dhe veçanërisht kryetarit të saj, duke kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste që të japin votën pro buxhetit. Sipas kryeministrit, ky buxhet është i të gjithë qytetarëve, çka do të rrisë më tej investimet si dhe pagat dhe pensionet. “Një ditë ju thotë mocion për Kryetaren dhe pas një ore tërhiqet, një ditë ju thotë kutitë dhe më pas thotë jo kutitë. Siç u trajton ai ju edhe Enveri do ta kishte lakmi. Le të shërbejë për gabimet që ka bërë për të votuar këtë buxhet që paraqes sot, buxhetin më të madh në historinë e vendit, buxhetin e një ekonomie solide që shënon rritjen e eksporteve me 16 për qind si asnjë ekonomi tjetër”, u shpreh kryeministri.

Pas kësaj, kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, u shpreh se kryeministri në 55 minutat e fjalës së tij nuk tha asgjë për buxhetin e vitit të ardhshëm, por foli me vrer për opozitën. “Berisha flet për ekonominë dhe rritjen e saj, por Forumi Ekonomik e rendit Shqipërinë në vendin e 88-të. Shifrat qe ti ke në buxhet janë më të vogla se buxheti i 2010. Ti flet për rritje pensionesh, shifra që ke në buxhet është e njëjtë me atë të 2010. Shpenzimet për ndihmën ekonomike për ata që llogarisin riskun e bukës i keni të njëjta me shifrat e 2010”, theksoi Ruçi ndër të tjerash. Më tej, Ruçi tha se shqiptarët janë të interesuar për zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit. "Qytetarët duan të mësojnë për të ardhmen e tyre, për varfërinë, për përmirësimin e sistemit shëndetësor, por në fakt në çdo mbledhje qeverie, grupi parlamentar apo seance parlamentare kryeministri përqendrohet vetëm te opozita. Berisha po kërkon të marrë peng opozitën dhe liderin e PS, që duket se i është kthyer në obsesion. Herët a vonë kryeministri do të bjerë nga pushteti dhe në vend të tij do të vijë Edi Rama, por Berisha nuk duhet ta përjetojë kaq keq", tha Ruçi.

Replikat e tjera

Batutat ndaj njëri-tjetrit i ka çuar më tej dyshja Majko-Olldashi. “Skënderbeu ka qenë kapedan. Ti je kryetar partie. Skënderbeu ka qenë kalorës i Krishtit, ti je një kalorës që nuk do të zbresësh kurrë nga kali. Ka një paralele me ty. Ka qenë shumë i dhënë pas mbjelljes pas bimës së ullirit”, tha Majko për kryeministrin. Menjëherë i erdhi kundërpërgjigja e Olldashit ndaj Majkos. “E vetmja punë publike e përmendur në mjediset edhe të politikës në Shqipëri, që është realisht pa projekt është tuneli i Otrantos. Nuk kemi projekt për tunelin e Otrantos dhe për fat të mirë atë koqe ulliri nuk e ka ngrënë njeri deri sot më thotë” tha ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Akuzat për pasurinë e Metës

Një ditë pasi bëri publike vlerën e supozuar të dy pronave imobiliare që Partia Socialiste thotë se janë të zëvendëskryeministrit Ilir Meta, dje selia rozë bëri publike vlerën e tatimit që zëvendëskryeministri duhet t'i kishte paguar shtetit si tatim për kalimin e të drejtës së pronësisë. “Kam këtu udhëzimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme. Sido që t’i ketë përfituar Meta këto prona, me blerje apo dhurim, sipas këtij udhëzimi duhet të kishte paguar tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie në përputhje me aktet ligjore”, tha deputeti Balla.

Sali Berisha

“Kam kënaqësinë që jeni sot në sallë, - iu drejtua ai deputetëve të opozitës, - dhe nuk u nxori Rama jashtë me një mesazh. Pasi ju përfaqësoni shqiptarët, qytetarët për të cilët ky buxhet shkon pa asnjë dallim. Uroj të çliroheni nga psikologjia e bunkerit, ku ju ka ndrydhur njeriu që ka kaluar jetën e tij nga bunkeri në bunker, apo nga bunkeri në muze. Dilni nga muzetë, jeta është tjetër, muzetë janë varreza e historisë”.

Sokol Olldashi

“E vetmja punë publike e përmendur në mjediset edhe të politikës në Shqipëri, që ashte realisht pa projekt është tuneli i Otrantos. Nuk kemi projekt për tunelin e Otrantos dhe për fat të mirë atë koqe ulliri nuk e ka ngrënë njeri deri sot më thotë” tha ministri i Transporteve, Sokol Oldashi.

Edmond Spaho

"Projekt-buxheti i shtetit për vitin 2011 mbështetet në zhvillimin e qëndrueshëm dhe tendencën e rritjes ekonomike në dy vitet e fundit. Rritja e eksporteve, politikat fiskale të koordinuara me politika monetare, rritja e depozitave me 22 për qind dhe e kreditimit me 8 për qind, janë elementët kryesorë, mbi të cilët u krijua premisa për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. Të ardhurat, sipas Spahos, për vitin 2011 llogariten 362 miliardë lekë.”

Mimi Kodheli

Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Mimi Kodheli tha se qeveria dështoi me pr/buxhetin e shtetit për vitin 2011. Sipas Kodhelit pr/buxheti ul konsumin dhe rrit borxhin e familjeve shqiptare. “Ai është totalisht i pa orientuar dhe jo realist, veçanërisht përsa i tregon treguesve makroekonomik, si rritja ekonomike, apo niveli i të ardhurave", theksoi Kodheli duke e quajtur pr/ buxhetin, elektoral.

Gramoz Ruçi

"Qytetarët duan të mësojnë për të ardhmen e tyre, për varfërinë, për përmirësimin e sistemit shëndetësor, por në fakt në çdo mbledhje qeverie, grupi parlamentar apo seance parlamentare kryeministri përqendrohet vetëm te opozita. Berisha po kërkon të marrë peng opozitën dhe liderin e PS, që duket se i është kthyer në obsesion. Herët a vonë kryeministri do të bjerë nga pushteti dhe në vend të tij do të vijë Edi Rama, por Berisha nuk duhet ta përjetojë kaq keq", tha Ruçi.

Pandeli Majko

“Nuk kemi ardhur këtu të merremi me as sa i kushtojnë pantallonat, as sa i kushton jeleku, as sa i kushton kostumi X-it apo Y-it. Skënderbeu ka qenë kapedan. Ti je kryetar partie. Skënderbeu ka qenë kalorës i Krishtit, ti je një kalorës që nuk do të zbresësh kurrë nga kali. Ka një paralele me ty. Ka qenë shumë i dhënë pas mbjelljes pas bimës së ullirit”.

Arta Dade

“Në këtë buxhet, lehtësisht vihet re rritja artificiale e investimeve për efektet elektorale të zgjedhjeve të pushtetit vendor. Vetëm në buxhetet që paraqet kjo qeveri mund të ketë nonsense si ai i rritjes ekonomike pa punësim, madje dhe me thellim të frikshëm të papunësisë. Gjithashtu, buxheti që na është vënë në dispozicion prej dy javësh, pra dhe me shkelje të afateve të paraqitjes sipas ligjit organik të buxhetit, shënon përkeqësim të mëtejshëm të mbrojtjes sociale.”

Vasilika Hysi

Pavarësisht se ky buxhet është buxhet krize, ai duhet rialokojë fonde, jo vetëm për të indeksuar inflacionin, por edhe të kompensojë rritjen e çmimeve nga keqmenaxhimi i qeverisë dhe krijimi i monopoleve. Ky buxhet duhet të mbështesë të gjithë familjet e papuna, të ofrojë shërbime sociale dhe kujdes shoqëror për cilido në këtë vend.