e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Spahiu me kerkoi arrestimin e Berishes, donte ta bente martir

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Spahiu me kerkoi arrestimin e Berishes, donte ta bente martir
Kreu i PS: Jemi dakord për miratimin e 3 ligjeve. “Nuk do të ketë 3-4 deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në listat e PS”.Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tregoi dje në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu negociatat e gjata me kreun e AK-së, Kreshnik Spahiu. Sipas Ramës, pretendimet e Spahiut ishin absurde, pasi ai kërkonte që të arrestohej brenda 100 ditëve të para të qeverisjes Kryeministri Berisha.

Rama shprehet se nuk pajtohej me këtë kërkesë të Spahiut, që sipas tij kërkonte ta kthente Berishën në një martir. I pyetur rreth qëndrimit të PS për miratimin e tri ligjeve për integrimin e vendit, Rama tha se është i gatshëm t’i votojë ato. Duke folur për bashkëpunimin parazgjedhor me LSI-në, Rama tha se ai ka kohë që ka nsiur të diskutohet dhe se ky bashkëpunim është strategjik dhe afatshkurtër. Rama hodhi poshtë pretendimet mediatike rreth marrëveshjes PS-LSI, sipas së cilës LSI do të ketë 3-4 emra në listat e PS.

Përse e keni vendosur këtë rregull që ministrat nuk do të jenë deputetë?

Pyesni se si funksionon Legjislativi dhe Ekzekutivi në Kosovë. Ne duam të ndajmë pushtetet, sepse duam të kemi deputetët që bëjnë punën e vet 24 orë në 24, që të bëjnë kontrollin parlamentar gjatë gjithë kohës, sepse nuk do kemi Grup Parlamentar si ky i Saliut, i qorrave dhe i shurdhëve që ngrenë kartonin për të shkelur Kushtetutën. Ne duam ministra që do të jenë 24 orë në krye të detyrës dhe do t’i përgjigjen Parlamentit ashtu siç e përcakton ligji.

Po kur të ketë rikompozime, si do t’i nxirrni jashtë Parlamentit dhe qeverisë?

Kush e ka me tapi mandatin e deputetit, që nëse nuk e bën këtë të kthehet prapë në Parlament. Ne jemi nga ata njerëz që dimë të korrigjojmë edhe gabimet. Unë kam bërë një gabim me Musa Ulqinin dhe ja sot Musai është pjesë e skuadrës sonë dhe do të jetë në Parlamentin e Shqipërisë.

Përse nuk i votoni tani tri ligjet zoti Rama? I premtuat dhe Metës se do t’i votonit tri ligjet…

Asnjëherë nuk ia kam kërkuar dhe asnjëherë nuk e kemi thënë këtë. Ndërkohë që sot kryetari i LSI-së bëri thirrje për një kompromis për kalimin e dy ligjeve, sepse e treta është rregullore. Për mua kjo përbën sens, sepse nuk ka pse gjithë periudha e verës të përdoret kur jemi në një tranzicion pushteti. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj ftese për kompromis dhe t’i votojmë në rast se pranohet opsioni që këto ligje të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve me Parlamentin e ri. Paraprakisht nuk e kishim diskutuar këtë gjë, sot më ka ardhur nga zyra e kryetarit të LSI-së.

Keni në koalicion disa parti komuniste, ku njëra prej tyre kërkoi rigjykimin e të burgosurve politikë. A ju duket cinike një gjë e tillë?

Mua cinike më është dukur një gjë: përdorimi dhe shpërdorimi i të vetmes Parti Komuniste që unë kam parë në skenën politike dhe i Hysni Milloshit për të bërë një diversion në zgjedhjet e Tiranës. Dhe ata që arritën të shkurtojnë diferencën edhe falë manipulimeve, nuk kanë gojë të flasin. E për më tepër pastaj nuk ka gojë të flasë Saliu për katër parti komuniste. Refuzoj ta komentoj këtë, sepse nuk na intereson fare. Ne jemi PS dhe kemi në programin tonë një qëndrim të qartë dhe të prerë se në katër vitet e ardhshme do të bëjmë atë që nuk është bërë në 22 vjet për të përndjekurit politikë.

Pse nuk arritët të bënit koalicion me Aleancën Kuqezi? Por jo vetëm kaq, por e quajtët dhe sorrë…

Aleanca Kuqezi u shfaq si një forcë opozitare, nacionaliste, me eksese shpeshherë të papëlqyeshme, por opozitare. Unë e kam thënë që doli si një forcë djathtas, pasi Kreshnik Spahiu del nga prehri i Saliut, sepse ka qenë kryetari i KQZ-së i zgjedhjeve të vjedhura të Saliut të 1996 dhe ishte logjike kur unë thashë se dilte djathtas dhe synonte vota djathtas. Më pas, kur e pashë të theksohej si forcë anti-sistem dhe anti-regjim kam thënë se mbetet për t’u parë se çfarë është, pra nëse është shqiponjë apo sorrë. Nëse del shqiponjë, do t’i kërkojmë ndjesë që i kemi thënë sorrë. Sepse këto pjella janë të njohura në historitë e viteve të kaluara dhe diktaturat e korrupsionit i nxjerrin si pjella ekstreme për të çoroditur popullin opozitar. Më pas erdhi periudha e negociatave. Kemi bërë negociata me LSI-në shumë të gjata dhe shumë serioze. Kemi këmbyer edhe letra të shkruara në vijimësi. Kemi bërë negociata edhe me PDS, PSD edhe me PBDNJ. Të gjitha kanë pasur vështirësitë e veta, por serioze në ato që kërkonin palët. Negociata të tilla me AK-në janë banale. Negociatori Damian Gjiknuri ka qenë përgjegjës në to dhe çdo ditë që kalonte dilte më e pastër se kishim të bënim me një provokacion.

Çfarë negocionit?

Kreshniku kërkonte që të bashkonim Shqipërinë me Kosovën që në mandatin e parë. Të ngrijmë marrëdhëniet me Greqinë derisa të hiqet Ligji i Luftës. Flasim për marrëveshje koalicioni me një parti si PS që udhëheq shumicën e nesërme në qeverisje. Këto dy ekstreme të vendosura në negociata do të ishin marria e një lufte të ftohtë ballkanike. Menjëherë ne duhet të ngrinim marrëdhëniet me të gjithë botën demokratike. Ky është provokacion, sepse nuk mund të jetë program koalicioni pika: Të arrestohet Sali Berisha brenda 100 ditëve! Kjo do të thotë që ta shpallim edhe martir Saliun tani!

Këto i ka si qëndrime publike AK-ja…

Kishte dhe broçkulla të tjera, si partia e parë dhe partia e dytë negociojnë për emrin e Kryeministrit; kryetarët e partive nuk mbajnë më shumë se dy mandate. Ndërkohë që përtej atyre të letrave ai kërkonte edhe 5 deputetë te lista e PS, 5 figura që do t’i vendoste AK. Kreshniku kërkonte të kishte tri femra në listat e deputetëve. Pra, po kërkoheshin të futeshin njerëz anonimë në listat e PS që ata të hynin si kaçube kuqezi që më pas pasi të merrnin votat, të shkonin si diversantë në krahun tjetër. Kjo po del tani. Të gjitha këto kërkesa të pamundura ishin për të krijuar alibinë që me këta ne nuk ramë dakord dhe hajt të dalim vetëm për të marrë vota opozitare. Ajo që unë dua të them është se të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë parti, duhet ta kuptojnë se ajo është një diversion për të çoroditur popullin opozitar dhe sot është një vegël e Sali Berishës. Kjo sjellja ekstreme është e njohur që kërkon të luajë këtë rol.

Ju ku do të kandidoni? Do të jeni pjesë e listës së Vlorës?

Nuk e kam vendosur akoma. E vërteta është se kam shumë nxitje nga disa qarqe me argumente të ndryshme, por nëse do të zgjidhja të shkoja në një qark tjetër, pa dyshim ky qark do të ishte Vlora.

Ka pasur kontestues në PS për koalicionin tuaj me LSI-në?

Ju siguroj që sot koalicioni PS-LSI gëzon mbështetje, që është më e madhe sesa ajo që ka pasur para ndarjes. Po Facebook-un e zotit Majko e mbani mend? Unë po flas për ditën e sotme që flasim. Ato ditë e para ka pasur disa reagime, por që janë sqaruar dhe mendojnë ndryshe tani.

Keni biseduar paraprakisht me zotin Meta për të dalë nga koalicioni qeverisës?

Kemi biseduar për një kohë shumë të gjatë, që te ngjala, Fevzi.

Ngjala u rrit, më thotë dikush…

Që ngjala u rrit, u rrit, po ku u rrit, në barkun e Saliut, se i ka ngelur në gojë, ka kaq kohë.

Ka pasur takime mes jush gjatë këtij viti?

Kemi pasur kontakte të vazhdueshme. Ka qenë një proces ku të dyja palët kanë pasur nevojë për kohë dhe u është dashur të kapërcejnë shumë gjëra. Por, pyetja që duhet t’i bëjnë njerëzit vetes është se çfarë i ka shtyrë këta njerëz që të kapërcejnë këtë gjë. Është domosdoshmëria për të mirëqeverisur.

Do të ketë nga të LSI-së në listat e PS, pasi është thënë në shtyp se do të ketë 3-4 emra të LSI-së në to?

Ajo që është thënë në shtyp është e pavërtetë. Nuk do të ketë 3-4 deputetë në listat e PS.

Nuk do ketë deputetë të LSI-së në listat e PS?!

Nuk do të ketë 3-4 deputetë!

A keni biseduar ju me zotin Meta se cili do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë pas 23 qershorit?

Sondazhet që kemi bërë javën e shkuar janë spektakolare. Sa i takon, s’kemi pasur asnjë arsye të flasim për këtë sepse forca e parë e koalicionit ka detyrën të marrë përsipër formimin e qeverisë. Nëse LSI del forcë e parë, do ta marrë Kryeministrin LSI-ja.

Cila është zgjidhja juaj për KQZ, a keni një propozim?

Ne kemi thënën që nëse do ta mbajë KQZ, kështu le ta mbajë. Për ne është shumë e qartë që kjo është një organizatë partie që funksionon nën urdhra partiake dhe ne nuk do të bëjmë asnjë përpjekje për ta zbukuruar këtë organizatë partie me ngjyra të një pluralizmi inekzistent. Por, është e qartë se nëse kjo KQZ do të guxojë të bëjë historirat e KQZ-së së kaluar, është kaq e ekspozuar si partiake, sa pasojat mund të jenë të paparashikueshme në raport me popullin sovran. Ne jemi të gatshëm të bëjmë kompromis dhe nuk kërkojmë që të kthehet ai që u hoq me përdhunë, që dot ishte rruga më e drejtë.

Cili është propozimi juaj?

Ne kemi kërkuar që të ketë një dialog dhe KQZ të fitojë legjitimitetin e të riformatohet dhe kjo diskutohet më tej. Këtu është shkatërruar institucioni kryesor i zgjedhjeve. Por, maxhoranca nuk ka asnjë vullnet për ridialogim dhe ka shprehje të një vulgariteti absolut. Duan ta mbajnë KQZ-në kështu, le ta mbajnë, po të duan ta çojnë edhe në shtëpi. Çështja është që kjo KQZ është premisë e hapur për destabilizim të procesit zgjedhor.